TIRANE – “Unë jam i ndërgjegjshëm për ndeshjen që pashë në Elbasan me Teutën, ose për takimin që pashë në Elbasan me Shkodrën. Për mua, është ndeshje e trukuar”. Nuk është fjalia e ndonjë tifozi apo përfundimi i ndonjë raporti dyshues. Kjo fjali ka dalë nga goja e vet zv/kryetarit të Komisionit të Etikës pranë FSHF-së, Bejkush Birçe. Ish-trajneri i Kombëtares e ka thënë hapur mendimin e tij gjatë emisionit “Fair Play” të gazetares Enkeleida Zeko në televizionin “News 24″. Birçe ishte një prej të ftuarve të emisionit të së dielës, ku një pjesë e mirë e tij i është kushtuar fenomenit të trukimeve duke marrë shkas nga dyshimet e fundit që janë hedhur për një miqësore të Skënderbeut që ka zhvilluar në Spanjë ndaj ekipit holandez të Ado Den Hag. “Nëse më pyet mua nga ana sportive apo nëse do pyesësh Artanin dhe ndonjë tjetër do të themi që ne e dimë pak a shumë se kur portieri del përpara apo ikën mbrapa dhe e lë gol, siç e la ai në Elbasan”, deklaroi ndër të tjera Birçe. Ish-trajneri i Kombëtares flet edhe për fenomenin dhe thotë se Komisioni ku ai bën pjesë, që është krijuar pikërisht për të hetuar dhe marrë vendime në lidhje me manipulimin e rezultateve, në disa raste i ka dërguar çështjet në Prokurori, por është kjo e fundit që nuk heton më tej, duke pushuar gjithçka. “Madje ky institucion nuk denjon të na kthejë as përgjigje”, thotë ndër të tjera Birçe.
Ka ardhur ndonjë kërkesë në komision për të vëzhguar këto miqësore apo sinjale për këto takime siç ishte rasti i fundit i Skënderbeut?
Kjo është një temë, të cilën, ne që jemi këtu, nuk e zgjidhim dot. Mund të japim ndonjë mendim ashtu siç mund të bëjnë edhe të tjerë jashtë kësaj studioje. Ky nuk është një problem i panjohur. Madje, është një problem shumë i njohur. Komisionet si puna jonë, që i ka edhe FIFA dhe UEFA, i dërgojnë dosjet në instancat e tjera juridike për të dëgjuar dhe mësuar se kush i bën dhe si i bën. Kështu i bën UEFA, edhe për takimet e kampionatit që kanë ndodhur më parë edhe për miqësoret. E thatë edhe ju për takimet e kampionatit që janë më shumë se 90. Unë jam i ndërgjegjshëm për ndeshjen që pashë në Elbasan me Teutën, ose për takimin që pashë në Elbasan me Shkodrën. Për mua, është ndeshje e trukuar.
Kujt i referoheni si ndeshje e trukuar?
Unë do t’i dënoj, nuk kam mundësi. Unë e mendoj. Por, kjo do një diçka që të jetë e deklaruar që e ka bërë. Në rast se u dënua Juventusi pas tri vitesh, ka vepruar Prokuroria dhe elementët e tjerë. Kanë përgjuar dhe kanë bërë deri sa i kapën, madje edhe njerëz siç ishte edhe vetë trajneri i ekipit.
Po, kush i dërgon këto në Prokurori, ju si institucion?
Më fal, sporti ynë është i varfër. Duhet të keni parasysh se ne jemi të fundit e kësaj pune. Këtë e bëjnë shtete të pasura. Këtu e bëjnë edhe nga varfëria. Janë mësuar disa që i bëjnë edhe për takimet ndërkombëtare. UEFA e thotë, ne nuk e kemi parë. E trukuar kjo, e trukuar ajo dhe këtu bëhen sërish trukime. Këto kanë arritur edhe deri tek ekipet e fëmijëve që bëjnë lojëra të tilla. Praktikisht, neve na ka ardhur UEFA dhe ne kemi shkuar në Prokurori. E ka marrë përsipër Prokuroria. Ne i japim materialin dhe është hera e dytë, por nuk kthehet dhe s’ka diçka konkrete.
Ka fakte për këto trukime?
Si mund të ketë konkrete?! Konkrete është kur, për shembull, Haxhiu më thotë “që kjo është kështu dhe mua më thanë leje ndeshjen. Ja ku kam edhe shokun”. Atëherë, kjo është konkrete. Konkrete nuk është kjo që mund të shikojmë ne nga ana vizuale. Kemi gati më shumë se 20 vjet që i bëjmë këto muhabete. Kur ka fakte konkrete i drejtohemi drejtë- sisë, ajo që është. Megjithatë, ne nuk po dënojmë ata që po vrasin. Këtë nuk e marrin në konsideratë fare, pasi nuk na kthejnë as përgjigje. Neve na vijnë këto dhe ne i themi ja ku i keni. Por, ne nuk kemi elementë të tjerë, përgjues apo njerëz që të infiltrohen.
Ka qenë Prokuroria indiferente ndaj këtyre kërkesave të herëpashershme zoti Birçe?
Prokuroria i ka marrë materialet, edhe nga përfaqësuesit e UEFA-s, edhe nga ne. Komisionet në Shqipëri nuk marrin vendime dhe nuk kanë të drejtë të dënojnë. Unë nuk jam jurist. Për çfarë të dënojmë. Ja ku po jua them edhe tani, kjo ndeshje që po shoh në TV është e trukuar. Nëse më pyet mua nga ana sportive apo nëse do pyesësh Artanin dhe ndonjë tjetër, do të themi që ne e dimë pak a shumë se kur portieri del përpara apo ikën mbrapa dhe e lë gol, siç e la ai në Elbasan. Ne duhet të kemi institucionin dhe ai merret me këtë punë, siç e ka gjithë bota. Nëse Rusia ka vendosur një rregull që dënohesh me 7 vjet burg kush trukon, në këtë rast ka futur drejtësinë. Anglezi ka futur drejtësinë. Italiani ka futur drejtësinë. Ka pasur raste ku ndeshja ka qenë e dyshuar dhe e kemi thirrur, lojtarë, trajnerë dhe gjyqtarë dhe kanë deklaruar se nuk ka qenë e trukuar dhe nuk ka pasur asgjë. Madje, ne ia kemi përcjellë Prokurorisë edhe me emra madje për disa takime. Por, ne nuk jemi ekzekutuesit e këtyre gjërave.
Në ndërgjegjen tuaj, e dini se ka trukime dhe se nuk vepron Prokuroria apo nuk keni fakte?
Sipas një liste që ka nxjerrë UEFA, ne jemi të parët në këtë çështje. Ne konstatojmë, nuk bëjmë dot më shumë si komision. Me këtë lloj drejtësie që kemi ne, nuk e nxjerrim dot këtë punë. Ne jemi të fundit në këtë punë.
Ju në komision, a keni ndonjë plan për ta luftuar këtë fenomen që ekziston te klubet shqiptare?
Ne mund të mendojmë dhe shprehemi për ato që na vijnë, pasi ne nuk jemi investigues. Ne presim nga të tjerët. Ne i dimë pasi janë të gjitha të regjistruara nga përgjuesit e UEFA-s, por Prokuroria duhet të hetojë. Pse jemi ne në vendin e parë? Po jua them një shembull fare të thjeshtë. Futbolli i sallës luajti jashtë dhe i trukuan ndeshjet me 8 apo dhjetë gola. Na erdhi nga UEFA nga jashtë dhe u përjashtuan. Pas një viti, gjykata i jep të drejtë dhe i fal.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: