Nga: VJOLLCA KONGJONI*
TIRANE – Kundërshtimet e vazhdueshme të bizneseve ndaj projektligjit që i detyron të anëtarësohen në Dhomat e Tregtisë nuk do të kalohet për shqyrtim këtë të enjte në Parlament sikurse ishte parashikuar. Kreu i komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduart Shalsi, ka deklaruar se deputetët e mazhorancës nuk janë dakord me draftin e propozuar nga qeveria, ndaj kanë kërkuar të rishikojnë atë. Sipas tij ndryshimet ligjore të propozuara nuk sjellin asnjë përmirësim në shërbimin ndaj biznesit veçse bëjnë të detyrueshme një pagesë.

“Propozimi i qeverisë synon të bëjë të detyrueshëm një pagesë e cila mendohet të prodhojë një pasojë për një organizim më të mirë të bizneseve. Por kjo nuk është e mjaftueshme për të reformuar mënyrën se si bizneset organizohen në dhomat e tregtisë. Ne si komision kemi vendosur që të rishikojmë riorganizimin e ligjit të dhomave të tregtisë. Gjykojmë që është e domosdoshme që çështja të shihet më thellë se si ka ardh nga propozimi i qeverisë. Ne duhet të gjejmë modelin më të mirë të mundshëm, nuk është se jemi kundër propozimit të qeverisë por për një organizim më cilësor të ligjit.”- deklaroi Shalsi.

Sipas Shalsit, Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese do të dëgjojë të gjitha diskutimet e dhomave të tregtisë vendase e të huaja dhe pas këtyre diskutimeve do të arrihet një konkluzion për mënyrën se si do t’i qasen propozimit të qeverisë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: