Partizani dhe Tirana janë dy skuadrat rivale të kryeqytetit, dy klube me histori dhe me shumë trofe në
futbollin shqiptar. Përpos dueleve në fushën e lojës, te këto ekipe ka dhe një duel në shkallët e
stadiumit. Tifozët bardheblu dhe ata të kuq kërkojnë të vendosin “diktatin” në kryeqytet, ose siç thonë
Guerrilsat: “Se qyteti është i kuq”, ose Fanaticsat: “Po qytetin kush ua boni?”

Bukurinë dhe emocionet që përcjell kjo sfidë janë të papërshkrueshme. Por, më e veçanta qëndron në
këtë sezon futbollistik. Superiorja ka përzgjedhur t’i vendosë këto ekipe në krah të njëri-tjetrit duke
ndarë vendin e 3-të dhe 4-të me 20 pikë të barabarta.

Ndoshta ironi e fatit për të dy skuadrat, por ky fakt përcjell emocione tek ultrasit, të cilët tashmë kanë filluar “thumbimet” në distancë.

Kujtojmë që javën e ardhshme Tirana do të presë Partizanin në “Selman Stermasi”. Përgatitjet për këtë
përballje kanë nisur në të dy kampet. Nëse fundjava do t’i lërë në të njëjta pozita Partizanin dhe Tiranën, atëherë në supersfidën e së enjtes, në “Selman Stermasi” do të jetë më shumë se një ndeshje futbolli. Nuk na mbetet gjë tjetër, veçse ta presim dhe ta shijojmë… (newsport)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb