ITALI- Skena si në filmat aksion kanë ndodhur mbrëmë dje në Tor Vergata në rrugën “Mussomeli” në Romë. Jemi mësuar që zakonisht të dëgjojmë për shqiptarët si keqbërës, por kësaj radhe ka ndodhur ndryshe. Në Tor Vergata është qëlluar me armë zjarri ndaj një grupi prej 4 të rinjsh shqiptarë.

Autorët e të shtënave janë identifikuar menjëherë dhe janë arrestuar nga karabinierët e stacionit të Tor Vergata dhe nga kompania e Frascatit.

Bëhet fjalë për 3 italianë romë, 23, 31 dhe 58 vjeç, të cilët janë ndaluar të gjithë me akuzën për vrasjeje dhe grabitje të mbetur në tentativë.

Karabinierët kanë marrë dëshminë e 4 shqiptarëve, të cilët kanë treguar se “për t’i shpëtuar plumbave kanë hyrë në një bar të zonës”. Të tre autorët sipas dëshmitarëve ishin larguar me shpejtësi me një automjet tip “Nissan Micra”.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë, policia ka mbërritur tek targat e automjetit dhe më pas tek tre autorët e krimit, të cilët qëndronin në disa rulotë në zonë.

Gjatë kontrollit në strehimet e tyre janë gjetur edhe tabela dhe sinjalistika të forcave të rendit, një pllakë metalike me simbolin e karabinierëve, 4 targa makinash që rezultonin të vjedhura, bereta dhe veshje të mbajtura gjatë tentativës së vrasjes.

Makina e përdorur nga të tre ishte braktisur në parkingun e një supermarketi në një rrugë tjetër në Torrenova, ku është gjetur dhe sekuestruar nga policia.

Të tre sipas karabinierëve, pak orë para ngjarjes në Tor Vergata kishin pasur një episod të ngjashëm në një tjetër rrugë. Gjithmonë me “Nissan Micra”, pasi i ishin ngjitur një automjeti tjetër kishin kërcënuar shoferin që të ndalonte, por ai i trembur i ka dhënë më shumë gaz makinës dhe nuk ka ndaluar.

Në atë pikë, tre burrat e kishin ndjekur dhe ndërsa njëri prej tyre i kishte nxjerrë tabelën e karabinierëve, një tjetër kishte qëlluar me pistoletë tek parakolpi i makinës, fatmirësisht pa e plagosur dhe më pas ishin zhdukur.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb