Roma e ka seriozisht për Davide Frattesin. Pavarësisht deklaratave mohuese të Presidentit të Interit, Beppe Marotta përpara sfidës ndaj Venezias, mediat italiane flasin për mesfushorin e Interit, që nuk është i kënaqur me minutazhin e pakët, që tekniku Inzaghi i rezervon, ndaj në këtë mënyrë Roma është e gatshme të përfitojë. 40 milionët që Inter kërkon për mesfushorin e “azzurrëve” për momentin janë një shifër e pabërballueshme për klubin roman, që megjithatë nuk dorëzohet.
Kryeqytetasit kanë gati planin B për të bindur drejtuesit e klubit zikaltër. Mesfushori i verdhekuqve Bryan Cristante mund të përfshihet në tratativë, me qëllim për të ulur sadopak vlerën cash që kryeqytetasit duhet të paguajnë për Frattesin.
Për momentin pista duket më shumë se e komplikuar, por në të tilla raste influencon shumë edhe dëshira e vetë lojtarit, që sipas mediave italiane është ajo për t’u larguar nga klubi i Interit.