Ekipi i Romës kaloi një javë shumë të vështirë, ku tensioni brenda dhe jashtë klubit kryeqytetas ishte shumë i lartë. Shkarkimi i trajnerit Daniele De Rossi gjatë javës së shkuar dhe së fundmi edhe i CEO Lina Souloukul, ka çuar në bankën e të akuzuarve sipas tifozëve romanë presidencën e klubit. Ultrasit e Romës madje e përshkallëzuan protestën e tyre, teksa në ndeshjen ndaj Udineses, së vlefshme për javën e 5-të të Serie A qëndruan jashtë stadiumit për 30 minuta.
Megjithatë për të qetësuar “ujërat” menduan lojtarët e klubit verdhekuq si dhe trajneri i ri Juriç, të cilët “përgjigjen” e tyre e dhanë në fushë teksa Roma fitoi pastër 3-0 në Olimpico ndaj Udineses. Dovybyk, Dybala me 11 metërsh dhe Baldanzi ishin autorët e golave, të cilët i dhuruan edhe fitoren e parë këtë kampionat skuadrës së Romës. Një fitore që mund të shërbejë shumë edhe për të ç’tensionuar situatën dhe rivendosur “paqen” mes drejtueseve dhe tifozerisë.
Fitore shumë e rëndësishme ndërkohë edhe për Fiorentinën e Rafaele Palladinos, e cila në Firence mposhti 2-1 skuadrën tjetër kryeqytetase Lazion. Një sukses me përmbysje për “Vjollcët”, pasi në pjesën e parë ishte Lazio që kaloi në avantazh me anetë të mbrojtësit spanjoll Gila.
Pjesa e dytë foli vetëm për vendasit, të cilët rritën ndjeshëm nivelin e lojës dhe shtuan presingun te porta kundërshtare. Megjithatë të dy golat që përmbysën rezultatin erdhën në sajë të dy gabimeve të lojtarëve lacialë të cilët shkaktuan dy 11 metërsha. Nga pika e penalltisë gjakftohtë në të dyja rastet u tregua sulmuesi islandez Gudmundsson, i cili realizoi 2 golat e tij të parë me fanellën e Fiorentinës, pas kalimit këtë verë nga Genoa. Një fitore që e ngjit skuadrën e Palladinos në mesin e tabelës me 6 pikë, një pikë më pak se sa Lazio.