Christopher Costa, është drejtori i Muzeut Ndërkombëtar të Spiunazhit me qendër në Washington DC të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë për gazetarin Erion Kaçorri në televizionin News 24, Kolonel Costa i cili është me origjinë Shqiptare tregon momentet më të rëndësishme në profesionin e tij, eksperiencën në Irak dhe Afganistan, sulmet terroriste të 11 shtatorit dhe emocionet e të qenit pjesë e stafit të Shtëpisë së Bardhe.


Christopher Costa
Christopher Costa

Zoti Costa, ju jeni me origjinë shqiptare, por jeni lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çfarë përshtypjesh ju la vendi kur e vizituat për herë të parë?
Për herë të parë kam ardhur në Shqipëri në vitin 1993 dhe ishte një kënaqësi që pata mundësinë të kthehem dhe të eci në të njëjtën tokë ku gjyshërit e mi u lindën. Sot jam kthyer në Shqipëri dhe e gjej shumë të ndryshuar. Ka bërë një progres të jashtëzakonshëm, aq sa pothuajse nuk e njoha Tiranën.


Përpara se të vizitonit Shqipërinë, a kishit krijuar një perceptim për vendin?
Në fakt nuk e dija çfarë të prisja. Por në nivel emocional, ishte me rëndësi që të kthehesha. E dija se njerëzit ishin të mirë, kështu që isha i sigurt se do t’ia kaloja shumë mirë në Shqipëri. Duke lënë politikën mënjanë, kryesore për mua ishin njerëzit dhe shqiptarët nuk më zhgënjyen.


Nga cila zonë e Shqipërisë janë gjyshërit tuaj?
Gjyshërit e mi nga babai ishin nga Vithkuqi i Korçës ndërsa nga ana e nënës janë nga Berati.

I vizituat këto vende?
Kam vizituar edhe Vithkuqin edhe Beratin.

Të flisnin gjyshërit për Shqipërinë?
Më flisnin në mënyrë të vazhdueshme, madje edhe pasi u rritëm. Ne bënim shumë pyetje kur ishim fëmijë të vegjël dhe donim të dinim gjithçka për Shqipërinë.

Për shembull?
Sesi ishte të rriteshe atje. Edhe pse ata ishin larguar shumë të rinj dhe nuk mbanin mend shumë detaje. Ata ishin shumë të lumtur që kishin ardhur në Amerikë, por gjithashtu e dinin se ekzistonte mundësia që ata të mos ktheheshin më në Shqipëri. Më kujtohet gjyshi që thoshte se kishte dëshirë të kthehej një ditë, por nuk e realizoi kurrë.

Në çfarë viti emigruan ata në SHBA?
Mendoj rreth vitit 1912 ndërsa gjyshja ime pak më vonë ndoshta. Por nuk e kam shumë të qartë se në çfarë viti, por përpara vitit 1920.

Zoti Costa, ju jeni drejtor i Muzeut Ndërkombëtar të Spiunazhit. Çfarë mund të na tregoni për këtë muze dhe çfarë prezantohet atje?
Faleminderit për pyetjen. Kjo është tema që pëlqej më shumë. Muzeumi ndërkombëtar i spiunazhit është një institut arsimor jo fitimprurës dhe synon të tregojë sesi funksionojnë shërbimet inteligjente në të gjithë botën, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra nuk është muzeumi i spiunazhit amerikan, por muzeum i spiunazhit ndërkombëtar. Ne në mënyrë të përgjegjshme tregojmë historitë e shërbimeve sekrete që kanë ndodhur për aq kohë sa njeriu është në këtë planet. Njerëzit kanë pasur dëshirën për të mbledhur informacione sekrete me një oreks të pangopur dhe ne tregojmë historitë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme.

Pra shërbime sekrete edhe në lashtësi?
Padyshim që po. Që në lashtësi, njeriu ka kërkuar të dijë gjithçka. Është pjesë e njeriut që dëshiron të dijë se me çfarë rreziku përballet për të marrë masat e duhura. Ne kemi 7 mijë artefakte të historisë së inteligjencës që i prezantojmë në muzeumin e ri, një ndërtesë e cila u realizua me të vetmin qëllim për të shfaqur këto artefakte.

Muzeumi ndodhet në Washington D.C apo jo?
Ndodhet në Washington DC ndërsa muzeumi i mëparshëm ndodhej vetëm disa kilometra më larg dhe ishte jashtëzakonisht i suksesshëm. Por ne kemi zgjeruar hapësirat dhe duke u nisur nga suksesi i tij, vendosëm që të zgjerojmë ambientin për të zbatuar misionin tonë arsimor që është kaq i rëndësishëm për ne. Kemi një teatër brenda muzeumit, kemi një klasë që konsiderohet një vepër arti dhe kemi pamje panoramike të Washington DC. Jam shumë i emocionuar për këtë muzeum ndërkombëtar.

Dhe besoj se ka shumë kuriozitet nga publiku amerikan.
Ka shumë kuriozitet duke qenë se njerëzit kishin parë muzeumin e vjetër. Dhe reagimi kur njoftova se do të largohesha nga shërbimet qeveritare për të drejtuar muzeumin ishte shumë pozitiv. Të gjithë reaguan pa humbur mundësi se e donin muzeumin e spiunazhit. Dhe unë u përgjigjem se nëse e duan muzeumin e vjetër atëherë do të mahniten kur të shohin muzeumi e ri.

Zoti Costa, ju jeni një ish-oficer i shërbimit të inteligjencës në ushtrinë amerikane. Në Shqipëri ka kuriozitet lidhur me shërbimet sekrete. Çfarë mund të na tregoni rreth punës tuaj? Ndonjë moment të rëndësishëm?
Faleminderit për pyetjen. Unë mendoj se kemi punuar në anën e duhur, në anën e demokracisë në Shtetet e Bashkuara. Edhe pse shërbimet sekrete mund të jenë të errëta, ndonjëherë mund të mos jetë bardhë e zi, por gri. Problemet mbi të cilat kemi punuar i kemi bërë me ndjenjën se po i bëjmë në mënyrë korrekte. Jetë njerëzish janë shpëtuar si rezultat direkt i punës së bërë nga ekipi im dhe një shembull tipik mund të jetë ai i një agjenti që ndodhet në një fushë beteje dhe që ka informata se do të ketë sulme. Në muzeum unë tregoj historinë e një ish-talebani i cili më solli një sërë informacionesh të caktuara. Unë e verifikova, vura në pikëpyetje informacionet e tij, e testova dhe vetëm më pas ishim në gjendje të kryenim një operacion të plotë që në fund besoj se arriti të shpëtojë jetën e shtetasve amerikanë dhe të vendeve partnere. Kur isha në Afganistan takohesha dhe pinim kafe me shqiptarë që shërbenin në Kabul dhe kjo rrumbullakoste të gjithë përvojën time.

Si e konfirmoni një informacion për t’u siguruar se nuk është fals?
Pikërisht siç po e bëni ju, me pyetje të mprehta, me pyetje që pasojnë në mënyrën e duhur dhe gjithashtu duke analizuar gjuhën trupore. Kjo kërkon shumë vite që procesi të rafinohet, por një agjent i mirë sekret në një farë mënyre është si një prift, apo psikolog, dhe gjithashtu ai është një mësues apo trajner, por ka edhe diçka instiktive. Gjithashtu nevojitet eksperiencë. Është dashur kohë e gjatë për të përmirësuar aftësitë e mia dhe gjithashtu kam pasur partnerë të shkëlqyer dhe leksione të jashtëzakonshme nga agjencitë e tjera dhe partnerët ndërkombëtarë me të cilët punonim. Shtetet e Bashkuara kanë shërbimet inteligjente më të mira në botë, por në të njëjtën kohë partnerët tanë janë të jashtëzakonshëm gjithashtu.

Lexojmë shpesh se bëhen trajnime të jashtëzakonshme për agjentët sekretë. Të ngjan pak me filmat e James Bond?
Puna ime nuk kishte asgjë të ngjashme me atë të James Bond dhe padyshim që nuk ngisja një automjet si të 007 edhe pse kemi ekspozuar automjetin Aston Martin në muzeumin ndërkombëtar të spiunazhit. Ato lloj gjërash që shikoni në filma ndodhin dhe janë një art mbi mënyrën sesi zhvillon takime të caktuara në vende të rrezikshme ku mund të kapeni nga një shërbim i huaj i inteligjencës ose në një fushë beteje mund të jetë edhe më keq sepse mund të përballesh me kurthe të qëllimta në prita të ndryshme.

Kështu që trajnimi im ishte i gjerë dhe për një kohë të gjatë duke nisur që në kohën e ushtrisë në vitin 1984, por trajnimet nga shërbimet e inteligjencës nisën në vitin 1988. Para se të shkoja në Afganistan apo Irak pas sulmeve të 11 shtatorit, isha gati që të isha në fushëbetejë për të kryer shërbimin tim. Pra janë dashur shumë vite për t’u përmirësuar.

Jeni përballur me rrjedhje të informacionit dhe si keni vepruar në raste të tilla?
Kjo ka ndodhur kur merresha me çështjet e politikave në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Asnjë rrjedhje informacioni nuk ka ndodhur me sa di unë nga njerëzit tanë sepse kishim një skuadër të fortë dhe ndanim informacione sa mundeshim, por ekzistojnë disa informacione të cilat nuk i ndan me njeri.

Është e vështirë ta bësh këtë?
Është e vështirë sepse unë jam një person që beson si shumë shqiptarë që dëshironi të ndani gjërat me të tjerët, doni të jepni, por ndonjëherë duhet të ruani informacionin. Keni përgjegjësinë për ta mbrojtur informacionin dhe unë kam kaluar një jetë të tërë duke e mbrojtur informacionin dhe familja ime jo gjithmonë e vlerësonte këtë deri vitin e kaluar kur kisha mundësinë që të flisja mbi punën time me ata.

Gjatë komunizmit në Shqipëri, spiunazhi mori një konotacion negativ. A është me të vërtetë një profesion i errët?
Nuk është i errët, është gri. Por dua të besoj se puna që unë bëja ishte në përputhje me vlerat e Shteteve të Bashkuara dhe me partnerët tanë specialë, besoj se puna jonë ishte e rëndësishme dhe padyshim që ishte një profesion i errët. Gjithmonë jam ndjerë se isha në anën e duhur të historisë dhe gjithashtu ka pasur vendime taktike me të cilat më është dashur të jetoj,  por për pjesën më të rëndësishme mendoj se ajo që kam bërë ka qenë e drejtë. Unë i mbroja burimet e mia, unë punoja me ta dhe gjithashtu i trajtoja si anëtarë familjeje. Ju më pyetët rreth ndonjë historie speciale dhe më kujtohet një burim i cili ndodhej në një vend plot me eksplozivë. Reagimi im i parë nuk ishte që unë të largohesha nga ndërtesa, por që t’i kërkoja burimit tim të largohej nga ai vend dhe unë të qëndroja aty sepse ky ishte instinkti im si një oficer inteligjence. Dhe mendoj se po flas në emër të shumë njerëzve si unë që i kanë shërbyer demokracisë.

Zoti Costa, ju përmendët sulmet e 11 shtatorit. A ishte një dështim i shërbimeve të inteligjencës amerikane?
Pyetje shumë e mirë. Mendoj se kishim shërbime të jashtëzakonshme inteligjence përpara sulmeve të 11 shtatorit. Por ne nuk dinim vendndodhjen dhe shtrirjen e atij sulmi. Dikush thotë se ne kemi humbur informacionin kritik, por unë do të thosha se surpriza strategjike kanë ndodhur përgjatë gjithë historisë, që nga sulmi në Pearl Harbour.

Është e vështirë që të kesh të drejtë gjatë gjithë kohës dhe askush nuk ka qenë më i ashpër me veten sesa komuniteti i inteligjencës amerikane. Dhe për këtë, në zyrën time në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, jemi shumë të kujdesshëm që të mos na shpëtojë asgjë. Dhe për këtë isha i angazhuar deri në fund të karrierës time. Mendoj se ajo sipërmarrje në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë ndodhet në një pozicion shumë të mirë. Edhe pse bëjmë një punë shumë të mirë, kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë disfata. Ndoshta mund të ketë sulme kibernetike, apo sulme që ti dhe unë as nuk mund t’i imagjinojmë. Për këtë arsye nuk arrija të bëja një gjumë të qetë për një vit të tërë kur punoja në Shtëpinë e Bardhë, për shkak të shqetësimit nëse kisha bërë pyetjen e duhur, nëse kisha ndjekur drejtimin e duhur, a është ekipi ynë duke punuar siç duhet.

Përmendët sulmet kibernetike dhe për këtë flitet shumë sot. Ku konsistojnë ato?
Nuk jam ekspert i kibernetikës, por di sesi një terrorist sillet dhe di se një terrorist do të përdorë çdo mjet të mundshëm për të sulmuar shënjestrën e tij. Ata e përdorin internetin për të radikalizuar apo manipuluar. Padyshim që interneti është një gjë e mirë. Por gjithashtu duke përdorur shprehjen tuaj, ka një anë të errët. Ne na shqetëson radikalizmi në internet. Shqetësohemi për ata që manipulojnë informacionet, por për këtë duhet të sigurohemi se infrastruktura jonë është e mbrojtur dhe që të jemi të angazhuar me sektorin privat. Shërbimet e inteligjencës amerikane nuk mund të bëjnë punën të vetëm, por duhet të bashkëpunojmë me sektorin privat dhe këtë po e bëjmë edhe në mënyrë globale. Këto janë disa nga sfidat kibernetike që ne kemi, por pa dyshim kjo është një temë relativisht e re.

Ju gjithashtu keni shërbyer si Asistent Special i Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe Drejtorit të Lartë në Luftën kundër terrorizmit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Sa sfiduese ishte kjo?
Ishte një detyrë sfiduese, Ndonjë ditë punoja 12 orë në ditë, ndonjëherë 18 orë në ditë, të shtatë ditët e javës dhe ishte sfiduese mendërisht për të ndjekur të gjitha ato drejtime. Kisha një skuadër të jashtëzakonshme dhe të përkushtuar dhe objektivi ynë ishte që t’i jepnim këshillat e duhura presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe për drejtuesit e tjerë që do të mblidheshin për takime mes agjencive të ndryshme. Ishte sfiduese, por gjithashtu pjesa më e rëndësishme e karrierës time ishte që të punoja në Shtëpinë e Bardhë, një nga vendet më të njohura në planet. Ishte një nder dhe privilegj për të shërbyer në administratën e presidentit Trump gjatë vitit të parë të mandatit të tij.

Duhet të ketë qenë një punë e vështirë për të mbledhur informacionin e duhur përpara se t’ia prezantonit presidentit, apo jo?
Grumbullimi i informacioneve vinte nga një komunitet i jashtëzakonshëm inteligjence dhe ne kishim informacionin më të mirë në planet. Sfida ime ishte që të distiloja atë informacion dhe pjesa kryesore ishte që të mblidhje njerëzit për të ndërtuar konsensusin e agjencive përmes debatit në mënyrë që kur të shkonim deri në zinxhirin e komandës për tek presidenti, ai të kishte opsionet më të mira për të marrë një vendim. Në fund ishte në dorën e presidentit për të vendosur mbi opsionet.

Zoti Costa, detyra e një agjenti të shërbimeve të inteligjencës duhet të ketë qenë e vështirë veçanërisht gjatë luftës së ftohtë. Çfarë mund t’i thoni publikut shqiptar për këtë përvojë?
Kam qenë me fat, sepse kam punuar edhe gjatë luftës së ftohtë dhe u trajnova nga individë të cilët kishin luftuar përgjatë gjithë kohës së luftës së ftohtë. Ishin njerëz në moshë të madhe kur nisa këtë trajnim.

Duhet të keni qenë shumë i ri…
Isha shumë i ri. Ata më mësuan dhe më trajnuan duke e kuptuar sesa serioz ishte kërcënimi. Ne punën tonë e merrnim shumë seriozisht nga pikëpamja e shërbimeve sekrete, gjithashtu dinim dobësitë tona. Na ka ndodhur që edhe të jemi tradhtuar disa herë, ashtu siç ndodh kudo dhe ato leksione të hershme të karrierës time dhe një shkollim i përsosur me master, më ndihmoi mua për periudhën pas sulmeve të 11 shtatorit. Padyshim që ishim të shqetësuar gjatë luftës së ftohtë. Gjithashtu isha i emëruar në strukturat e NATO-s dhe aty kishte tentativa nga Gjermania lindore, nga Bashkimi Sovjetik dhe më vonë kuptuam se shërbimet sekrete që nga lufta e dytë botërore deri në vitin 1989 kishin një rol të rëndësishëm dhe në fakt ishte një luftë e vërtetë, por pa armë.

Zoti Costa, a ishte Shqipëria komuniste në fokus të shërbimeve sekrete amerikane?
Jo me sa di unë, në një nivel të madh, sepse kishim shumë më tepër probleme.

Të cilat ishin?
Ekzistonte rreziku për një luftë mes Traktatit të Varshavës dhe NATO-s. Përshkallëzimet e tensioneve kanë ndodhur përgjatë gjithë historisë. Nuk më kujtohet të ishim të shqetësuar për Shqipërinë apo një luftë me këtë vend. Në vitin 1993 të gjithë shqiptarët që takoja ishin pak të shqetësuar për NATO-n, por që të gjithë shprehnin dashuri për Amerikën. Nuk mendoj se vinte ndonjë rrezik madhor nga Shqipëria dhe madje i jam kthyer dhe kam lexuar disa dokumente që nuk janë të klasifikuara.

Si përshkruhet Shqipëria në këto dokumente?
Mendoj se bëhet fjalë për fundin e viteve ‘40 dhe fillimi i viteve ‘50 ku ekzistonin disa shqetësime. Nuk e dinim ku ndodhej Shqipëria në sferën e politikës dhe ka kaluar shumë kohë që pas leximit të atyre dokumenteve historike jo të klasifikuara, por të krijon idenë e të gjitha pasigurive. Në fund të fundit, shërbimet e inteligjencës kanë si qëllim që të ulin nivelin e pasigurisë. Supozohet që ata të shkojnë drejt e tek faktet. Sa më të mira të keni shërbimet e inteligjencës, aq më të mira janë vendimet e drejtuesve.

Zoti Costa ka shumë shqetësim në lidhje me aktivitetet e mundshme terroriste në Ballkan. Cila do të ishte këshilla juaj veçanërisht për luftëtarët nga Ballkani që kanë qenë të përfshirë në xhihad dhe që kërkojnë të kthehen në vendet e origjinës?
Pyetje e shkëlqyer. Një çështje që e kam për zemër. Dua të përgëzoj Shqipërinë për punën që ka bërë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Duhet ta luftoni ideologjinë, duhet ta mësoni ciklin e radikalizimit, është pothuajse universale dhe më pas duhet të mendosh për mënyrat sesi të kthesh njerëzit në shoqëri. Njerëzit që largohen dhe i bashkohen xhihadit duhet të dënohen. Por në qoftë se ata kapen në fushën e betejës, besoj se është e rëndësishme për kombet, nuk është vetëm problemi i Shteteve të Bashkuara, por është problemi i botës për t’i marrë xhihadistët në vendin e tyre dhe nëse ata kanë kryer krime, ata duhet të dënohen për krimet dhe pasi të kryejnë dënimin, ata duhet të jenë në gjendje të kthehen në shoqërinë e tyre. Padyshim që do të jetë një periudhë prove për ata, por gjithashtu duhet t’u japim mundësinë njerëzve që të funksionojnë në shoqëri. Jam takuar me shumë ish-xhihadistë, disa në burg, dhe disa të liruar dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që të kuptojmë atë proces të radikalizimit. Siç e thashë, jam i impresionuar me luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri. Më pëlqen të përdor shprehjen e ish-sekretarit amerikan të mbrojtjes James Mattis se “Shqipëria godet më fort se sa pesha e saj” dhe unë e kam parë me punën që Shqipëria bën në luftën kundër terrorizmit.

(BalkanWeb)