TIRANE- Reparti i Inspektim Minierave (RISHM) sqaron aksidentin e rëndë me pasojë vdekjen e dy minatorëve, ngjarje e ndodhur dje në minierën e kromit në Selishtë të Peshkopisë. Sipas RISHM, viktimat kanë qënë duke punuar në mënyrë të paligjshme dhe informale.

“Me datë 30/08/2015, rreth orës 15:45 , Drejtoria e Repartit të Inspektim Shpëtimit u njoftua për një aksident në galeritë e subjektit “Hoxha”shpk, të cilat ndodhen në objektin e kromit “Shtrunges”, Kacni, komuna Selishtë, rrethi Peshkopi. Pas verifikimit u konstatua se aksidenti me pasojë vdekjen e dy shtetasve Miftar Losha 54 vjeç dhe Albert Losha 35 vjeç, ka ndodhur në galerinë nr. 1 në objektin e kromit “Shtrunges”, që zoterohet prej subjektit “Hoxha” shpk me drejtues z. Ismail Hoxha, bazuar mbi lejen minerare nr. 537 dt.05.01.2000. Aksioner i këtij subjekti është edhe z. Isuf Pula, me 49% të vlerës së aksioneve. Reparti i Inspektim Minierave konstaton se të aksidentuarit kanë qenë duke punuar në mënyrë të paligjshme-informale, në një objekt i cili kishte ndërprere aktivitetin, punonin pa asnjë urdhër pune me shkrim nga drejtues teknik, të pa siguruar dhe të pa mbikqyrur nga specialist minerar”

Nga verifikimi në vendngjarje, RISHM konstaton se “aksidenti ka ndodhur në daljen sipërfaqësore të oxhakut të hapur para shumë kohësh nga nëntoka. Të aksidentuarit kanë qenë duke punuar për rrëzimin e mineralit në grykën e oxhakut kur ka ndodhur shembja e një masivi guresh duke i dëmtur rëndë ata dhe për pasojë kanë humbur jetën rrugës për në spital”.

“Zotëruesi i lejes minerare Z. Ismail Hoxha ka deklaruar prej 3 vitesh e gjysmë ndërprerjen e punës për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë ortakët me njëri-tjetrin. Zotëruesi i lejes Z. Hoxha ka shfaqur pretendime se vazhdimisht në subjektin e tij ushtrohej aktivitet i paligjshëm e informal, nga persona të pa rregjistruar në këtë subjekt. Nga verifikimet e para, rezulton se njëri prej të aksidentuarve (Miftar Losha) figuron i regjistruar deri në muajin Qershor 2015 në zyrën e tatim taksave në emër të subjektit “Pula –X”, punimet e të cilit janë kufitare me ato të subjektit “Hoxha”shpk. Me përfundimin e plotë të inspektimit dhe verifikimin e të gjithë dokumentacioneve teknike, ligjore të të dyja shoqërive, Ministria e Energjisë dhe Industrisë do të marrë masat konkrete për rastin deri fillimin e procedurave për revokimin përfundimtar të lejeve minerare të këtyre subjekteve”,- sqarohet më tej.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: