Kush ka vizituar “Rozafa Fish City” me siguri nuk i ka shpëtuar fotove të shkrepura në veprat e artit të ndodhura aty por mbi të gjitha në skulpturën gjigande të heroit tonë kombëtar Skënderbeu. Për ta plotësuar këtë panoramë, zoti Gjergj Luca, pranari i Fish City inicioi një konkurs për vendosjen e dy skulpturave të tjera gjigande në dy krahët e Skënderbeut. Bëhet fjalë për dy figura të njohura shqiptare, për atë të mençurisë si Lekë Dukagjini dhe atë të rezistencës si Adem Jashari.


Në këtë konkurs u ftuan të merrnin pjesë studentë të skulpturës të cilët paraqitën bocetet e tyre. Në ceremoninë e vlerësimit të fituesve zoti Luca shoqërohej nga skulptori Arben Bajo dhe drejtori i Qendrës së bashkëpunimit ndërfetar zoti Arben Ramkaj.



“Këshilli Bashkiak i qytetit tonë vendosi që heronjtë e kombit tonë të mos i mbajmë për t’i kujtuar vetëm në ditët e përvjetorit por t’i vendosim krahë burrit më të madh që ka nxjerrë ky komb dhe të kemi mundësi që t’i kujtojmë përditë se janë një burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët. Ne kemi vendosur që në krahun e djathtë të Gjergjit të madh të vendosim Lekë Dukagjinin, që është burri që me intelegjencën e vet ia njohu kaq mirë kohën shqiptarit sa edhe sot e kësaj dite ligjet në familjet tona janë ligjet që ka vënë ai burrë atje. Ndërsa në krahun e majtë të Skënderbeut ne do të vendosim një hero shumë të madh të kombit tonë dhe do ta quajmë ‘Qëndresa e kombit’. Ai për ne është Adem Jashari. Me gjithë këta djem këtu dhe me profesorin ne kemi hapur një konkurs dhe kemi bërë këto bocete që sot ne do të shpallim fituesin e këtyre boceteve dhe mendojmë që do t’i ndërtojmë shumë shpejt këto dy vepra të njerëzve të mëdhenj të kombit tonë dhe ju falënderojmë shumë që jeni bërë pjesë e këtij misioni. Mendojmë se do t’i japim vlera të tjera qytetit tonë. Qeveritë dhe politika janë shembuj që harrohen. Janë pjesë e përkujtimoreve të sforcuara, pasi kur kanë datat e lindjeve apo të vdekjeve kujtohen që kanë ekzistuar dhe këta burra dhe heronj të mëdhenj. Ata janë burim i frymëzimit të çdo shqiptari që rrënjët e veta i ka tek familja dhe jo tek politika”, thotë Luca.

Për skulptorin Arben Bajo kjo është një nismë e mirë për të ngritur artin e kulturën, sikurse është me vlerë lartësimi i figurave të tilla.
“Janë të rralla personazhet në vendin tonë që organizojnë gjëra të tilla për të ngritur artin dhe kulturën qoftë në biznesin e tyre, apo dhe për shoqërinë shqiptare, është emancipim i madh. I jepet mundësia studentëve të Arteve që të shprehin me artin e tyre, më ngelet që të falënderoj Gjergjin për këtë iniciativë”, tha Bajo.

Fituesit e këtij konkursi u shpallën dy studentë, Renato Kullolli dhe Elton Vaska. “Ne si pjesë të jurisë kemi pasur edhe një klerik, doktor profesor Arben Ramka, që na dha shumë ndihmesë”, tha Bajo.

Ndërkohë Gjergj Luca ka dhe dy fjalë për studentin që punoi portretin e Lekë Dukagjinit. “Me bo Lekë Dukagjinin një i butë prej Belshit, unë nuk e di, por këtij ja bëftë Zoti hallall. Duhet të ketë pasur familje të mirë që e kanë frymëzuar me vlerat e shqiptarisë. Ky fjalët e veta i foli tek skulpturat. Ta bëftë Zoti hallall!”, uron ai.

Këtë konkurs e kanë vlerësuar edhe vetë studentët fitues si një mundësi të mirë për ta.
“Është hera e parë që marr pjesë në një konkurs dhe unë e kam konceptuar në mënyrën time të punës. Është një mundësi e mirë për një student që mbaron Akademinë e Arteve dhe është një rrugë shumë e mirë që ati të bëjë diçka rreth punës së tij”, thotë fituesi i bustit të Lekë Dukagjini.

“Është Adem Jashari që e kam menduar si qëndresë e kombit. E kam menduar si shkëmb që është diçka e fortë dhe mendoj që është qëndresë e kombit tonë”, thotë studenti fitues i bustit të Adem Jasharit.
Tashmë përpos Skënderbeut në këtë faqe mali do të lartohen figurat e shquara Adem Jashari dhe Lekë Dukagjini duke e kthyer Rozafa Fish City në një qytet të artit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb