NGA FATMIRA NIKOLLI*

Poetja Rita Petro, autore e librit me poezi erotike “Vrima”, i diskutuar së tepërmi dy ditët e fundit në rrjetet sociale, u përgjigjet të gjithë kritikëve gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare”. Të dielën në Bibliotekën Kombëtare, në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, Petro dhe shtëpia botuese “Albas”, u vlerësuan me çmimin kombëtar të Bibliofilisë “Lumo Skëndo” për vitin 2014. Fill më pas, libri i saj i botuar një vit më parë, tashmë nën dritën e një libri të vlerësuar me çmim kombëtar, mori vëmendje dhe kritika.

Atë që poetja e sheh si erotikë, lexuesit e panë si banale. Petro, në poezitë e saj u lë vend të veçantë trupave njerëzorë, organeve seksuale, aktit, dorëzimit, e më tej. Në intervistën e mëposhtme, ajo u përgjigjet kritikave me vargje të tjera, ndërsa nuk ngurron të shprehet se: “Ato që janë shkruar me shumicë në rrjetet sociale, nuk janë kritika, por mllefe, mllefe të njerëzve të cilët u shfrytëzuan nga një ‘censurë diktatoriale’…. E acaruan këtë turmë, e cila përbëhet jo vetëm nga njerëz të pakulturë, por këtyre shumë shpejt iu bashkëngjitën grupi i atyre që shkruajnë gjithnjë për inate politike, grupi i atyre që janë aktivë në fushën e letërsisë e ndihen të konkurruar dhe, së fundi, grupi i njerëzve që kanë shije tjetër për letërsinë. Këta të fundit do t’i respektoja për mendimin ndryshe dhe të argumentuar”.

– Si e pritët çmimin “Lumo Skëndo”? Çfarë do të thotë një çmim bibliofilie për ju?
Natyrisht që ky çmim nuk është gjë e vogël për mua, është çmim që guxon të zyrtarizojë një poezi ndryshe nga ajo që është pranuar dhe shijuar këtu te ne, poezinë e shkruar me gjuhën e instinkteve, të përjetimeve që vijnë prej nënvetëdijes. Dhe, të japësh çmim për një poezi të tillë, do të thotë të guxosh; dhe, të bësh vlerësime kritike për një poezi të tillë, do të thotë të marrësh përsipër ndryshimin e disa standardeve të ngulitura dhe të marra të mirëqena. Ndaj unë do të falënderoja publikisht jo vetëm ata që më dhanë këtë çmim, por më parë ata studiues, pedagogë të letërsisë, lexues të zakonshëm për shkrimet dhe komentet e tyre tepër objektive. Nga ana tjetër, në raport me gëzimin e çmimit, që zgjat një ditë (por që mua nuk më lanë as edhe një orë ta shijoj), kjo nuk ka të krahasuar me atë ndjenjë që kam provuar kur e kam shkruar këtë libër. Ishte gati-gati sikur provova përsëri dhimbjet e lindjes, dhe këtë e kam shprehur në poezinë “Aty poshtë”: Nga dhimbja e dëshirimi për ty/ Hapem dhjetë centimetra/ Marr e jap frymë/ Rënkoj zëmbytur/ Shpirtin shkul/ Përposhtë shtyj/ E kur e ndiej se mirësevjen/ Mbi çarçaf e derdh./ Oh, i dashur, truri im është ky/ Në duart e mia larë në gjak?/ E mundur qenka të mendoj me trurin jashtë?!
Po, është e vërtetë, këtë libër e kam shkruar duke e mbajtur trurin në duart e mia. Ndryshe kjo poezi nuk do të godiste kaq shumë.

– Ka pasur, në rrjetet sociale, kritika mbi poezitë tuaja. Si jeni ndjerë? Çfarë keni menduar? Si i keni pritur?
Ato që janë shkruar me shumicë në rrjetet sociale nuk janë kritika, por mllefe, mllefe të njerëzve të cilët u shfrytëzuan nga një “censurë diktatoriale”. Shikoni, diktatorët gjithnjë për të qëndruar në pushtet nuk kanë përdorur vetëm pushtetin, por më së shumti ndikimin te psikoza e turmës. Në këtë rast, “diktatori”-media (disa të tilla) drejtpërsëdrejti e acaruan këtë turmë, e cila përbëhet jo vetëm nga njerëz të pakulturë, por këtyre shumë shpejt iu bashkëngjitën grupi i atyre që shkruajnë gjithnjë për inate politike, grupi i atyre që janë aktivë në fushën e letërsisë e ndihen të konkurruar dhe, së fundi, grupi i njerëzve që kanë shije tjetër për letërsinë. Këta të fundit do t’i respektoja për mendimin ndryshe dhe të argumentuar.

– A është ende herët për këtë lloj poezie? Me këtë tekst? A keni përgjigje për mendimet kritike?
Vargjet e përzgjedhura janë nxjerrë jashtë kontekstit nga poema e parë dhe është abuzuar me të… Në “Poemën e fundit për dashurinë”, individi, në rastin konkret femra, sapo vjen në jetë, bie në dorë të mjekut që ia pret kërthizën, e cila e lidhte me Zotin, e më pas rrotullohet në kufijtë e ngushtë që i vihen përpara nga konvencionet e shoqërisë, familja, institucioni arsimor, policor, ai i drejtësisë, martesor etj., etj. Dhe të gjithë i tregojnë me gisht: “Tani je në dorën time…”. E njëjta gjë ndodh edhe me mashkullin e parë që ajo njeh. Ato vargje që janë aq të drejtpërdrejta dhe të thata, stilizohen në mënyrë të tillë, me qëllimin që të godasin, sikurse në jetë. Vajza është ushqyer me përralla dhe askush nuk i ka folur për aktin seksual. Dhe ai mbetet i tillë në vetvete, pa mundur të kombinohet më vonë me ndjenjën e vërtetë të dashurisë. Të njëjtën gjë ndjeva dhe unë me turmën dhe disa media, që ma përplasën në fytyrë vargun tim: “Tani je në dorën time!”.

– Ju thoni që kohë të reja na presin kundër skematizmit dhe moralit të rremë. Çfarë nënkuptoni?
Po ju përgjigjem me atë çka kam thënë në një intervistë kur sapo doli libri “Vrima”… Gjithnjë na pëlqen t’i shohim gjërat si duken realisht dhe pasqyrat t’i zgjedhim madje me cilësinë më të mirë, që fytyra jonë të dalë sa më e bukur në mëngjes, pasi kemi bërë make up-in. Se përtej asaj që dukemi, nuk duam, ose më mirë kemi frikë të shohim reflektimin e asaj që fshehim në brendësi. Jam e bindur se atë zë që kam dëgjuar unë brenda vetes e dëgjon secili: “Shko dhe gjeje atë liqen…”. Shoqëria na vë përpara pasqyrën për të parë vetëm ato që duhet; natyra ka krijuar ujin, liqenin për t’u parë në thellësi. Shoqëria na vesh me rroba për të mbuluar të vërtetën, ndërsa natyra na zhvesh për të qenë të vërtetë. A ka gjë më të bukur se njeriu lakuriq që ua dorëzon trupin e tij ujërave, ajrit, tokës. Vetëm një trup me një tru të lirë mund të arrijë kënaqësinë e plotë, prandaj dhe mesazhi im poetik është: shkoni e gjejeni atë liqen magjik, o njerëz! Unë e kam gjetur. Secili duhet të bëjë punën e vet me trupin e vet.

– Poezitë tuaja të mëhershme janë pritur ngrohtë. Pse këto janë ndryshe? Prej fjalëve të përdorura?
Jo, nuk janë aspak ndryshe, këtë mund ta thonë vetëm ata që nuk e njohin poezinë time. Te “Shija e instinktit” dhe te “Këtu poshtë këndohet live” është i njëjti zjarr dhe guxim për t’i thënë gjërat po kaq hapur dhe me këtë gjuhë të prerë poetike. Edhe në këta libra unë godas diktatorët e vegjël, që qëllojnë me gur aktin seksual aq të natyrshëm që kryejnë dy kafshë me njëra-tjetrën dhe që nesër, janë pikërisht këta që shndërrohen në diktatorë të mëdhenj që na udhëheqin.

– Notat erotike në poezinë e Lasgush Poradecit, Pano Taçit apo Bukovskit nuk kanë pasur vëmendjen apo gjykimin që mori poezia juaj. Pse? Ka të bëjë me çmimin?
Mendoj se ka të bëjë me çmimin. Po të mos harrojmë, se kolosi Poradeci apo poeti Pano Taçi janë anatemuar për sa kohë jetuan.

– A do ndryshonit gjë te këto poezi?
Jo, absolutisht, dhe asnjë fjalë, e veçanërisht titullin. E kam shkruar kur shkela në vullkanin e shuar të Santorinit, ku kam futur dorën në një vrimë atje dhe kam ndjerë afshin e nxehtë dhe erën e sulfurit…dhe e kisha një parandjenjë, që ky libër do kish fuqinë e një vullkani.

– Duke marrë shkas nga libri juaj, u kritikua edhe qeveria, ministrja për zgjedhjen e bërë duke ju dhënë ju çmim…
Lidhjet e mia me politikën lënë shumë për të dëshiruar… po unë po ju them diçka, se sikur ministrja aktuale e Kulturës të mos ishte mendjehapur, sigurisht nuk do të më jepte çmim, pasi në poezinë time nuk mungojnë mesazhe të tilla poetike: Ne jemi të gjithë këtu poshtë, po jemi vetëm/ Zoti është aq lart sa gjëkundi s’duket,/ Ndërsa tribuna pothuaj gjithnjë bosh,/ Dhe kur dalin, ata duan vetëm t’i dëgjosh./ Ndaj ne jemi një turmë e madhe, e shtrënguar, jetime./ Këndojmë të gjithë me qirinj të fikur/ Fryu erë e fortë, s’ka kush të na i ndezë,
Në tribunë nuk duket këmbë njeriu/ Dhe kur vijnë,/ Nuk kanë me vete një fije shkrepëseje…
Ndaj ftoj me këto vargje dhe turmën që m’u kundërvë të ndezim së bashku qirinjtë e shpresës për një shoqëri të ardhme mendjehapur.

Motivacioni i ‘Bibliotekës’ për çmimin: Si një botim elegant…
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë i dha Çmimin Kombëtar të Bibliofilisë – Lumo Skëndo 2013 Shtëpisë Botuese “PRINCI”, për botimin studimor të kompozuar “Trilogjia Albanika” të autorit Arshi Pipa, si një botim që harmonizon vlera të çmuara intelektuale, estetike e bibliofilike, duke pasuruar me hijeshi e dije Bibliotekën Albanologjike. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë i dha Çmimin Kombëtar të Bibliofilisë – Lumo Skëndo 2014 Shtëpisë Botuese “ALBAS”, për botimin bibliofilik me poema “Vrima” të autores Rita Petro, si një botim elegant që harmonizon konceptualen e imazhit dhe artin e poezisë me provokimin estetik, duke pasuruar shijen bibliofilike të leximit.

Historiku i çmimit: Në vitin 2006, Ministria e Kulturës dhe ministri i saj, Bujar Leskaj, në bashkëpunim me BKSH-në konceptuan Çmimin Kombëtar të Bibliofilisë “Lumo Skëndo”, si çmimi i vetëm që nxit dhe mbështet cilësinë estetike të botimeve shqiptare. Ky çmim u shërben vlerësimit dhe stimulimit të botimeve me vlera të spikatura bibliofilike dhe intelektuale, pikërisht nëpërmjet evokimit të personalitetit të Lumo Skëndos (Mit’hat Frashëri), veçanërisht si themelues i bibliofilisë shqiptare.

Në vitin 2013 ky çmim, nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe Ministres Kumbaro iu besua krejtësisht BKSH, duke e nderuar atë si institucionin që e menaxhon, dhe duke përzgjedhur kremtimet e 95-vjetorit, BKSH përmes jurisë së saj, që përfaqëson njëkohësisht edhe Këshillin e vet Shkencor, vlerëson me këtë çmim dy shtëpi botuese për vitet respektive 2013 dhe 2014.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: