NGA ZONJA VJOLLCA*

2 patëllxhanë të mëdhenj
250 gr gjizë pa kripë
2 thelpinj hudhër
150 gr djathë mocarela
50 gr djathë parmixhano
1 kokërr vezë
400 ml salcë domate
Gjethe borziloku
Kripë
Piper i zi
Vaj ulliri

Fillimisht përgatisim mbushjen duke vendosur në një tas gjizën, mocarelën të grirë në rende, 20 gr djathë parmixhano, një kokërr vezë, 4-5 gjethe borziloku të grirë, kripë, piper të zi. I përziejmë mirë dhe i lëmë për pak minuta që të marrin shijen e njëra tjetrës. Ndërkohë presim patëllxhanët në feta horizontalisht, i lyejmë fetat me pak vaj ulliri nga të dy anët dhe i pjekim në një tigan zgare. Më pas në çdo fetë vendosim nga një lugë gjelle mbushje, i rrotullojmë duke filluar nga pjesa më e gjerë e fetës tek më e ngushta. Kështu vazhdojmë me të gjithë patëllxhanët dhe i vendosim në furrë në temperaturën 180 gradë Celsius për 15 minuta. Ndërkohë përgatisim salcën duke kaurdisur në një tigan të thellë 2 thelpinj hudhër me 2 lugë gjelle vaj ulliri. Sapo hudhrat të ndyshojnë pak ngjyrë shtojmë salcën e domates dhe e lëmë të ziejë për 5 minuta. Në fund e rregullojmë me kripë, piper, rigon dhe pak gjethe borziloku. Vendosim disa lugë salcë në pjatën e servirjes duke vendosur mbi të roletë e patëllxhanëve të spërkatura me pak djathë parmixhano.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb