ITALI

Për sa ka treguar deri në këtë moment te Juventusi, ndoshta për antitifozët bardhezinj apo për dikë tjetër që nuk e simpatizon, Kristiano Ronaldo nuk është më ai i Realit të Madridit. Dhe është e drejtë që kushdo mund të ketë dhe të mbrojë mendimin personal.

Madje, ka shumë zëra, edhe të figurave si presidenti i Bajernit të Mynihut, Uli Hënes, që nuk humbin rast së nënvizuari se “100 milionë euro për një 33-vjeçar janë një çmenduri”, por shifrat e vendosura te “Zonja e Vjetër” deri në këtë moment tregojnë se Ronaldo vlen të gjithë “arin” që u pagua për të. Mund të jetë një rastësi, por fakt është se portugezi përndiqet nga numrat jubilarë, nga rekordet, duke qenë se penalltia e transformuar ndaj Torinos dhe që vlejti tri pikët ishte goli i 5000 në Serinë A për Juventusin, shifër që asnjë skuadër tjetër nuk e ka arritur në Itali.

Dhe duke mbetur te pikët, me 46 të tilla pas 16 ndeshjesh në kampionat është një barazim i rekordit europian, i vendosur nga Barcelona në sezonin 2012-2013, si dhe nga Mançester Siti në 2017- 2018-ën. Dhe sërish, nëse për shumë ky Ronaldo nuk shkëlqen dhe nuk mahnit aq shumë sa në kohët e arta të Realit, te Juventusi janë më shumë sesa të lumtur me atë, pasi ai që pas derbit u përkufizua si “CR5000”, deri tani ka treguar se i vetëm vlen sa gjysma e Juventusit.

Arsyeja? 11 gola në kampionat dhe 5 asiste, e përkthyer në shifra të tjera, 16 herë protagonist për golat e “Zonjës së Vjetër”, ose shkurt ka qenë aktiv në 49 për qind të golave të skuadrës, deri në këtë fazë të kampionatit. Dhe si me magji, në debutimin e bërë në derbin e Torinos, diti që të jetë menjëherë protagonist, siç ka bërë në aventurat e tij të mëparshme në Portugali me Sportingun, në Angli me Mançester Junajtid dhe në Spanjë me Realin e Madridit.

DERBET NË KARRIERË

E nisi me një humbje në Portugali, ndërkohë vendosi suksesin e fundit të Juventusit. Gjithsesi, nëse deri në këtë fazë të sezonit shifrat e mësipërme nënvizonin se Kristiano Ronaldo kishte qenë protagonist në 49 për qind të golave të bardhezinjve, në karrierë shifra e sukseseve të tij në derbit e luajtur në karrierë është edhe më e lartë, 52 për qind (23 fitore) pas 44 sfidash.

Siç e thamë, në BenfikaSporting në vendlindje, ai u dënua me një humbje, edhe duke mos shënuar, por ndërkohë me kalimin në Mançester, te Junajtid, gjërat nisën që të shkonin shumë herë më mirë. Me “djajtë e kuq”, bilanci flet për 11 takime kundër Mançester Sitit (10 në kampionat, 1 në “FA Cup”), në të cilat ka regjistruar 7 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje, duke shënuar 4 gola dhe dhuruar dy asiste. Gola të bukur dhe disa decizivë, si ai i realizuar në Premier Ligë, në sezonin 2006-2007, në “Etihad” (0- 1 në favor të “Djajve të kuq”) dhe ai në “Old Trafford” në suksesin 2-0 të 10 majit 2009, derbi i fundit në Mançester, i luajtur nga CR7.

Në verën e vitit 2009, Kristiano Ronaldo transferohet te Reali i Madridit, ku në nënte vite është përplasur 31 herë me Atletikon: 16 herë në kampionat, 6 në Ligën e Kampioneve (përfshirë edhe dy finalet), 7 herë në Kupën e Mbretit dhe 2 herë në Superkupën e Spanjës. Bilanci i buzëqesh edhe një herë CR7-ës: 15 fitore, 8 barazime dhe 8 humbje, me 22 gola të shënuar dhe 8 asiste, shkurt një makth për “colchoneros”.

Dhe në fund derbi i Torinos, i luajtur jo në mënyrë mahnitëse, por gjithsesi deciziv, duke goditur saktë penalltinë e tretë në Serinë A, por në të njëjtën kohë edhe me një festim paksa thumbues, duke kërkuar fërkimin me trup, ndonëse në mënyrë të qeshur, me portierin kundërshtar, i cili i kushtoi edhe kartonin e verdhë. Dhe për ta mbyllur me ndëshkimet, derbit gjithmonë janë të nxehtë për Ronaldon, duke qenë se në to e ka parë veten të ndëshkuar 4 herë në duelet në Mançester dhe 22 herë në sfidat e luajtura në Madrid/PanoramaSport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: