NGA FATMIRA NIKOLLI
Jam një mesogrua, e klasës së mesme, nga Perëndimi i Mesëm, e kolme, me ca fije të thinjura e shije të thjeshta. Më pëlqejnë kokoshkat me gjalpë, kikirikët me kripë dhe përsheshi me qumësht. Po jam një kuzhiniere e mrekullueshme kur gatuaj për të tjerët. Më pëlqen shumë t’i shoh të tjerët kur hanë gatimet e mia. I dua malet dhe detin, përveç oqeanit Atlantik, që është një oqean i mërzitshëm. E dua Çajkovskin, Epsteinin dhe primitivët italianë. Më pëlqen arkitektura arabe dhe mënyra e jetesës së muslimanëve.” Rose Wilder Lane e përshkruante veten me këto fjali në një shkrim të botuar më 1935 në “Saturday Evening Post”. Asokohe, ajo e njihte tashmë Shqipërinë dhe kish marrë prej saj gjithë ç’mund të merrte një grua, emocionet e joshjeve, të dhëna për artikujt e saj, kish mësuar si jetohej në një vend në këmbët e Ballkanit, i ngërthyer mes Lindjes e Perëndimit, e, mbi të gjitha, i pushtuar nga të katra anët prej kaosit.
Marrëdhënia e saj me Shqipërinë e shqiptarët vjen në librin “Rose Wilder Lane dhe shqiptarët”. Botimi i “UET-Press”, është mbështetur nga Ambasada e SHBA-ve, dhe sjell për lexuesit historinë e gazetares, shkrimtares e liberales amerikane, Rose Wilder Lane. Studiuesja Eleni Laperi ka rindërtuar udhëtimin e Lane në Shqipëri dhe e risjell atë nga kujtimet e shqiptarëve që e njohën nga afër. Sot nuk gjendet askush që ta mbajë mend këtë grua. Në kufijtë e “harresës” Eleni Laperi ka mundur të takojë një burrë nga Tirana që e kujtonte shumë mirë këtë grua që jetoi për dy vite në Tiranë. Hamit Shehri ishte i vetmi dëshmitar i gjallë që arriti t’i përcillte kujtimet e tij për Lane.

Gruaja e re nga Mensfilldi i Misurit, trupvogël, me flokë të shkurtër, energjike, e çlirë e plot ide, i la përshtypje të thellë e joshi jo vetëm një prej krerëve të Thethit, si Lulash Gjok Çuni, po edhe një ministër, që ëndërronte të bëhej mbret, si Ahmet Zogu, edhe një diplomat të ardhshëm, si Xhemil Dino.

Po Lane nuk mund t’i pranonte propozimet e tyre. Ajo kishte lënë shtëpinë e prindërve për të zbuluar lirinë, kish dalë nga shtëpia për të punuar dhe për të siguruar pavarësinë financiare. Ajo nuk mund të kthehej prapa, të jetonte nën hijen e një burri. Aq më pak, të bëhej një ditë “gruaja e dytë” e një beu.

Propozimi i Mbretit
Nisur nga një letër që Lane i dërgon së ëmës, shumëkush që ka shkruar për të dhe udhëtimin e saj në Shqipëri në 1922, përmend një propozim që Ahmet Zogu, mbreti i ardhshëm i shqiptarëve, i pati bërë për martesë. “Në letër, Lane, nuk e përmend emrin e Zogut, pasi shkruan se letrat mund të kontrollohen në Itali, nga kalonte posta për në Amerikë. Ajo i shkruan nënës se shumë gjëra emocionuese i kanë ndodhur në ato ditë, ndër to edhe një propozim për martesë nga një ‘princ’, si e përkthen ajo titullin ‘bej’. ‘Të gjithë e njohin emrin e familjes së tij dhe më e bukura është se ai e ka një grua, është i fejuar, ndonëse ai nuk e di që unë e di. Por ai është muhamedan, pra, propozimi është krejt i rregullt” – shënon në libër Eleni Laperi. Lane nuk kishte pranuar të ishte Zonja numër dy. Atëherë Zogu i pati kërkuar t’i falte shaminë e saj. Në Budapest ajo dhe Pegi kishin blerë disa duzina me shami pambuku: Lane i kishte blerë blu, ndërsa Pegi të verdha. Lane rastisi të kishte me vete një shami të verdhë të Pegit, që, si shkruan ajo, ia fali Ahmet Zogut. Susan Albert në librin e saj “A Wild Rose”, shkruan: “… mbase kjo ishte, thjesht, një histori imagjinare, që ajo e sajoi për të dëfryer mama Besin dhe mikeshat e saj të Mensfilldit”. “Duke ditur se Ahmet Zogu ishte edukuar në oborrin e sulltan Abdyl Hamidit, ku, si thotë edhe Lane, – ata mësonin çdo gjë për gratë, po asgjë për vendin e tyre – duke ditur historitë e tij të shumta me gra të ndryshme, nuk do habitesha nëse ai vërtet do kishte provuar të flirtonte me gruan e re amerikane që të shihte drejt në sy kur të fliste e të shtrëngonte dorën fort si burrat”, shkruan Eleni Laperi, autore e “Rose Wilder Lane dhe shqiptarët”. Lane gjithë jetën ruajti një simpati për Ahmet Zogun, edhe pse nuk mënonte të vinte në dukje të metat dhe gabimet e tij.

“Serenatë” në Shqipërinë e 1922
“Nuk ka kuptim t’ju pyes nëse do ta donit apo jo si dhëndër një bej shqiptar, pasi këto ditë do më duhet të vendos për këtë gjë. Sapo Pegi të bëjë fotografitë në Malësi, do na duhet ose të nisemi për në Kostandinopojë, ose të mblidhemi për dasmën. Unë as që e kam idenë sesi është ceremonia e një dasme muslimane”. – Kjo letër që Lane i shkruante së ëmës, Besit, tregon mëdyshjen e saj nëse duhej të martohej me një shqiptar. Nuk ishte një shqiptar i çfarëdoshëm, ishte një bej, Xhemil Bej Dino. Më 1922, kur kaosi bënte që plumbat t’u kalonin fare pranë mureve të dhomave të selisë së Kryqit të Kuq, Lane do të merrte një propozim për martesë. Dino atëkohë ishte sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme. “‘Roz ishte pak a shumë e shkurtër, e kolme, kishte zë të këndshëm dhe një mendje të mprehtë si brisk’, thotë Ellen Boillstwn në një intervistë të gushtit të vitit 1981 dhënë William Anderson-it”, – shkruan Eleni Laperi. E, paçka postit që mbante, Xhemil Dino i avitej selisë së Kryqit të Kuq, ku Roz qe vendosur. Mund ta mendoni atë sekretar të Ministrisë së Jashtme që i “bënte serenatë” bashkë me ministrin e Punëve Botore, Spiro Koleka, gruas amerikane. “Koleka ishte shtatvogël dhe nervoz. Ajo e krahason me një lepur, për ta këshilluar të mos dilte në rrugë e të ruhej nga plumbat, apo për ta shoqëruar në shëtitjet nëpër qytet”, – thotë Laperi.

Një ditë, gjatë një bisede për “sqimën e dashurisë”, Dino i kishte thënë se ishte shumë i palumtur, pasi ajo ia kishte thyer zemrën. Në një letër të mëparshme, Lane u kishte thënë prindërve se mund të martohej me atë burrë simpatik, për të cilin mendonte se do shkonte larg në fushën e diplomacisë. “Beu im”, siç e quan ajo Xhemil Dinon, fliste shkëlqyeshëm anglisht dhe frëngjisht. Ata rrinin shumë kohë bashkë: ajo duke gjuajtur fakte për një artikull mbi Shqipërinë për “Harper’s”, ai duke u përpjekur me shkathtësi t’ia fshihte faktet.

“…Pyes veten, çfarë do të ndodhte po të martohesha me një bej shqiptar”, u shkruan Lane prindërve. Pegi e kishte nxitur të pranonte. I kishte thënë: ‘Pse të mos bësh një koleksion me një titull, me një emër të ri e me një djalosh të këndshëm’. Po flirti nuk përfundoi në martesë. Katër vite më pas, kur gazetarja erdhi përsëri në Shqipëri me mendimin se do rrinte përgjithnjë, Xhemil Dino, tashmë i martuar, me nota romantike në zërin e tij, ia kujtoi se sa ndryshe do kishte qenë jeta e tyre, sikur ato ditë të vitit 1922 ajo të kishte pranuar propozimin e tij.

Laperi shkruan se megjithëse Lane ia tregon me ironi këtë fakt një mikut të saj, ajo, ndoshta, mbeti e mikluar nga sjellja e tij lajkatuese, se, më vonë, shkroi edhe një libër me titullin “Romancë”, personazh kryesor i të cilit është Xhemil beu. Librin nuk e botoi kurrë, po, në tregimin “Ruaza blu”, gjejmë detaje nga mënyra si silleshin me gratë burrat dhe personazhet e politikës shqiptare të atyre viteve.
“Nëse historitë shqiptare që ajo i tregonte nënës së saj kanë frymë tepër romantike, Lane është shumë realiste e nuk e tepron aspak kur shkruan se në Shqipëri ajo dhe shoqet e saj u pritën si princesha. Kjo ishte e vërtetë. E kanë pohuar edhe gra të tjera të huaja, të cilat kanë udhëtuar ato vite nëpër Shqipëri, ku burrat malësorë uleshin në gjunjë e u zgjidhnin lidhëset e opingave”, – thotë Laperi.

Në Tiranë trazirat zgjatën derisa Xhemil Dino, sipas fjalëve të tij, i telefonoi ambasadorit britanik në Durrës, i cili ishte mik personal i Elez Isufit, me shpresën se duke nisur bisedimet për paqen me Isufin, mbështetësit e qeverisë do kishin kohë të vinin në mbështetje të trupave të saj, për të ndaluar një sulm të dytë mbi Tiranën. Në më pak se dhjetë ditë, ashtu si i kishte thënë edhe Zogu kur e priti në zyrën e tij, çdo gjë u normalizua. Ajo mund të udhëtonte nëpër Shqipëri.
Udhëtimi në Matin – Emadhian e dikurshme, u zgjat deri në Bulqizën e shpellave misterioze, vendi i dervishëve, të cilët shohin gjëra që të tjerët nuk i dallojnë e dëgjojnë zëra që të tjerët nuk i dëgjojnë…

Martesë me pagesë
Një tjetër propozim, krejt i çuditshëm, Lane do t’i vinte nga një malësor, që ishte funksionar i lartë në Ministrinë e Brendshme. Në udhëtimin e saj nga Shkodra në drejtim të Qafës së Bishkasit për në Malësinë e Shalës, Shoshit e Thethit, ajo qe shoqëruar nga disa xhandarë, nga Rrok Perrolli dhe nga Rexh Meta, një jetim i vogël refugjat kosovar, rreth 14 vjeç. Për këto personazhe, autorja e librit “Rose Wilder Lane”, Eleni Laperi sqaron: Rrok Perrolli në atë kohë ishte sekretar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe kishte marrë përsipër të ishte përkthyes dhe shoqëruesi i tyre, po edhe përfitonte nga rasti për të njohur qëndrimin e malësorëve të Dukagjinit ndaj vendimit të Qeverisë së Tiranës për të mbledhur armët e popullsisë. Vetë Lane ka thënë se Perrolli ishte bir i një tregtari nga Peja, një i ri pa telashe, flokëzi e syzi, i veshur me kostume të modës së fundit angleze; ishte shkolluar në Londër, Berlin e Paris dhe fliste shtatë gjuhë të huaja. Rruga e tyre nga Qafa e Bishkasit shkonte drejt Pultit, nëpër shtigje që mund t’i kaloje veç këmbadoras.
“Perrolli e mësoi Rozën të vepronte sipas zakonit shqiptar: edhe pse mund të ishte mjaft e uritur, duhej ta fshihte urinë e të hante ngadalë. Jo vetëm kaq; ata nuk duhej të hanin çdo gjë që u ishte shtruar përpara, sepse, pas tyre, në sofër do uleshin pjesëtarët e familjes: burra, fëmijë e gra”. Por, incidentet nuk do mungonin. Në mëngjes, kur një nga gratë e shtëpisë i pa tek lanin fytyrën e dhëmbët me nga një furçë, u ndie keq e u tha se shtëpia e tyre ishte e pastër e ata nuk kishin morra. Po gruas iu shpjegua se ashtu ishte zakoni amerikan, të laheshin çdo ditë, jo vetëm fytyrën e dhëmbët, po edhe trupin, edhe fëmijët….

Në 28 prill 1921, e shoqëruar nga Rrok Perrolli, ajo ndoqi edhe një mbledhje të Parlamentit shqiptar… Rrok Perrolli e ndihmonte si përkthyes dhe duke ia lehtësuar të kuptuarit e bisedave me sqarime të herëpashershme. Në bllokun e saj, në krye të shënimeve mbi një bisedë, ajo shkruan: “Shënimet e Rrokut”.
Mbas kësaj, Rose do t’i vinte një propozim i çuditshëm: Perrolli i tha Rose se ai do ishte i gatshëm të paguante njëzet mijë kruna për t’u martuar me të, pasi mendonte sa shumë mund ta ndihmonte ajo në përparimin e fisit të tij.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb