Pjesa shqip e Fjalorit të Marko Boçarit është shkruar me dorën e Markos dhe është hartuar prej suliotëve përfshirë babain, ungjin dhe vjehrrin e Boçarit, të cilët na lanë kështu një monument të shqipes së fillimeve të shekullit XIX, por edhe të dygjuhësisë dhe të bashkëjetesës së shqipes me greqishten.

Në këtë rezultat ka arritur profesor Dhori Qirjazi, që i prezantoi të dhënat e studimit të tij në Akademinë e Shkencave në një ligjëratë, duke u ndalur edhe te një risia e studimit të tij, një fjalor italisht-shqip mbi të cilin mori jetë ai greqisht shqip.

“Fjalori i Marko Boçarit është greqisht- shqip, po ama ka si pikënisje, italishten. Një studiues zbuloi veprën që mbante në duar Pukëvili, dhe prej saj merrte fjalët e greqishtes dhe ua diktonte suliotëve dhe prej tyre, priste pastaj që ta përkthenin në gjuhën shqipe të Sulit”, tha Qirjazi.

Boçari ka qenë një figurë e rëndësishme e luftës për pavarësi të Greqisë dhe hero i revolucionit grek, ndaj personaliteti i tij është vlerësuar edhe nga historianë grekë.

“Pasi merret me historinë e hartimit dhe të gjetjes së dorëshkrimit, si edhe me vlerën filologjike të fjalorit, historiani dhe politikani Lambros, thekson në vazhdim se, shumë e madhe është rëndësia që ka ai fjalor I thjeshtë në pikëpamje etnike. Sulioti e ndjente se nëse kishte brenda vetes diçka të selitur ajo qe helene, gjuha e atij kombi me të cilin qe bashkëngjizur, në rrjedhë të shumë kohëve shqiptarizma, u pat bërë gjuha mbizotëruese e suliotëve”, tha Qirjazi.

Fjalori i vitit 1809, dëshmon sipas profesorit edhe nivelin e kufizuar të leksikut në greqisht që zotëronin suliotët. Së tejmi, cilësohet një thesar që na tregon nëndialektin tosk suliot. Prej vitit 1819 fjalori u dorëzua në Bibliotekën Kombëtare në Paris nga Fransua Pukëvili.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb