TIRANE– Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani thotë se opozita është e gatshme për të diskutuar një paketë “McAllisterplus”, duke u ndalur konkretisht edhe tek dy shtyllat e kërkesave gjatë protestës.


Në emisionin “Kjo javë” me gazetaren Nisida Tufa në “News24”, sekretari i Përgjithshëm i PD tha se e sheh të vështirë arritjen e një marrëveshje të hënën me mbërritjen në Tiranë të një zyrtari amerikan. Sipas Ristanit, çështja nuk është tek ndërhyrja e ndërkombëtarëve, por tek kryeministri Rama që sipas tij është edhe shkaktari i krizës.


Ai hodhi një tezë të re, e cila mund të hapë rrugën e dialogut mes palëve në funksion të zgjidhjes së krizës politike. Deputeti u shpreh se nëse votimi e numërimi elektronik është i mundur të realizohet në këto zgjedhje, PD mund të heqë dorë nga qeveria teknike.

Ristani tha se edhe pas takimeve mazhorancë-opozitë për të arritur negociata, kryeministri Rama ka mashtruar. Deputeti demokrat thotë se kreu i qeverisë bën pazare për poste politike.


“Ne kemi bërë të qartë se kemi dy shtylla kryesore: qeveria teknike pa Ramën kryeministër, dhe së dyti votimi dhe numërimi elektronik. Në negociatat që janë zhvilluar Basha ka lëshuar, duke kërkuar që të zbatohet të paktën njëra nga shtyllat në mënyrë të plotë, dhe tjetra të zbatohet pjesërisht. Oferta është shumë e ndershme dhe e sinqertë. Paketa McAllister realizonte një pjesë të gjësë, por nuk realizonte të plotë as qeverinë teknike pa Ramën, dhe as numërimin dhe votimin elektronik. Për një “McAllister plus” mund të diskutojmë. Rama përveçse është një shkaktar i krizës, është edhe një mashtrues ordiner. Nga paketa McAllister filloi të bënte numra, jo zv.ministra. E bënte si pazari i Roskovecit, të jap një rosë, me jep një bibë. I ka të gjitha mashtrimet me radhë, siç bëri edhe mashtrimin me 300 mijë vendet e punës”, tha deputeti Ristani.

(el.sp/BalkanWeb)

Etiketa: