Situata meteorologjike në vend duket se do të vijojë të mbetet mikse edhe këtë javë pasi do të ketë alternime mes shiut dhe kohës me diell.
Në një lidhje përmes skype, Lajda Porja tha për News24 se ndërkohë që sot koha pritet të jetë me diell, situata do të jetë ndryshe nga e marta deri të premten, ku do të shoqërojnë kushte të paqëndrueshme atmosferike.
Ditën e martë priten rrebeshe sidomos në qarkun e Vlorës, ndërkohë që të enjten dhe të premten intensiteti i reshjeve pritet të ulet.
Të shtunën reshjet pritet të jenë prezentë në zonat malore, por me intensitet të ulët.
Duke nisur që nga dita e nesërme temperaturat do të shënojnë rritje, ndërkohë që do të përmirësohet edhe situata hidrike në vend dhe situata me rrugët të cilat si pasojë e temperaturave të ulëta kanë pasur probleme me ngricat.
Reshjet e larta të shiut do të ndikojnë në përmirësimin e situatës hidrike në vend, lajm i mirë ky pasi na pret një periudhë e gjatë me thatësira.
Prilli edhe pse ka qenë dinamik, do të mbyllet në 2-3 ditët e fundit me diell dhe temperatura të larta.