TIRANE- Ministria e Financave do të rishikojë buxhetin e vitit 2015. Ulja e të ardhurave për shkak të mosrealizimit dhe për rrjedhojë edhe ulja e shpenzimeve për të ruajtur nivelin aktual të dificitit janë ndryshimet kryesore në buxhet. Akti normativ është miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se të ardhurat janë ulur me rreth 16.2 miliardë lekë dhe me të njëjtën vlerë janë ulur edhe shpenzimet. Shkak për rishikimin e buxhetit me uljen e të ardhurave është bërë mosrealizimi sa plani i të ardhurave në Dogana dhe Tatime.

Ndërkohë, Ministria e Financave bën të ditur edhe të dhënat fiskale për gjashtëmujorin e parë të vitit, ku mësohet se të ardhurat janë realizuar në masën 182.9 miliardë lekë, ose 7.7 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Po sipas këtyre statistikave, totali i shpenzimeve arriti për periudhën 6-mujore në vlerën e 195.6 miliardë lekëve. Sipas Ministrisë së Financave, deficiti buxhetor është në vlerën e 12.6 miliardë lekëve. Të ardhurat janë në nivel më të lartë se një vit më parë, por janë më të ulëta se plani i miratuar në fillim të vitit nga Financat.

Sipas të dhënave, deri më tani është realizuar vetëm 37% e planit vjetor. Niveli i realizimit të të ardhurave në gjashtëmujorin e parë tregon se nuk janë realizuar pritshmëritë dhe parashikimet e fillimit të vitit. Mosrealizim është shënuar në të ardhurat nga tatimet, ku mungesa në buxhet në krahasim me parashikimin është 7.4%. Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale janë realizuar në masën 22% më pak se plani.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb