Skënderbeu vijon të mbajë fort xhevahiret e tij, me qëllim që të marrë maksimumin dhe financat e kërkuara për të mbajtur ekipin. Një gjë e tillë është bërë edhe me Mario Rabiun mesfushorin më të mirë të Skënderbeut dhe një prej premtimeve më të rëndësishme për një transferim në të ardhmen.

Në kushte të tilla bardhekuqtë kanë gjetur rrugën e përbashkët për rinovimin edhe për dy sezone të tjera të kontratës së Mario Rabiut. Nigeriani bëhet kështu futbollist i Skënderbeut edhe për dy sezone të tjera, duke e mbajtur të lidhur edhe për transferimet e ardhshme. Një marrëveshje që duket se ka lënë të kënaqur të dy palët.

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Mario Rabiu vlerëson këtë rinovim si një mundësi e mirë për të rritur cilësitë dhe mbi të gjitha për t’u rikthyer në tregun europian. “Po është e vërtetë që kam pranuar ofertën e Skënderbeut për zgjatjen e kontratës. E kam bërë me dëshirë këtë, pasi te ky ekip ndihem i vlerësuar dhe tepër i rëndësishëm. Kjo është më e mira për çdo futbollist kur ndihet i vlerësuar.

Tani jam i përqendruar te Skënderbeu dhe për të dhënë maksimumin e mundshëm për këtë fanellë. E di shumë mirë se kjo eksperiencë do të ndikojë pozitivisht tek unë, pasi koeficienti i këtij klubi për transferimet është i konsiderueshëm. Ndaj edhe për këtë do mundohem ta shfrytëzoj në maksimum këtë aventurë. Sigurisht që unë jam i përqendruar te një rikthim në futbollin elitar. Kjo është ajo që unë dua të arrij dhe kam besim se do ia dal, duke parë edhe grupin që kam te ky klub”, theksoi Mario Rabiu.

KAMPIONATI – I ndalur më pas te sezoni i nisur, Rabiu është besimplotë se do të jetë pozitiv për Skënderbeun për faktin se korçarët kanë ekip të plotësuar. “Kampionati i këtij sezoni do të jetë i vështirë, pasi ka shumë ekipe që kanë investuar. Mendoj se do të kemi një tjetër paraqitje të mirë dhe dinjitoze për vetë faktin se kemi mbajtur një pjesë të mirë të ekipit dhe skuadra ka potencial. Gjithsesi, është një kampionat i gjatë dhe duhet të marrim gjithçka në vijimësi, duke pasur objektiv ndeshjen e radhës”, përfundoi mesfushori nigerian i Skënderbeut.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb