TIRANE


Për Elton Ilirjanin, paraja blen gjithçka, madje edhe dashurinë e vërtetë. CEO i një superkompanie fitimprurëse është aq mendjehapur sa t’i përmendë me emra meshkujt e famshëm shqiptarë, që i sheh si partnerë idealë nëse nuk do të ishin heteroseksualë.
Për thyerjen e një tjetër tabuje ndërsa shëtit nëpër Shqipëri me make-up dhe të kuqen e zjarrtë sipër buzëve, Elton Ilirjani zbulon arsyen pse ndryshoi stil dhe pse nuk ekziston brenda tij dëshira “sikur të isha vajzë”…


Duket se me fotot e fundit ke kaluar vërtet ylberin. Si të lindi ideja për t’iu afruar më shume stilit femëror, tashmë si djali me buzë të kuqe?


Në fakt, nuk është kështu. Unë nuk kam kaluar asnjë ylber dhe nuk do e kaloj kurrë. Unë jam shumë i lumtur si djalë dhe kështu do të vazhdoj. Fotot i kam bërë në kuadër të një lëvizjeje në mbrojtje të të drejtave të personave transgjinorë, që diskrimonohen dhe nuk punësohen në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Bosnje Hercegovinë. Lëvizja quhet “Lipstick Movement” dhe do të vazhdojë edhe në muajt në vijim. Kjo lëvizje e ka qendrën në New York të SHBA-ve. Pra, unë nuk vishem në përditshmërinë time si femër, përkundrazi, nuk më pëlqen fare makeup dhe të kuqët e buzëve. Këtë imazh e bëj thjesht për foto, të cilat më vonë i postoj online dhe kështu tërheq vëmendjen dhe e fokusoj këtë vëmendje te të drejtat e personave transgjinorë dhe punësimin e tyre. Unë kam vendosur t’i lyej buzët në çdo cep të Ballkanit Perëndimor, pra në çdo shtet ku unë kam kompaninë time “The HeadHunter Group”.

Sa u takon preferencave të tua për gjininë e njëjtë, kujt do t’i propozoje me bindje?

Fatos Nano është imazhi i mrekullueshëm i një mashkulli të emancipuar shqiptar, sipas mendimit tim. Ai nuk shtiret dhe është vetvetja. Fatkeqësisht, ai është heteroseksual dhe nuk ka asnjë interes për mua… Po nga fusha e biznesit, artit apo televizionit, kush janë ata që të ngacmojnë ndjenjat apo seksualisht? Nga fusha e biznesit nuk kam asnjë që më tërheq, sepse janë të gjithë hipokritë, mendjemëdhenj, arrogantë dhe aspak të kuruar. Përsa u përket artistëve, ne nuk kemi shumë të tillë në Shqiperi, por ndoshta këngëtari Gashi në New York, ai do ishte shembulli i mashkullit tim ideal. Këngëtarët e tjerë në Kosovë dhe në Shqipëri janë të gjithë meshkuj kot, fals dhe arrogantë. Këtej hiqen si artistë dhe këtej hiqen si të fortë me shumë të dashura, ndërkohë që dhe mimikat i kanë të shtrembura. Kështu, më mirë do të kisha zgjedhur Luan Zhegun apo Kozma Dushin, sesa këta reperat e lodhur që më shkrijnë me injorancën e tyre. Pra, nga shqiptarët kudo nëpër botë, pa diskutim Gashi sepse është artisti më i mirë, më i bukur e më modern, më shumë se çdo gjë tjetër që kanë këta fshatarët tanë këtu në Shqipëri dhe në Kosovë.
Ke pasur ndonjë simpati sekrete në adoleshencë, që mund ta zbulosh tani?

Por ky është një sekret, që kur isha adoleshent kam pasur shumë qejf Redon Makashin. Sa keq që nuk realizohen disa ëndrra. Shpresoj që një ditë ta takoj dhe të pimë një kafe, kuptohet thjesht për t’i treguar simpatinë e hershme.

Shumë flitet për homoseksualë në botën e showbizz-it, por që nuk e pranojnë publikisht. Ç’mendim ke për ta?

Edhe diçka, ka shumë në botën e medias dhe showbizz-it që janë gay apo biseksualë dhe hiqen sikur nuk janë. Këta janë më të neveritshmit për mua. Janë tmerr!

Je shprehur se dashuria është e vështirë për t’u gjetur. Për momentin, je duke provuar ndjenjë ndryshe me pianistin që publikove foto?

Unë nuk kam të dashur, fatkeqësisht. Edhe fotoja me pianistin ishte një ngacmim për mediat, por edhe ato nuk reaguan sepse e kuptuan që nuk është i dashuri im. Kë të kem? Në Ballkan jo e jo, pasi janë shumë të prapambetur dhe nuk më pëlqejnë, shikojini si vishen dhe sa erë e keqe mbajnë në përgjithësi. Janë barkmëdhenj, arrogantë dhe vulgarë dhe kujtojnë se një makinë apo një pistoletë i bën të bukur, plus që janë edhe injorantë në maksimum. Shume keq janë… Në New York, ndoshta do ta gjej një djalë ideal dhe do t’jua prezantoj. Më kritikojnë shumë persona, më thonë mos ofendo sepse ul nivelin tënd, por unë nuk mendoj kështu. Unë mendoj që të jesh kritik është shumë e rëndësishme dhe t’u tregosh njerëzve se sa keq ngjajnë në sytë e botës perëndimore me këtë tipin e mashkullit shqiptar. Fatkeqësisht u pëlqen shumë vetja dhe nuk pranojnë asnjë kritikë, madje edhe këto ndërhyrjet e mia i marrin si ofendime dashakeqe dhe reagojnë keq. Ndërkohë që në New York, një mashkull shqiptar dallohet 500 metra larg që është shqiptar… Kjo është e vërteta dhe ndoshta nuk iu pëlqen. Sot të gjithë mendojnë se po të kesh paranë, ke gjithçka.

Çfarë ke mundur të blesh dhe të mos blesh dot edhe pse ke paranë?
E vërtetë, paraja është e rëndësishme, madje shumë. Unë mendoj që paraja blen çdo gjë, edhe dashurinë e blen gradualisht… po po! Unë mendoj që paraja e përdorur në mënyrë të zgjuar dhe në personin e duhur, blen edhe dashurinë. Imagjino të mendosh që mund të gjesh dashurinë e vërtetë me dy njerëz të varfër…skamja kthehet në mizerje dhe pastaj në dhunë dhe në shumë raste në makabritet, nuk ka dashuri në kohët tona nëse nuk ka mirëqenie… Më vjen keq që shprehem kaq hapur…Kam blerë çdo gjë me para, edhe shëndetin e blen deri diku…
Të gjuajnë djemtë në Shqipëri dhe si i përzgjedh ti?
Ka shumë djem që më gjuajnë në Shqipëri dhe shumë prej tyre janë simpatikë, por kjo nuk e ndryshon situatën, sepse edhe ata janë pjesë e mentalitetit lokal dhe kanë frikë nga opinioni. Domethënë, kanë frikë të jetojnë jetën e tyre se i gjykon mami dhe babi, shokët dhe lagjja etj. Unë s’i përzgjedh fare, sepse janë shumë dobët, më mirë të vazhdojnë të hanë thana si kanë bërë me shekuj. Unë jam shumë pjeshkë për dhëmbët e tyre…
Cila është formula që në këtë jetë të shijosh gjithçka, pa e vrarë mendjen nga paragjykimet?
Formula është shumë e thjeshtë: Mos mendo asnjë moment se çfarë mendojnë të tjerët, por bëje këtë vërtet. Mos mendo asnjë moment se, nëse sillesh në një formë të caktuar, do të jesh i pranuar, pasi në çdo rast të tjerët do të gjejnë diçka që nuk shkon me ty… Në çdo rast ti je humbës dhe të paktën bëhu fitues me veten tënde, kënaq vetveten duke e pranuar 100% si është në të vërtetë.
“Natën e mirë mendjengushtër!”, ishte një postim ku ti pozon në mënyrë sensuale para gjumit. Pse nuk zgjedh heshtjen në vend që të kundërpërgjigjesh?
Po e vërtetë, një postim ngacmues për ata mijëra ofendues online që kërcënonin, ofendonin dhe talleshin duke ulëritur në grup. Disa miq më kanë kritikuar përse unë iu ktheva përgjigje, madje edhe persona të tjerë dashamirës më kanë kritikuar, sepse unë sipas tyre ulja nivelin tim dhe u përgjigjesha… Unë mendoj se bëra shumë mirë që iu shkrova dhe iu fola duke përdorur edhe ironinë, sepse shqiptarët sipas mendimit tim, të shtypin me keq nëse hesht dhe këtë e kanë nga mentaliteti komunist kolektiv që kanë. Shqiptarët janë shumë nostalgjikë edhe për diktatorucin e ndyrë Enver Hoxha dhe një vrasës si ai e kërkojnë…i thonë: “Ngrihu Enver nga varri dhe vrije Elton Ilirjanin!” Çudira shqiptarësh dhe për këtë gjë mendoj se bëra shumë, shumë mirë që iu ktheva kësaj marrëzie kolektive dhe këtij mentaliteti unik në botë, ku vuajtësi kujton me nostalgji shkaktarin kryesor të vuajtjes gjysmëshekullore.
Të ndryshosh seksin është një opsion i mirë për ta shijuar seksualitetun tënd?
Unë nuk kam ndërmend të ndryshoj seks, pasi jam shumë mirë kështu si jam. Unë nuk dua të jem femër dhe as nuk jam kurioz. Ata që e ndryshojnë mund të kenë arsyet e tyre dhe unë nuk i gjykoj. Unë për vete nuk do ta bëja. Por edhe të diskriminohen sepse e bëjnë këtë gjë nuk është e drejtë, ata janë zotër të jetëve të tyre dhe kanë të drejtat e tyre. Por të tallesh me këtë gjë është sërish komuniste, e ndyrë dhe e prapambetur. Çudi që shqiptarët e kanë kaq të vështirë të ndryshojnë dhe ngushëllohen se ka vende më keq se ne, si Cecenia apo Irani…
Afrodiziaku më i mirë në një marrëdhënie brenda së njëjtës gjini?
Sa i përket afrodiziakut në një marrëdhënie brenda të njëjtit seks, nuk e kam idenë pasi jam shumë i prapambetur në krahasim me VIP-at shqiptarë, që bëjnë marrëzira të ndryshme dhe në mëngjes janë engjëj të dashur për ndjekësit e tyre komunistë të shoqërisë shqiptare, që është shumë e prapambetur. Dhe këtë e them me bindje të plotë, s’e di se si do t’i vejë filli kësaj shoqërie të prapambetur.

(Burimi:PanormaPLus)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: