TIRANË- Deputeti demokrat, Arben Ristani ka reaguar pas deklaratës së kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj se do të jepte dorëheqjen nëse më 1 qershor do të kishte kafene pranë këndit të lojërave që po ndërtohet tek Liqeni Artificial. Në profilin e tij në facebook, Ristani i quan kopjacë të shefit ministrat dhe të dërguarit në bashki që deklarojnë se do të japin dorëheqjen. Ai thotë se pemët tek liqeni janë bërë rrafsh dhe betoni ka zënë rrënjë.

“Si kopjacë të shefit, kanë nisur me radhë, ministra e të dërguar në bashki, që thonë: nëse e kam bërë këtë gjë, jap dorëheqjen. Ahmetaj thotë se jap dorëheqjen nëse me gjeni një fluturim carter. Madje zë be për koke të kalamajve. Kur i del dokumenti, me dhjetëra fluturime carter, me numrin e tij të pasaportës e me foto, nuk ndihet më. Hesht si fije bari. Veliaj thotë jap dorëheqjen nëse kam prerë pemë. Ndërkohë pemët rrafsh te liqeni e betoni ka zënë rrënjë. Kjo nuk është pavendosmëri e këtij soji, lëkundje, ose karakter i dobët. Është kompleksi i mëkatit ku janë zhytur”, shkruan Ristani.

Sipas tij, në përpjekje për ta fshehur, ata premtojnë atë që se bëjnë kurrë: Dorëheqjen. “Po të ishte për skandale, do kishin rënë me radhë, të tërë, nga Rama tek krijesa e tij më e fundit. Po ata s’kanë ndërmend të japin dorëheqjen se nuk heqin dot dorë nga korrupsioni e zhvatja. Nga babëzia, çapa e madhe do ju zërë fytin. Njerëzit që vuajnë do ua ngecin në fyt”, deklaron deputeti Ristani.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: