NGA ORNELA MANJANI
Ndryshimi i pronësisë për sipërfaqet e truallit ose të tokës bujqësore dhe rivendosja e kufijve të rinj të pronës në Hipotekë kërkon gjashtë dokumente. Dokument identifikimi, kërkesë me shkrim nga i interesuari ku përfshihen të dhënat e nevojshme për identifikimin e pasurisë, dokument pronësie, plan-rilevimi, deklaratë noteriale e kufitarëve dhe vërtetimi i ndryshimit të kufirit i lëshuar nga autoritetet e pushtetit vendor ose nga subjekti shtetëror që e ka në administrim janë dokumentet që duhen dërguar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme përmes portalit “e-Albania”. Procedura zgjat vetëm 15 ditë nga momenti i aplikimit dhe ndryshimet reflektohen në tapinë e pronës dhe kartelën përkatëse.


Aplikimi
Të gjithë qytetarët që duan të ndryshojnë kufirin e pronës së tyre, mund të përgatisnin dokumentet ligjore për aplikim. Në portalin “e-Albania” shpjegohen procedurat që duhet të ndjekin qytetarët, ku thuhet se: “Ky shërbim elektronik u vjen në ndihmë qytetarëve që të dërgojnë një aplikim për ndryshim kufiri shoqëruar me aktet apo dokumentet ligjore (akte noteriale, vendime gjykate etj.).


Pas dërgimit të aplikimit drejt ZRPP-së, ai do të procesohet nga specialisti i ZRPP-së dhe në varësi të informacionit. Kthimi i përgjigjes dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet informimit me e-mail, dërgimit të përgjigjes elektronike te ‘Dokumentet e mia’ në profilin e qytetarit në ‘e-Albania’, si dhe me shërbim postar nëse qytetari kërkon përgjigjen në format letër.


Kërkesa për kryerjen e një shërbimi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), në zbatim të ligjit nr. 33/2012, bëhet nga kërkuesi, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, noterit apo asistentit të noterit. Pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme funksionon Regjistri Elektronik i Përpunimit të Kërkesave, i cili garanton trajtimin e praktikave sipas radhës së paraqitjes së kërkesave. Minimalisht, në regjistër regjistrohen numri i kërkesës, data e paraqitjes dhe data e përfundimit të afatit për trajtim, sipas rendit kronologjik”.

Regjistrimi
Çdo qytetar që kërkon këtë shërbim do të pajiset me një numër identifikimi për kërkesën dhe me Kodin e Sigurisë, me anë të të cilëve mund të verifikojë trajtimin e kërkesës. “Kërkuesi që paraqet një kërkesë për kryerjen e një shërbimi nga ZRPP-ja, pajiset me një numër identifikimi të kërkesës dhe Kodin e Sigurisë, me anë të të cilëve mund të verifikojë gjendjen e trajtimit të kërkesës së tij. Kthimi i përgjigjes elektronike dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet dërgimit te ‘Dokumentet e mia’ në ‘e-Albania’ dhe informimit me e-mail për shkarkimin e përgjigjes elektronike. Gjithashtu, nëse qytetari dëshiron përgjigjen në format letër, e merr nëpërmjet shërbimit postar. Çdo tarifë për shërbimin në ZRPP, paguhet në llogarinë bankare të Zyrës së Regjistrimit”, thuhet në njoftim.

Regjistrimi i pronës
Shërbimi elektronik përmes faqes ‘e-Albania’ u vjen në ndihmë qytetarëve që të dërgojnë një aplikim për informacion zyrtar të pasurisë për individët dhe institucionet, gjithmonë nëse provohet interesi legjitim.Pas dërgimit të aplikimit drejt Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ai do të procesohet nga specialisti i ZRPP-së dhe në varësi të informacionit.

Kthimi i përgjigjes dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet informimit me e-mail, dërgimit të përgjigjes elektronike te “Dokumentet e mia” në profilin e qytetarit në “e-Albania”, si dhe me shërbim postar nëse qytetari kërkon përgjigjen në format letër.

Kërkesa për kryerjen e një shërbimi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), bëhet nga kërkuesi, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, noteri apo asistenti i noterit. Pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme funksionon Regjistri Elektronik i Përpunimit të Kërkesave, i cili garanton trajtimin e praktikave sipas radhës së paraqitjes së kërkesave.

Dokumentacioni i nevojshëm
Të gjithë kandidatët duhet të dorëzojnë disa dokumente për procedurën e ndryshimit të kufijve. Konkretisht, aplikantët duhet të dorëzojnë:
1. Dokument identifikimi të përdoruesit: kartë identiteti ose pasaportë biometrike (e nevojshme për t’u loguar në portalin “e-Albania”);
2. Kërkesë me shkrim nga i interesuari (e skanuar) ku përfshihen të dhënat e nevojshme për identifikimin e pasurisë;
3. Dokument pronësie;
4. Plan-rilevimi;
5. Deklaratë noteriale të kufitarëve;
6. Vërtetim të ndryshimit të kufirit, të lëshuar nga autoritetet e pushtetit vendor ose nga subjekti shtetëror që e ka në administrim.
Hapat e procedurës
1. Identifikohuni si qytetar ose si biznes në portal;
2. Zgjidhni shërbimin “Ndryshim kufiri”;
3. Klikoni butonin “Përdor”;
4. Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme mbi Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, mbi pronën, mbi shërbimin/shërbimet e kërkuara dhe taksat e nevojshme;
5. Klikoni butonin “Dërgo” në faqen e fundit të formularit;
6. Shkarkoni mandatpagesën me të cilën mund të paraqiteni në bankë për të kryer pagesën e nevojshme;
7. Punonjësi i ZRPP-së proceson kërkesën e ardhur dhe në varësi të vendimit që merret, i kthen përgjigje me e-mail aplikuesit, me URL-në e shkarkimit të përgjigjes elektronike të ruajtur te “Dokumentet e mia” në “e-Albania”, ose me njoftimin e arsyes së refuzimit.

(GazetaShqiptare)

Etiketa: