SHKUP- Gjykata Administrative ka pranuar ankesat e parashtruara nga opozita maqedonase për parregullsi gjatë procesit zgjedhor dhe, rrjedhimisht, do të shkohet në rivotim në njësinë numër 6.
Por, pavarësisht vendimit, janë pikërisht partitë politike shqiptare që do të vendosin se cili opsion politik nga pala maqedonase VMRO DPMNE e Nikolla Gruevskit me 51 mandate të fituara apo Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë e Zoran Zaevit me 49 mandate, do të formojë qeverinë e ardhshme.
Partitë shqiptare madje nëse vendosin të mos e mbështesin asnjërin opsion pikërisht do të jenë faktorë që krijojnë hapësirë që vendin ta çojnë sërish në zgjedhje. Në një rast tjetër mund të imponojnë formimin e një qeverie në nivel ekspertësh me mandat që të zhbllokojë procesin integrues, realizojë reformat në sistemin e drejtësisë dhe media, si dhe avancojë të drejtat e shqiptarëve.
Njohës të çështjeve politike, thonë se tani më shumë se kurrëë është “momenti që liderët politikë shqiptarë të arrijnë ujdi për të folur me një zë të unifikuar kundrejt palës maqedonase në funksion të realizmit të interesave të shqiptarëve të Maqedonisë”.
Partitë shqiptare të cilat fituan mandate në zgjedhjet e parakohshme parlamentare: BDI 10 mandate, Rilindja me Besë 5 mandate, Aleanca për Shqiptarët 3 mandate, dhe Partia Demokratike Shqiptare 2 mandate, zyrtarisht thonë se nuk janë duke zhvilluar bisedime për koalicionet të mundshme rreth formimit të qeverisë së re të Maqedonisë, deri kur të kumtohet rezultati përfundimtar nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit.
(el.sp/BalkanWeb)