Pashk Çupi, babai i një 13 vjeçari që ka mbetur i paralizuar si pasojë e një goditje me thikë në shtyllën kurrizore nga një 17-vjeçar, rrëfehet sot në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News 24. Gjithçka ka nisur si një sherr banal mes fëmijësh adoleshentë, por ka përfunduar me pasoja të rënda.



Pas gjykimit të kësaj çështje, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e ka shpallur fajtor për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje duke e dënuar me burg, ndërsa Apeli e ka lënë të lirë 17-vjeçarin. Ky vendim e ka shqetësuar dhe skandalizuar Pashk Çupin dhe ai kërkon të vendoset drejtësi për djalin e tij.


“Unë isha në punë, se punoj polic privat. Më merr në telefon zysha dhe më thotë se djali kërkon leje pasi është i sëmurë me bajame. Djali ka shkuar drejt e në shtëpi, ka ndejtur 30 minuta dhe është nisur sërish ëpr në shkollë. Ky 17-vjeçari e ngacmon në rrugë, djali thjesht i thotë nuk po të nxë rruga? Kaq ka mjaftuar që ai 17-vjeçari t’i ngulë thikën në shtyllë kurrizore. Goditja i ka prekur palcën e shtyllës kurrizore më thanë mjekët. Kur shkoj e gjej djalin të shtrirë në urgjencë. Djali më tha vetëm këto fjalë: Kam marrë një thikë nga pas, nuk mbaj mend më shumë gjë. Më pas u nisëm drejt Spitalit Ushtarak”, tregon Pashk Çupi.

Më tej ai tregon se gjendja shëndetësore e të birit ishte më e komplikuar se aq.

“Kur erdhëm në Tiranë, mjekët u kujdesën shumë, por më thanë që nuk mund të hyjë në operacion sepse thika i kishte prekur palcën. Fillova të qaj, babë fëmije, s’ke ç’të bësh. Mjeku më tha që do ta mbajmë në patronazh dhe që nga ajo ditë djali ka mbet në vend i shtrirë”,- rrëfeu i ati.

Më tej Çupi thotë se pavarësisht kësaj situate djalit nuk i kanë treguar për gjendjen e tij, por e mbajnë me shpresë se do bëhet më mirë.

Shqetësimi që ai rrëfeu sot në studio është fakti se 17-vjeçari që sulmoi të birin është lënë i lirë nga gjykata e Apelit.

“Bëra një ankesë më datë 29 që s’jam dakord me daljen e atj. Unë nuk jam njoftuar fare e as nuk kam marrë pjesë në asnjë seancë gjyqësore. Djalin ma bënë sikur ishte 16 vjeç, ndërkohë që ai është 13 vjeç. Kjo ishte akoma më e rëndë. Nuk e di kush i ka bërë këto letra. Djali i madh i binte kokës me grushte, thoshte do bëj namin, unë i thashë, sa të jetë babi i rregulloj unë këto letra”,- thotë më tej Çupi.

Çfarë ndodhi më 25 shkurt?
Në datën 25 shkurt djali i tij 13 vjeçar është plagosur me thikë në shtyllë kurrizore e për pasojë është paralizuar. Personi që e ka qëlluar është një djalë 17 vjeçar me të cilin kishte patur një konflikt përpara ngjarjes së rëndë. Pashku thotë se përpara 11 muajsh u zunë siç zihen fëmijët e asaj moshe me njëri-tjetrin, ai i ka rënë djalit të Pashkut me shkop bejzbolli. Banonin 2 lagje larg njëri-tjetrit. Djali nuk ka treguar në shtëpi për konfliktin e parë. 1000 metra nga shkolla ka ndodhur ngjarja, në fillim e ka shtyrë me shpatull pastaj i ka futur thikën. Ishin zënë përpara 11 muajsh dhe ai kishte inatin e herës së shkuar. Pas plagosjes djalin e kanë çuar menjëherë në Spitalin e Traumës dhe ka qëndruar atje për 17 ditë. 17-vjeçari u ndalua nga policia dhe gjykimi i tij u bë në qytetin e Durrësit. Vepra penale u cilësua si plagosje e rëndë me dashje dhe Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i dha si masë sigurie qëndrimin në burg, më pas Gjykata e Apelit e la të lirë. Djali tjetër i Pashkut 16 vjeçar e kishte parë atë që kishte dalë nga burgu. I shqetësuar dhe i skandalizuar Pashku ka shkuar vetë në Prokurori për tu interesuar. Prokurorja në takim i tha që s’ka mundësi të ketë dalë personi që plagosi djalin tënd. Pastaj e kanë marrë në telefon dhe i ka thënë ka vendos Apeli nuk kam çfarë të bëj unë si prokurore.

(m.a/BalkanWeb)