Ish-deputeti demokrat, Bardh Spahia, i cili vetëm dy ditë më parë fitoi lirinë nga Gjykata e Apelit në Durrës, që e konsideroi të paligjshëm arrestimin e tij, rrëfeu në studion e emisionit “Kjo Javë” orët e ndalimit nga policia, izolimin më tej nga ambienti me jashtë, e deri në daljen për herë të parë para trupit gjykues në Shkodër. Në intervistën e tij të parë pas lirimit, Spahia solli edhe një herë në vëmendje incidentin në shkollën “Shejnaze Juka” në Shkodër, ndërsa e konsideroi absurde gjithë sa ndodh më pas me të.


“I lirë më së fundi fizikisht, pasi e kam ndjerë veten të lirë mendërisht që në fillim të kësaj historie sa qesharake aq edhe të trishtë. Jo aq për Bardh Spahinë, po për gjendjen apo situatën në të cilën ndodhet vendi. E them të trishtë pasi mendonim se këto lloj situatash këto lloj sjelljesh i kishim kaluar prej  30 vitesh, por e provova në kurrizin tim që Shqipëria vitet e fundit  ka bërë hapa të mëdhenj pas, përsa i përket një farë mënyre të përdorimit politik të pushtetit nga ana e kundërshtarëve politikë.



Për të kuptuar atë cfarë ndodhi duhet të bëjmë një rezyme të situatës dramatike  ku ndodhet vendi që nis me ardhjen në pushtet të kësaj maxhorance e që kulmuan me dosjet ku përfshihej edhe kryeministri Rama”, tha Spahia, ndërsa solli edhe një herë në vëmendjen incidentin e ndodhur më 18 qershor, në shkollën “Shejnaze Juka” në Shkodër.

“Pati një përdorim të turpshëm të policisë së shtetit, e cila në shkelje të plotë të ligjit duke mbështetur edhe grupe kriminale të njohura në qytet tentoi të merrte ambientet në pronësi të bashkisë Shkodër, në shkelje të plotë të ligjit dhe u krijuan ato situata. Të kthehemi pak te ajo ditë, PD ishte në mbështetje të qytetarëve Shkodranë që kishin caktuar një tubim në 20:00 te pallati i Sportit në Shkodër. Në një moment të caktuar lajmërohemi se ka një konfrontim mes qytetarëve shkodranë dhe një grupi të madh të policisë së shtetit të cilët kishin hyrë për të uzurpuar ambientet e shkollës “Shejnaze Juka”.

Ka qenë një grup i forcave speciale të policisë që kanë sulmuar ambientet e shkollës, të cilat janë në pronësi të bashkisë Shkodër dhe në atë moment ka pas një reagim nga një grup qytetarësh shkodranë. Ne u lajmëruam për këtë incident dhe sigurisht me ndjenjën e plotë të përgjegjësisë, u nisëm me shpejtësi për t’u gjend afër në një situatë të tillë.

I gjithë sjellja jonë ka qenë për qetësimin e situatës, kishim një bashkëpunim shumë të mirë në ato momente ne strukturat e policisë, të cilët ishin në vështirësi pasi numri i qytetarëve ishte i madh dhe të revoltuar dhe besoj që kemi dhënë kontribut në qetësimin e situatës, ashtu siç na u tha edhe nga policia”, u shpreh Spahia, duke rrëfyer më tej se ç’ndodhi një ditë pas ngjarjes, kur u ndalua nga forcat e rendit, si edhe 3 ditët e izolimit deri në daljen para trupit gjykues.

“Gjatë gjithë asaj dite unë jam kthyer në Tiranë në 05:00 të mëngjesit, dhe kanë qenë gazetarët shkodranë që më pyesnin a isha apo jo në kërkim. M’u duk absurde se deri në 04:00 të mëngjesit, kisha qenë në Shkodër, madje edhe me struktura të policisë të cilët më falënderuan dhe vlerësuan e nuk kisha asnjë shenjë tjetër. Dola në mëngjes dhe pikërisht nga këto telefonata zgjodha të lëviz në këmbë, shkova 2 herë në PD duke kaluar bulevard për të thënë që jam në dispozicion apo dikush të më kontaktojë.

Ajo pjesë e ndalimit ishte publike, absurde, që në momentin kur u tha në lidhje Live, isha i vetëdijshëm që e ka vendos kryeministri, por fakt është që psikologjikisht e prisja, por e ndjeja veten qytetar të lirë. M’u duk sikur policët që morën pjesë në ndalim nuk e dinin arsyen pse po më ndalonin, merrnin urdhra me telefon nga shefi i tyre dhe nga njësia operacionale që unë i pash, ishin me maska ishin pas makinës së policisë, në një makinë civile, sikur po ndalonin një të shumëkërkuar. Për mua ishte një situatë absurde, një izolim i padrejtë e krejtësisht politik.

Me ato policë që kisha komunikim u munduan të më tregojnë vlerësimin dhe respektin, keqardhjen e tyre për  situata të tilla. Kisha një izolim të plotë, një prej gjërave që të bënte përshtypje ishte izolimi i plotë nga jashtë. Nuk kisha asnjë lloj informacioni, s’kisha asnjë mjet komunikimi, izolimi ishte i plotë. U takova vetëm me avokatin tim. Atë natë kanë ardhur urgjent edhe përfaqësues të avokatit të popullit. Deri në një moment kur u gjend një mundësi për të më sjellë të paktën disa libra nga familjarë të mi, ishte një qëndrim absurd. Por që në momentin që familjarët e mi më sollën disa libra kohën e kam kaluar duke lexuar. Ishte e vetmja mënyrë për të dalë në një realitet tjetër”, rrëfeu Spahia.

(BalkanWeb)