“Dua të qëndroj edhe një vit te Napoli dhe të tentoj të fitoj titullin kampion me këtë skuadër”. Këto fjalë të Elseid Hysajt të përsëritura shpesh gjatë javëve të fundit, nuk bindin mediat angleze të cilat vazhdojnë ta shohin mbrojtësin e përfaqësueses shqiptare si një përforcim të klubeve të Premier Ligës.
Radio më e madhe sportive angleze, “TalkSport”, e sheh atë si një prej alternativave më të mundshme për të zënë te Arsenali vendin e Hektor Bejerin, i cili ndiqet me interes nga Barcelona dhe sipas statistikave të “WhoScored”, bën krahasimin mes lojtarëve.
“Një titullar te skuadra e Serisë Ai, ai është mësuar të luajë në skuadra që kanë zotërimin e topit dhe kjo reflektohet në statistikat e tij. Ai plotëson 16,7 pasime më shumë për ndeshje në krahasim me Bejerin dhe ka një përqindje saktësie pasimi më të lartë se mbrojtësi i Arsenalit. Megjithatë, ai ka më pak pasime “vendimtare”, por realizon më shumë krosime dhe pasime të gjata të sakta për ndeshje.
Nga pikëpamja e lojës mbrojtëse, shihet ndryshimi mes lojtarëve sepse Hysaj bën mesatarisht 2,1 ndërhyrje në ndeshje, ndërsa Bejerin 0,7. Megjithatë, ky i fundit driblon më shumë meqë është futbollist me tipare ofensive. Në përgjithësi, Hysaj do të ishte një zëvendësim i sigurt për Venger nëse ai do të përforcojë fazën mbrojtëse të skuadrës së tij”, shkruan “TalkSport”.
Ndërkaq, sipas ekspertëve të “FourFourTwo”, Hysaj është mes 9 lojtarëve të cilët Çelsi mund t’i kthejë shumë shpejt në objektiva të merkatos gjatë verës. “Nëse trajneri i Ccelsit, Antonio Konte, sheh se i nevojitet një lojtar më i besueshëm në krahun e mbrojtjes sesa Viktor Moses, Hysaj do të ishte një shtesë e shkëlqyer në radhët e skuadrës. Ai është atletik, ka pozicionim dhe është i kompletuar në lojën e tij kur ka topin në këmbë. Duke qenë vetëm 23-vjeçar, shqiptari ka ende për të treguar vitet e tij më të mira”, shkruhet në këtë revistë prestigjioze./panoramasport