Odise Roshi më në fund ka zgjidhur të ardhmen e tij. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, i cili ishte kontaktuar nga disa klube të Superiores, do të jetë pjesë e Erzurumspor në edicionin e ri.
Disa probleme burokratike për klubin e kategorisë së dytë të turke kishin vonuar firmën me futbollistin, si dhe depozitimin e kontratës së tij. Por këto situata janë zgjidhur dhe Roshi, i cili ka qenë në pritje që nga fillimi i këtij muaji, mund të nisë punën me klubin e tij të ri, pas largimit nga Sakarjaspor.
Lojtari 33-vjeçar fierak kishte marrë oferta edhe nga klubet e Superiores si Partizani e Vllaznia, të cilat ishin të gatshme t’i ofronin atij mundësinë që në fundin e karrierës të luante në Shqipëri. Por Roshi ka vendosur të qëndrojë në Turqi, ku në vitet e fundit ka qenë protagonist me skuadrat e këtij vendi. Pritet që në orët në vijim, Erzurumspor të bëjë edhe zyrtarizimin e marrëveshjes me futbollistin e kombëtares shqiptare.