TIRANE-Aktori i njohur Robert Ndrenika i ka tejkaluar me sukses ndërhyrjet kirurgjikale në zemër. Ai iu është nënshtruar tri by-passeve në pavijonin e Kardiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë. I operuar nga mjeku i njohur, nga prof. dr. Ali Refatllari, “Artisti i Merituar” dhe “Artisti i Popullit”, gjendet aktualisht në reanimacion. Sipas së bijës, Diana Ndrenika, aktori është tashmë në gjendje më të mirë, nën kujdesin e mjekëve, ndërsa ende nuk dihet kur do të dalë nga spitali. “Babai ka kaluar tri by-passe. Është më mirë tani, dhe ka kaluar në reanimacion. Mund të rrijë në spital edhe një javë, megjithatë ende nuk e dimë se kur do të dalë”, – tha dje për “GSH” Diana Ndrenika.

Pak ditë më parë, ai festoi 73-vjetorin e lindjes, ndërsa për shkak të sëmundjes së tij, Teatri Kombëtar shtyu premierën e “Tartufit”, që do të vihej në skenë fundjavën e shkuar. Ai është një ndër aktorët me më shumë role në teatër e film. Ka interpretuar në pjesët: “Ura” e Minush Jeros, “Prefekti” i Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës, “Midis dy njerëzve” e Kiço Blushit, “Skënderbeu” i Lec Shllakut, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë, “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, “Fytyra e dytë” dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, dhe në filmat “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Kapedani”, “Shtigje lufte”, “Në shtëpinë tonë”, “Koncert në vitin 1936” dhe “Bolero”.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: