Fotoja është domethënëse. Osmani që shtrëngon dorën e presidentit Takaj, pasi ka firmosur në avion kontratën e re me Skënderbeun. Një premtim i dhënë ky kohë më parë dhe tashmë i mbajtur nga mbrojtësi korçar që nuk ka harruar të përmbledhë gjithçka me një nga batutat e tij. “Nuk jam numri 1 në futboll, por jam futbollisti i parë në botë që firmos në avion”. Osmani është i njohur në fakt për sensin e tij të humorit. Kudo në ekipet ku ka luajtur, 30-vjeçari ka qenë një ndër futbollistët më karizmatikë për sa u përket situatave të veçanta apo krijimit të episodeve gazmore. Në festën e titullit të Skënderbeut një vit më parë, madje nuk ka ngurruar të bëjë për disa momente edhe gazetarin e “Supersport” duke intervistuar e thumbuar shokët e tij të skuadrës. Tashmë përtej humorit ka siguruar vazhdimësinë e tij te Skënderbeu, duke plotësuar një dëshirë të shprehur publikisht, pas një sezoni të trazuar ku nuk arriti të aktivizohej me vazhdimësi për shkak të problemeve fizike.

Pavarësisht kësaj, në klubin korçar e kanë konfirmuar, duke besuar ndoshta jo vetëm te kualiteti dhe eksperienca e tij, por edhe te karizma dhe aftësia për të ngritur lart moralin në dhomat e zhveshjes. Në terminologjinë e gazetarisë sportive shqiptare deri më tani ka pasur një shprehje për trajnerët, “E shkarkuan në avion si Zhukovin”, duke iu referuar rastit të gjeneralit të ish-Bashkimit Sovjetik, që sot e tutje ndoshta mund të ketë edhe “Rinovoi në avion si Osmani”.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: