TIRANË – Për shkak të pamundësisë për të paguar faturat e energjisë elektrike, një djalë i ri ka tentuar të vrasë veten duke prerë damarët e duarve. Këtë lajmin e ka bërë publik në seancën e Kuvendit, pasditen e sotme, numri dy i PD-së, Arben Ristani, i cili i bëri thirrje mazhorancës “të mos mburret dhe të mos vijë vërdallë me kobure në brez”, por të bëhet e përgjegjshme.

“Sapo më njoftuan me një mesazh, – tha Ristani, – se pak më parë, një djalë, ka prerë damarët, sepse nuk paguante dot faturën e energjisë. Por ka dhe raste të tjera, si ai që vrau veten në burg për 3500 lekë. Ndaj, po ju them, mos hajdeni vërdallë duke tundur koburen dhe kërcënuar opozitën.”

Ristani e mori fjalën në Kuvend për t’i bërë një thirrje Qeverisë dhe deputetëve të majtë, të distancohen nga krimi, të ulen dhe të mos mburren. “Ju kemi thënë, – tha ai, – mos flini me bagëtinë, se gdhiheni me pleshta.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb