NGA: ORNELA MANJANI*
Qeveria ka dorëzuar për shqyrtim në Par lament një projektligj për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme. Sipas tij çdo person që ka një pronë të paluajtshme në rast se aplikon për rivlerësimin e saj deri në 28 shkurt të vitit të ardhëm tatimi mbi të ardhurat në rast se shitet kjo pronë do të zbresë në 2 % nga 15 % që e parashikon ligji. Kështu për shembull në rast se një shtëpi në vitin 2005 e kishte vlerën 10 milionë lekë dhe sot kushton 15 milionë lekë, tatohet me 15 % vlera 5 milionë lekë. Ndërsa rivlerësimin e pronës vlera 5 milionë lekë do të tatohet vetëm 2 %.

PROJEKTLIGJI
Sipas draftit që është dorëzuar dje nga qeveria në Kuvend të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, kanë të drejtë që, nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri në datën 28 shkurt 2017, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Ky rivlerësim mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme nga institucionet përkatëse ose nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në rast se individi zgjedh që të bëjë rivlerësimin me një ekspert të licencuar, atëherë aplikimit të tij për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme i bashkëlidh edhe aktin e vlerësimit të ekspertit. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme llogaritin bazën e tatueshme, e cila llogaritet si diferenca ndërmjet vlerës së pasqyruar në akt ekspertim, por jo më e vogël se çmimet minimale fiskale dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi, si dhe tatimin që duhet të paguajë individi për ta regjistruar këtë rivlerësim.

Në rast se individi zgjedh që rivlerësimi të kryhet nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, me çmimet minimale fiskale në fuqi, atëherë ky fakt shprehet në formularin që i bashkëlidhet aplikimit të tij për rivlerësim. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme llogaritin bazën e tatueshme, e cila llogaritet si diferenca ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet minimale fiskale në fuqi dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi, si dhe tatimin që duhet të paguajë individi për ta regjistruar këtë rivlerësim. Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitjeje, atëherë, si vlerë regjistrimi, në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, konsiderohet vlera e çmimeve minimale fiskale në çastin e regjistrimit të aktit të fitimit të pronësisë. Tatimi që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi është 2% e bazës së tatueshme.

Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, në zbatim të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, të bërë pas rivlerësimit, tatimi llogaritet sipas normave në fuqi mbi fitimin e realizuar, si diferencë e vlerës, në momentin e kalimit të së drejtës së pronësisë, me vlerën e rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi. BIZNESET Personat juridikë, të cilët kanë të regjistruar në pasqyrat e tyre financiare pasuri të paluajtshme me vlerë më të vogël se ajo e tregut, kanë të drejtë të bëjnë, brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji, rivlerësimin me vlerën e tregut të këtyre pasurive. Rivlerësimi me vlerën e tregut bëhet nga ekspertë të pavarur, të licencuar për vlerësimin e pasurisë nga institucionet përkatëse. Diferenca nga vlera kontabël, e regjistruar në pasqyrat financiare, me vlerën që rezulton nga rivlerësimi, pasqyrohet në pasqyrat financiare të vitit 2016. Personat juridikë, për këtë rivlerësim, paguajnë 3 % të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar, për pasuritë e paluajtshme. Për qëllime të zbatimit të këtij neni, personi juridik mban një kartelë të pasurisë së paluajtshme, ku evidenton vlerën përkatëse të pasurisë së paluajtshme që nga momenti i njohjes fillestare të aktivit dhe tatimin përkatës, të paguar sipas legjislacionit në fuqi.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb