TIRANE – Durim Bami është përlotur vërtet në ballafaqimin me deputetin Tom Doshi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, më tepër se një javë më parë.

Pas deklaratave të bëra nga Tom Doshi në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve në Kuvend, në mbledhjen ku u vendos kalimi në seancë plenare i kërkesës së Prokurorisë për arrestim, grupi i hetimit ka verifikuar edhe njëherë videon e regjistruar gjatë ballafaqimit te Krimet e Rënda, njofton Panorama.

Nga verifikimi i videos, mësohet se është parë skena, kur gjatë disa momenteve, teksa komunikonte me Tom Doshin, Durim Bami është përlotur. Nga videoja duket se deputeti ka pasur komunikim me 36­-vjeçarin nga Fushë­ Kruja për disa minuta në lidhje me dëshminë që ai kishte dhënë se “porosia për vrasjen ndaj dy deputetëve ishte një sajesë”.

Gjatë këtij komunikimi brenda godinës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, mësohet se Durim Bami është përlotur. Burimet nga hetimi e konfirmuan këtë fakt, por thanë se nuk konfirmohet në video ngjarja e plotë siç është përshkruar nga deputeti Tom Doshi.

Sipas burimeve të hetimit, nuk është e qartë arsyeja pse Durim Bami ka bërë një skenë të tillë para deputetit Tom Doshi, ndërsa ka dyshime se gjithçka është kryer nga i arrestuari për “të justifikuar” qëndrimin që ka mbajtur pas arrestimit, duke mohuar versionin e ngjarjeve të dhëna nga deputeti Tom Doshi, se ndaj tij ka pasur një skenar për vrasje.

Më 25 mars 2015, gjatë seancës në Këshillin e Rregullores dhe Imunitetit në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti Tom Doshi tha se me kërkesë të tij ishte filmuar ballafaqimi që ai ka pasur me Durim Bamin në Prokurori. Sipas Doshit, Durim Bami kishte qarë dhe kishte thënë se një polic me maskë e ka kërcënuar se do t’i vriste familjen nëse nuk mohonte akuzat e deputetit Tom Doshi.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb