“E njoh trupin tim. E di se çfarë shqetësimi dhe dëmtimi mund të kem pësuar në një fraksion sekonde. Prandaj, qëndroni të qetë, maksimumi brenda dy javëve do të jem në fushë, por ndoshta edhe shumë më shpejt”. Me këto fjalë, “roboti” Kristiano Ronaldo bëri autodiagnozën pas problemit që hasi në eliminatoren e barazuar të hënën në mbrëmje, kundër Serbisë. Sulmuesi i Juventusit në një sprint e sipër ndjeu një tërheqje në minutën e 30-të dhe kërkoi menjëherë zëvendësimin, duke u akomoduar në pankinë. Sigurisht që alarmi në radhët e bardhezinjve ishte i menjëhershëm, por 34-vjeçari edhe pas konsultimit me mjekët ka siguruar klubin torinez se nuk është asgjë serioze.

Për të konfirmuar se asgjë nuk është serioze, ai mori edhe një ditë më shumë leje nga Juventusi, duke qëndruar në Lisbonë, në shoqërinë e të fejuarës Xheorxhina, në një prej dhomave të hotelit të tij, që mbajnë të njëjtin emër, edhe pse në mëngjes iu nënshtrua disa vizitave më të imtësishme, diagnoza e të cilave konfirmoi atë që Ronaldo nënvizoi menjëherë pas ndeshjes me Serbinë: “Një tërheqje modeste në muskujt e kofshës së djathtë. Gjithsesi, situata do të monitorohet edhe në ditët në vazhdim”, ishte shpjegimi i diagnozës nga ana e klubit të Juventusit, ndonëse nuk specifikohen kohë për rikuperimin. Dhe si rrjedhojë, u duhen besuar fjalëve që shprehu vetë “jashtëtokësori” bardhezi.

MAKINERI E PATHYESHME Nëse e thotë Ronaldo, i duhet besuar, sepse në një analizim të dëmtimeve të portugezit, sidomos në dy vitet e fundit ku ai ishte protagonist absolut me fitoren e 3 Champions-ave radhazi, të dhënat konfirmojnë realisht se ai është një makineri e pathyeshme. Sipas të dhënave të grumbulluara, CR7 nuk ka munguar më shumë se 7 ditë, duke nisur nga nëntori i vitit 2016. Kristiano gjatë kësaj periudhe ka pësuar një tërheqje në kofshën e majtë (7 ditë pushim); hematomë në kockën e sipërme të këmbës së majtë (4 ditë pushim); ndrydhje të kaviljes së majtë (7 ditë pushim); tërheqje të muskulit të pulpës së majtë (3 ditë pushim) dhe një frakturë të dorës së djathtë (4 ditë pushim).

ronaldo

Dhe duke parë se edhe gjatë sfidës me Serbinë bëhet fjalë për një tërheqje në muskujt e kofshës, te Juventusi mund të qëndrojnë të qetë, duke qenë se për një problem të tillë, duke qenë se edhe tërheqja është specifikuar si modeste, Ronaldo pritet të jetë normalisht në fushë për çerekfinalen e vajtjes së Ligës së Kampionëve, më 10 prill kundër Ajaksit. Por edhe sikur të shkojmë edhe më thellë në të kaluarën e futbollistit, mes viteve të Mançester Junajtid dhe të Realit të Madridit (përpara dëmtimeve të specifikuara më lart që ka pësuar në 2 vite e gjysmë së fundmi), rekordmeni i golave në Champions nuk ka qëndruar jashtë fushave asnjëherë më shumë se dy javë. Qëndrimi i tij më i gjatë në shtratin e infermierisë ka qenë prej 15 ditësh dhe më pas sërish në stërvitje e në fushë.

MILANI “LUTET” CR7 sigurisht që do të mungojë në ndeshjen e radhës në kampionat, të shtunën kundër Empolit, e planifikuar për t’u zhvilluar në “Allianz Stadium”, në orën 18:00. Të martën, në turin e mesjavës së 2 prillit në Serinë A, Kristiano me 99 për qind të mundësive do të kursehet gjithashtu nga trajneri Masimiliano Alegri, kur Juventusi do të jetë i impenjuar në transfertë ndaj Kaljarit. Kalendari i ndeshjeve për kampionët e Italisë në fuqi vazhdon me sfidën e 6 prillit në Torino, kur ai që do të bëjë vizitë do të jetë Milani i Xhenaro Gatuzos.

Nga dëmtimi i Ronaldos deri në duelin me kuqezinjtë do të kenë kaluar 12 pikë, por edhe pse bëhet fjalë për një ndeshje madhështore, stafi mjekësor dhe “Konti Maks” do të mendohen mirë për ta rrezikuar ose jo, duke qenë se ky duel paraprin çerekfinalen e vajtjes me Ajaksin në Ligën e Kampionëve. Sigurisht që për Milanin do të ishte një “ndihmë” që Ronaldo të mos ishte në fushë ndaj tyre, por deri atëherë, do të ketë kohë për vlerësime mbi “robotin” Kristiano Ronaldo./Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb