TIRANË- Partia Demokratike ka ngritur sërish gishtin e akuzës ndaj kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për zjarrin që ra pak ditë më parë në godinën e laboratorit kriminalistik. Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani tha se djegia e provave të trafikantëve të drogës, në laboratorin kriminalistik, është një krim i rëndë, që kërkon impenjimin maksimal të prokurorisë për një zbardhje të shpejtë dhe  të plotë.

“Të zhduken povat e bandave të drogës, duke i shpëtuar ata nga drejtësia, është kapja përfundimtare e shtetit nga bandat, është rënia e shtetit. Është akti tipik që simbolizon llojin e  shtetit kriminal, është akti tipik që simbolizon shtetin e ngritur nga Edi Rama.

Provat dhe droga e bandave janë lënë pa ruajtje, e pa kujdes që ditën e parë, ose më saktë janë lënë në gjendje të tillë, për tu zhdukur më pas në mënyrë mafioze”, tha Ristani.

Sipas tij, marijuana ishte vendosur me urdhër nga lart në një korridor që ishte një ambient i hapur nga të dyja anët dhe ku kalonin çdo ditë jo vetëm punonjësit e laboratorit, por edhe të gjithë policët e Shqipërisë që vinin nga rrethet, për të sjellë material për ekzaminim. “Të gjithë këta njerëz ishin në kontakt me provat dhe mund të bënin ç’të donin. Droga e ardhur për ekspertizë ka qenë e futur në thasë plastikë dhe justifikimi i lënies në korridor ishte që të thahej. Por si mund të thaheshin kur kishin vënë 30 thasë  njëri mbi tjetrin. Në një thes, sipas rregullave futen 10 për qind të bimëve të gjetura në një parcelë. Mendoni tani, për sa banda, sot shteti i Edi Ramës, nuk ka prova. I ka amnistuar. U ka dhënë lirinë”, u shpreh ai.

Ristani tha më tej se “duan t’ia lënë një defekti teknik, por instalimi i rrjetit elektrik të laboratorit është bërë krejt i ri para një viti, kur laboratori u transferua në mjediset e Gardës, aty ku është transferuar këto kohë dhe Saimiri i Ramës”.

Më pas sekretari i Përgjithshëm i PD-së, ka ngritur disa pyetje:

1-Pse janë lënë në korridor provat me autorë të zbuluar?

2-Si mund të thahet droga provë, duke u vënë thasët nga pesë e nga gjashtë mbi njëri-tjetrin?

3-Ambjentet e laboratorit janë të monitoruara me kamera: A kanë punuar kamerat natën e ngjarjes? Ku janë dhe çfarë tregojnë regjistrimet?

4-Si mund të shkaktojë zjarr neoni që ka dritë të  ftohtë?

5-Duke qenë se instalimet e rrjetit elektrik ishin të sapobëra dhe moderne, si ka mundësi që tensioni elektrik nuk u ndërpre menjëherë pas defektit?

6-Dhe, provat e djegura, a i përkasin kryesisht trafikantëve të drogës nga Tepelena?

Ristani deklaroi se shkatërrimi i provave është vepër e shtetit kriminal.

“Shteti i Edi Ramës nuk është gjë tjetër veçse krimi në pushtet. Duhet transparencë dhe hetim i plotë për këtë ngjarje nga më të rëndat në historinë e këtyre 25 viteve”, tha ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb