Edhe pse nën zë shpeshherë gjatë këtyre ditëve në Cërrik thuhej se do kishte rezistencë për mos lëshimin e zyrës së kryebashkiakut të LSI, te enjten është lënë të kuptohej se rotacioni do jetë pa asnjë lloj incidenti.


Në mesditë, në ambientet e shkollës 9 vjeçare “Aleks Buda” u konstituua këshilli bashkiak dhe u bë betimi i Kryetarit Andis Salla i dalë nga zgjedhjet e 30 Qershorit. Andis Salla, përfaqësues i PS sipas procedurës bëri betimin për të qeverisur në 4 vitet e ardhshme këtë bashki.


Konstituimi u krye jashtë ambienteve të bashkisë. Në një deklaratë për Mediat, Altin Toska i LSI, i cili drejtoi gjatë katër viteve të shkuara këtë bashki deklaroi se ai nuk e njeh 30 Qershorin dhe se do të qëndrojë në detyrë derisa të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme në 13 Tetor sikurse thotë Dekreti i Presidentit Meta.


“Ne duam që politika të mos tensionoje jeten e qytetareve. Çdo hyrje te paligjshme në bashki ne do e quajme uzurpim dhe do e denoncojme menjëherë në organet kompetente çdo shkelje ligjore. Ne jemi në sherbim te qytetareve edhe ne vijim. Presim te shprehet gjykata kushtetuesr per Dekretin e 13 Tetorit. Populli do vendose kush do jete kryetari i bashkise. Kur të vije dita do ta dorezoj me dinjitet mandatin”.

Në të njëjtën kohë në Cërrik, kryetari i PD, Lulzim Basha zhvilloi një takim me strukturat e partisë kue cilësoi farsë të gjithë procesin e 30 Qershorit, ndërsa, sipas tij, përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi ligjore e penale.

Nga ana tjetër, Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla e komentoi deklaratën e Bashës si një reflektim dhe pranim të zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Këtë të enjte janë zhvilluar dhe konstituimet e këshillave bashkiakë në Librazhd e Belsh, ku përkatësisht, Kastriot Gurra dhe Arif Tafani u betuan për një mandat të dytë rradhazi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb