Analisti Artur Zheji në një shkrim të publikuar në portalin e tij “360grade.al” analizon ambicien për pushtet të kryeministrit, Edi Rama duke rrëfyer mes të tjerash edhe si e nxiti të dilte me sëpatë mes Tiranës për të prerë shtyllat e OSHE-së kur ishte kryebashkiak.
Nga ARTUR ZHEJI
Kryeministri është sot më i dobët se kurrë. Por kjo nuk e pengon që të “luajë të fortin” në ekran dhe të krekoset publikisht në gëzim të pushtetit. Sepse dukshëm, kundërshtarët e tij politikë, janë sot, akoma dhe më të dobët se ai vetë.
Dhe po shkohet vetëtimithi drejt 18 Qershorit, me një kryeministër që ka rreshtuar fort bukur, resurset njerëzore, resurset kriminale, resurset financiare, resurset e bythecëve në shërbim të llokmës, resurset e atyre, që nuhasin 4 vjeçarin e tij të ardhshëm në pushtet.
Fodullëku i kryeministrit të katundit tonë, është i denjë, për nga mungesa e modestisë, dhe e krahasueshme me tangërllëkun e një pijaneci barkderr te birraria e pisët e lagjes. Duket se kemi të gjithë stomak të fortë dhe përsëri e dëgjojmë se çfarë thotë!
Pyetjes se është pesëfishuar mbjellja dhe trafikimi i drogës, ai i përgjigjet se është, pesëfishuar lufta kundër drogës.
Pyetjes se Shqipëria është politikisht në krizë, ai i përgjigjet se Opozita dhe Partia Demokratike, është në krizë dhe jo Shqipëria apo Partia Socialiste, e kjo sigurisht nuk është një çështje e tij.
Pyetjes se përse Kokëdhima apo Blushi bëjnë ndaj tij akuza kaq të forta dhe direkte, ai i përgjigjet, se ata, Kokëdhima apo Blushi, janë individë dhe se ai nuk e di se kush i dëgjon dhe kush i ndjek politikisht ata.
Pyetjes se si ndjehet sot, që vetëm dje, Donald Trumpin e bëri “copë” dhe Trumpi u bë President i SHBA, ai përgjigjet se dje Trumpi, ishte vetëm kandidat për President, kurse sot që është President, ay, përkundrazi ushqen respekt për të…
Pyetjes se përse e shkarkoi Ministrin e vet të Brendshëm, Saimir Tahiri, ai përgjigjet se: “Jo! Nuk e shkarkova, por e ngarkova! E ngarkova me detyra të tjera, si shefin e madh të partisë socialiste të Tiranës…”
Dhe kështu mund të vazhdohet deri nesër me qyfyret verbale ose me “qyfyrizimin” dhe “rrumpallizimin” e të folurës së tij me gazetarët dhe përmes gazetarëve me popullin.
I thotë përshembull një grua e martuar, që serviloset të marrë tapinë e një legalizimi të një prone, që s’dihet nëse i përket apo nuk i përket, “e kam ëndër të të puth!” dhe kryeministri e miklon duke i thënë: “prandaj se paske marrë burrin me vete!” dhe puthen!
Dhe të thuash që punët e qeverisjes shkojnë kaq mirë, sa kryeministri e gëzon të drejtën të eglendiset ekraneve, kjo sjellje qyfyryzuese me gjithshka dhe me gjithëkënd, edhe mund të ishte e përligjur.
Por gropa e mizeries në këtë “katund”, vetëm sa thellohet dhe kryeministri hedh valle prej të dehuri në buzë të gropës, ku fundoset Shqipëria dhe banorët e saj të hutuar.
Më kujtohet njëherë, tashmë shumë vite më parë, kur Rama ishte kryebashkiak i Tiranës, në kohën e qeverisë Nano. Më merr në telefon dhe më thotë planin e tij që të godiste me sopatë një shtyllë që KESH, nuk e hiqte nga mesi i rrugës.
“Do më marrin për të çmendur thua?” më pyeti.
“Bëje!” e nxita miqësisht, “ky vend është edhe më i çmendur akoma, që lejon që të rrijë në këmbë një shtyllë elektriku mu në mes të rrugës!”
Tani situata është e përmbysur, është vetë “sopataxhiu” progresist i asaj kohe, sot kryeministër, që rri si një shtyllë apo si një hu, pikërisht në mes të rrugës dhe që është bërë pengesë për ekuilibra të rinj politikë që duhen rivendosur në këtë vend.
Mirëpo Shqipëria politike është sot më pak e “çmendur” se ai dhe askush nuk kërkon të shkojë me “sopatë në dorë për të shkulur shtyllën e pushtetit të tij”.
Shumica e kundërshtarëve të vetë politikë e kanë sot frikë Ramën, mbasi u lodhen së mbiqujturi si “frikacak” atë. Dhe ky është një paradoks mbi të cilin vetë “frikacaku i ashtuquajtur”, e ka shfrytëzuar mençurisht këtë emërtesë që nuk përputhet me të vërtetën. Rama e luan fort bukur rolin e “frikacakut” dhe fsheh fare mirë “hilacakun”, që dhe është tipari i tij kryesor. Por në politikë, hilcakëria, mbiquhet aftësi dhe jo difekt dhe është një “art” që e ushtrojnë të gjithë. Nëse kundërshtarët e tij politikë, do të vazhdojnë të kenë këtë qasje të derisotme ndaj tij, Rama vetëm do forcohet, pas kalimit të krizës së 18 Shkurtit.
Nëse Ilir Meta, që në 1 Prillin e vitit 2013, prishi koalicionin me Berishën, për: “Një ekuilibër të ri politik në Shqipëri”, është përsëri i mendimit se ky është “Ekuilibri më i mirë politik i vendosur”, kryeministrin Rama e kanë gati edhe për 4 vite të tjera.
Ta mbajnë e ta gëzojnë dhe ta përflasin edhe një katërvjeçar tjetër të gjatë, përderisa Edi, të vetëlodhet nga pushteti dhe të kërkojë argëtim, adrenalinë dhe rrumpallhane, diku në një aventure dhe në një sport tjetër.
Do Zoti, jashtë Shqipërisë, duke përllogaritur resurset kaq të shumta që tani ka!… 360grade.al