TIRANE- Për të “festuar” 8 prillin, Ditën Ndërkombëtare të Popullit Rom, disa familje që i përkasin këtij komuniteti, bashkë me aktivistët, kishin menduar të organizonin përpara Kryeministrisë një ndeshje futbolli me institucionet shtetërore, për të shprehur në mënyrë simbolike sfidat dhe vështirësitë që hasin çdo ditë. Por ndeshja nuk është zhvilluar, pasi policia nuk u ka dhënë lejen përkatëse e për pasojë aktiviteti është zhvilluar në një ambient tjetër, shumë pranë Kryeministrisë. Sipas aktivistëve romë, shkak për mosdhënien e lejes është bërë “papranueshmëria për të ironizuar pushtetarët tanë”.

Ndërkaq, në ndeshjen e zhvilluar në ambientin tjetër, njëra skuadër përfaqësoi institucionet dhe tjetra të varfrin, të diskriminuarin, të paarsimuarin dhe njeriun e papushtetshëm, i cili lufton për të kërkuar të drejtat e mohuara. Topi i futbollit përmblidhte të gjitha problemet: papunësinë, arsimimin, strehimin, diskriminimin dhe shumë të tjera. Në rolin e ndërkombëtarëve ishte gjyqtari, i cili nuk i dha asnjëherë të drejtë skuadrës së qytetarëve, paçka ndërhyrjeve të padrejta të skuadrës së institucioneve.

(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: