Teatër, muzikë, balet në një vend mistik tepër origjinal siç është Fontana në qytetin antik të Orikut. Pjesëmarrja e madhe e njerëzve si rrallë herë kishte mbushur parkun arkeologjik të Orikut nën tinguj e muzikës dhe e cila depërtonte në natyrë si në një atmosferë të një periudhë të lashtë.

Aktori i njohur Alexandros Memetaj lindur në Vlorë i cili jeton në Itali me natyralitetin e tij interpretoi një monolog të krijuar prej tij, të cilin ua dedikon të gjitha nënave shqiptare, muzika e krijuar për këtë event nga Kompozitori Aulon Naçi i cili është dhe ideatori dhe Drejtori Artistik i eventit i ngjizej harmonisë se natyrës dhe lëvizjeve brilante të balerinit Errik Nour, i cili i ardhur nga vendi fqinj Greqia performoi për herë të parë në vendlindje.

Regjisori Neritan Mehmetaj i cili kishte organizuar dhe realizuar në detaj skenat e monologut së bashku me ndërthurjet muzikore u shpreh se një event i tillë është i rralle për vendin e bukur të Orikut.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Muzikantët e talentuar Ardita Bufaj pianistja e mirënjohur vlonjatë së bashku me kuartetin e harqeve i përbërë nga Dejon Bendaj, Vilson Guri, Albana Kola dhe Enea Nushi, fizarmonikë Elton Balla, perkusion Mirjan Sulovari i dhanë skenës një atmosferë tepër origjinale duke bërë së bashku artin e bukur të muzikës, teatrin baletin.

“Kërkova këtë ndërthurje dhe këtë ide, një ‘dialog’ zhanresh, i bindur dhe i ndërgjegjshëm për vështirësitë jo vetëm teknike, por filozofike dhe ekzistenciale që sjell ndërmarrja e një tentative të tillë në Art”, thotë kompozitori Aulon Naçi edhe drejtor Artistik i mbrëmjes.

“Doja të bëja bashkë fjalorë të ndryshëm të artit në një kontekst natyral, në qytetin tonë, duke lënë të bashkëbisedojnë jo vetëm zhanret më njeri tjetrin, por dhe artistët individualisht, duke njohur identitetin, karakterin artistik dhe nivelin e tyre”, vazhdon Auloni.

Tema e kësaj mbrëmjeje është ajo e “nënës” shqiptare, por dhe metaforë e vendit dhe qytetit. Fjalët e Aleksandros Memetaj shprehin në skenë kalimin nga “nëna” biologjike, tek “nëna” shoqërore; qytetin njohur si nënë me krahët hapur dhe gjirin e saj të gjerë që veç ka pritur e mbrojtur qysh prej historisë, që duket sikur kërkojnë ta kthejnë në një “njerkë” dhe që bën të vuajnë bijtë e ndjeshëm të saj.

Po ashtu dhe skenografja Realda Malo me skenografinë minimaliste e përshtatur për ambientin u shpreh se ishte një ndjesi e veçantë ndërthurja e natyrës me artet së bashku. Koncerti u zhvillua nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë me mbështetjen e Bashkisë Vlorë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb