Ndërsa orët kalojnë rrethi i të përfshirëve në supergrabitjen e Rinasit sa vjen e bëhet më i madh. Përveç 4 të ndaluarve që po merren në pyetje “BalkanWeb” mëson se dyshohet të jenë edhe të paktën 4 persona të tjerë që kanë ndihmuar në organizimin e saj.
Gazetarja Klodiana Lala ka zbërthyer për “BalkanWeb” edhe rolin që kishin 4 të ndaluarit Alkond Bengasi, Renaldo Sula, Oltjan Veseli dhe Saimir Çela.
Dy prej të ndaluarve, dyshohet të kenë punuar për modifikimin e furgonit me të cilin u krye supergrabitja. Ata e kanë modifikuar në pjesën e përparme dhe i kanë ndryshuar ngjyrën, e kanë lyer me të bardhë si dhe i kanë vënë mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.
Dy personat e tjerë Oltjon Veseli nga Fushë Kruja mësohet të ketë ndihmuar grabitësit të largohen nga vendi i ngjarjes me një furgon të dytë. Po ashtu edhe personi i katërt i përfshirë në grabitje është nga Fushë Kruja dhe dyshohet të ketë ndihmuar në grabitje.
Një nga të rejat e tjera të zbuluara është fakti se është kërkuar ndihmë nga autoritetet greke dhe ato kosovare pasi dyshimet janë se lëvizte mes Tiranës e Prishtinës dhe kthehej në një bazë në Elbasan dhe një tjetër në Tiranë, diku në zonën e Freskut.
Pritet po ashtu me interes, zbardhja e dëshmisë së të ndaluarve, se kush ua solli furgonin për modifikim? Si u punësuan disa prej tyre në këtë servis? Pasi ka pasur të shoqëruar edhe persona të tjerë, të afërm të Klement Çalës që janë marrë në pyetje.
(m.a/BalkanWeb)