TIRANË – Nisur nga dy videot e fundit të dhunës policore, publikuar nga “News 24” dhe “BalkanWeb”, Partia Demokratike ka denoncuar me ashpërsi sot, agresivitetin e Policisë mbi individë dhe mbi protestues, si ata që janë ngritur kundër errësirës dhe nga tjetër i kujton se nuk ka ndaluar asnjë prej grabitësve të ditëve të fundit, që nga veriu në jug po terrorizojnë njerëzit e thjeshtë dhe bizneset e mëdha.

Arben Ristani, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së deklaroi se “ka dalë qartë në sytë e mbarë opinionit publik se kush janë prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit. Nga njëra anë është dhuna primitive ndaj qytetarëve të pamundur, në rrugë dhe në komisariat, dhe nga ana tjetër është përfshirja e saj në trafik droge.

Rastet e rrahjes brutale në Kavajë dhe në Korçë, të zbuluara falë dëshmitarëve në këto skena, në mes të ditës, nuk janë episodike, por janë dëshmi e raportit që ka krijuar Policia e Shtetit me qytetarët, janë dëshmi e sjelljes së saj të dhunshme e të paligjshme që shkel me këmbë qytetarët,”- theksoi Ristani.

Sipas tij, “policia poshtëron një të ri, duke e rrahur në mes të qytetit të Korcës, vetëm se ka gërvishur makinën e nëndrejtorit të policisë, nga ana tjetër maskat po godasin cdo ditë, duke e kthyer grabitjen me armë në një ritual. Familjarët tregojnë se i afërmi i tyre është goditur nga policia edhe në spital ku ishte për mjekim.

Policia dhunon barbarisht një të ri në Kavajë duke e goditur me shkelm në fytyrë teksa mbahet i lidhur, ndërkohë që oficerë të forcave operacionale, dhe shefat e tij, janë të përfshirë në trafik kokaine dhe heroine.”

“Kjo është e kundërta e Policisë që i duhet vendit, – theksoi numri 2 i PD-së në përfundim. – Sot janë shoqëruar me dhunë në komisariat, banorë të Kamzës që protestojnë se po jetojnë në errësirë prej muajsh, për shkak të represionit të qeverisë, nga ana tjetër Policia ende nuk ka ndaluar asnjë prej grabitësve të 10 ditëve të fundit, të bankës, të biznesit në autostradë, të grabitjes në Vlorë, të grabitjes në Shkodër, të grabitjes në Kamëz, të grabitjes në Korçë. Luftë me qytetarët, paqe me kriminelët.Peshku është qelbur nga koka dhe nga koka duhet të nisë largimi i së keqes.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb