NGA OLA MITRE

TIRANE-
Rreth 60 familje të ko munitetit rom dhe egjiptian, që jetojnë në baraka në zonën e Shkozës, i kërkojnë kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj t’i vizitojë nga afër e të njihet konkretisht me problemet që hasin çdo ditë. Përmes një letre, dërguar në Ditën Ndërkombëtarëve të Romëve, ata e vënë theksin te strehimi, ndërsa i kujtojnë kryebashkiakut se prej 2 muajsh vuajnë mungesën e energjisë elektrike. “Në këtë zonë ne jemi rreth 60 familje rome dhe egjiptiane, të cilët përballen me sfidat sociale siç janë: Papunësia, arsimimi, strehimi dhe prej dy muaj jemi në errësirë për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Papunësia është në nivele të larta, gjë që na vështirëson edhe më shumë jetesën, por problemi ynë më madhor dhe jetik mbetet strehimi. Prej vitesh jetojmë në baraka, pranë banesave sociale, ku për shkak të kritereve ligjore ne nuk mund të përfitojmë një strehim minimal për të jetuar. Ne ju ftojmë që ju vetë të vini në komunitet, të njiheni drejtpërdrejt dhe konkretisht me problemet e të merrni parasysh specifikën e hallit tonë”,-thuhet në kërkesën e banorëve.

KRYEBASHKIAKU

Ndërkaq, Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, Veliaj ka theksuar se gjetja e zgjidhjeve për strehimin e komunitetit rom mbeten ndër objektivat kryesore të Bashkisë së Tiranës. Ai inspektoi nga afër punën që po bëhet për ngritjen e parkut të rulove për banorët e komunitetit rom, të cilët u përmbytën gjatë shirave të muajit janar në Bregun e Lumit. Sipas tij, falë punës dhe angazhimit edhe të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, një pjesë e komunitetit rom do kenë tashmë një strehë të përhershme ku do mund të jetojnë.

“Më vjen mirë që në një situatë, e cila me shirat e fundit u bë dramatike, ku shumë anëtarë të komunitetit rom ishin vurnerabël prej përmbytjeve dhe u strehuan në këto kapanone për çështje të emergjencës, sot kanë një shtëpizë të vogël, modeste, por të sigurt, të ngrohtë, jashtë të gjitha rreziqeve që mund të sjellë moti e natyra. Besoj se tani, hapësirat që u përdorën për emergjencat, mund t’i kemi për çdo situatë tjetër”,- tha Veliaj. Ndërkohë që, sipas Ened Mato, ideatorit të projektit të rulove, “parku, përveç zgjidhjes së problemit të strehimit, reflekton dashuri edhe për mjedisin përreth”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: