“Abdullah Kurdi, babai i vogëlushit Aylan, ishte skafisti që do të na çonte në Turqi”. Kështu deklaron Zainab Abbas, një ndër refugjatet që udhëtonte me skafin ku ndodhej edhe vogëlushi Aylan dhe familja e tij.

Në një intervistë në televizionin arab Eufrate, gruaja rrëfen se në atë udhëtim ka humbur dy fëmijët e saj. Ajo shprehet e bindur se personi që drejtonte varkën ishte pikërisht babai i Aylanit, vogëlushit që u shndërrua në simbol të dramës së refugjatëve.

“Në atë skaf u ngjita bashkë me burrin dhe tre fëmijët tanë. Vetëm tre prej nesh dolën në breg. Dy fëmijët e mi, Haidra, 8 vjeç dhe Zainab, 12 vjeç u mbytën. Kur deti u egërsua, burri im i kërkoi babait të Aylan-it të mos nxitonim dhe më pas varka u mbush me ujë.”- deklaroi Zainab Abbas.

Kjo nuk është hera e parë që hidhen dyshime se ishte pikërisht babai i Aylan-it drejtuesi i skafit të tragjedisë. Në disa postime në rrjetet sociale thuhet se babai i Aylan-it u largua menjëherë në Siri dhe nuk pranoi azilin në Kanada, pasi ishte ai skafisti që shkaktoi vdekjen e djemve të tij.

Megjithatë, të tjera dëshmi thonë se babai i Aylanit mori drejtimin e skafit kur skafisti e braktisi mjetin, duke u hedhur në det.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: