VLORË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, ishte sot pranë banorëve të fshatrave më të prekur nga përmbytjet në Vlorë, në Fitore e Bishan, ku u shpërndanë ndihma, si batanije, çizme, e ushqim për gjënë e gjallë, një kontribut i degëve të PD-së. Ristani u bëri thirrje qytetarëve të solidarizohen, të ndihmojnë me sa të mundin, teksa degët e Partisë Demokratike në gjithë vendin kanë nisur një fushatë të mbledhjes së ndihmave për të prekurit, për të lehtësuar fatkeqësinë që i ka mbërthyer prej 6 ditësh.

“Njerëzit janë në nevojë urgjente për ushqime dhe materiale të tjera tepër të domosdoshme. Ka një nevojë tepër të madhe për ushqim bagëtish. Ato që kanë mbijetuar kanë nevojë edhe për ilaçe pasi bagëtitë po ngordhin edhe nga të ftohtët. Një shqetësim tjetër është nevoja për të pasur autobote për të pastruar puset e ujërave të zeza pasi janë tejmbushur”, u shpreh Ristani.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së tha se tek çdo familjar dhe i dëmtuar që vizituam ka një revoltë të madhe ndaj neglizhencës së autoriteteve pasi nuk u kanë shkuar dhe nuk po u gjinden pranë me nevoja dhe kërkesat e tyre. Ai u ndal edhe në ambulancën e fshatit e cila është totalisht e përmbytur dhe jashtë funksionit.

“Shumë prej banorëve ankohen për selektivitet në dhënien ndihmash. I ribëjmë thirrje kryeministrit të shpallë gjendjen e emergjencës civile pasi do të bënte të mundur ndjekjen e një protokolli ligjor për të vënë në punë të gjitha resurset shtetërore në ndihmë të banorëve dhe mobilizim të gjithanshëm”, tha Ristani.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb