Incidenti mes Valentino Rossi-t dhe Marc Marquez në garën e fundit të Moto GP të zhvilluar në Argjentinë vijon të prodhojë shumë polemika. Piloti italian një ditë pas garës deklaroi se spanjolli i Honda-s është shumë i rrezikshëm dhe ndaj tij duhet të merren masa, pasi rrezikon jetën e pilotëve në gara.

Së fundmi ka ardhur reagimi i vetë pilotit spanjoll, Marc Marquez, i cili ka pranuar se ka gabuar në rastin në fjalë, por pavarësisht kësaj nuk do ta ndryshojë stilin e pilotimit.

“Nuk kam dëshirë të komentoj deklaratën e Rossit pas garës. Unë do të jem gjithnjë vetja ime, por duke respektuar rregullat. Unë mendoj se të gjithë pilotët kanë bërë gabime të tilla në karrierën e tyre dhe më pas kanë kërkuar ndjesë te rivalët”, tha Marquez.

Duke shpjeguar incidentin në pistë mes tij dhe Rossi, piloti spanjoll shprehet: “Unë rashë në një pellg me ujë, humba ekuilibrin dhe e preka Rossin. Bëra një gabim dhe u penalizova. Nëse kthejmë kokën pas, do të shihni që edhe Rossi ka bërë të tilla gjëra. E rëndësishme është që një njeri, pasi gabon, reflekton dhe mëson nga gabimet e bëra. të gjithë pilotët kanë qenë dikur 25, 22 apo 20 vjeç, euforikë në pistë, ashtu si Rossi. Kur hoqa kaskën pas garës, gjëja e parë që bëra ishte t’i kërkoja ndjesë. Bëra një gabim, si të gjithë, pasi garojmë në limitet tona. Megjithatë, unë nuk kam për ta ndryshuar stilin tim të pilotimit në pistë”, tha Marquez.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb