Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj në një deklaratë për mediat ka dhënë detaje në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj avokatit Sokol Mëngjesi.
Vocaj shprehet se avokati Mëngjesi ka përfaqësuar një familje në një proces civil për një pronë në Tiranë. Mësohet se procesi është fituar nga pala e përfaqësuar nga avokati, por se disa nga trashëgimtarët nuk kanë dashur të paguajnë Sokol Mëngjesin.
“Nga tërësia e veprimeve gjurmuese dhe procedurale, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, është bërë e mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të ngjarjes kriminale. Dorian Beqir Alia, 32 vjeç banues në Tiranë, Drivald Sokol Alia 21 vjeç, banues në Tiranë; Elton Ndue Kasaj 33 vjeç banues në Tiranë, Romario Roberto Tabaku, 26 vjeç banues në Tiranë. Ky i fundit ka larguar autorët nga vendi i ngjarjes me makinën tip Audi me targat AB 696 JT. Nga veprimet hetimore rezulton se avokati Sokol Mëngjesi është goditur për shkak të detyrës. Rezulton se Mëngjesi ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në Shkallë të Parë dhe në Gjykatën e Apelit një familje, që kishte të trashëguar një pronë në Tiranë. Ky proces është fituar nga pala e përfaqësuar nga avokati. Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës të nënshkruar me studion ligjore “Alderum Shpk”. Është shoqëruar edhe shtetasi Dritan Jani Nano, i dyshuar si organizator i ngjarjes kriminale. Materialet do kalojnë në Prokurori për veprën penale “Vrasja e funksionarëve publikë mbetur në tentativë”, parashikuar nga neni 77/a dhe 22 të Kodit Penal. Operacioni vazhdon për kërkimin, lokalizimin dhe kapjen e 4 personave të shpallur në kërkim. Policia vë në dispozicion 20 mijë euro për çdo informacion të saktë, kushdo që ka informacione për autorët të telefonojë në numrin 112″, deklaroi kryepolici i Tiranës, Tonin Vocaj.
(Balkanweb)