Jo pak u befasuan në merkaton e verës kur Leonardo Bonucci vendosi të largohej nga Juventus-i për të kaluar te Milan. Komentet e shumta, ndër të cilat mbizotëronin ato negative, duket se në një moment kanë bërë edhe futbollistin të mendojë se ka gabuar.

Në një intervistë të fundit ai rrëfen për vështirësitë dhe situatën që po kalon aktualisht me Milan-in, ku duket se ardhja e Gatusso-s i ka rilindur.

“Të jemi i sinqertë, në fillim mendova se kisha bërë zgjedhjen e gabuar,” shprehet ai për Sky Sport Italia.

“Paraqitjet e mia në fushë nuk ishin ato të Bonucci-t të vërtetë, pasi mentaliteti mund të ndryshojë gjithçka. Më pas arrita ta riktheja përqendrimin dhe të punoja fortë, të mendoja më shumë për veten time për të rindërtuar vetëbesimin tim.”

Situata e tij padyshim që është ndihmuar nga trajneri Gatusso dhe tani Kuqezinjtë po kalojnë ecurinë më të mirë të viteve të fundit.

“Gatusso më kujton Conte-n për nga karizma dhe energjia që i transmeton skuadrës. Gjithmonë kam pasur besim te kjo skuadër, projekti dhe trajneri. Ai ka treguar se di si të bëjë një skuadër të luajë megjithëse është relativisht i ri.

Jam mahnitur nga aftësia e tij për të transmetuar të njëjtën uri që ka pasur si lojtar.”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb