Në librin e tij “Tranzicioni neokomunist në Shqiptari”, botim i “UET Press”, ish i burgosuri politik, Kurt Kola tregon në detaje zhgënjimin pas takimit të parë me Sali Berishën dhe Gramoz Pashkon dhe vendimin që pasoi për të emigruar në Greqi.

Rreth dy muaj pasi kishte dalë nga burgu, së bashku me dy djemtë, ai kaloi kufirin në Kakavijë dhe e pa veten në sheshin “Omonia” të Athinës. Aty ai kontakoi me Mbretin Leka Zogu, i cili ndodhej në Francë dhe i premtoi që do ta merrte nga Greqia, por megjithëse i kishte premtuar që dokumentet zgjasnin rreth një muaj, edhe pas 6 muajsh Kurt Kola nuk udhëtoi dot drejt Parisit.

Pjesë nga libri i Kurt Kolës

EMIGRIMI NË GREQI LIDHJA ME LEKA ZOGUN

Pasi zbulova se ndryshimin po e bënte Ramiz Alia me Sigurimin e Shtetit dhe sistemi i ri pluralist nuk ishte as mish as peshk, hibrid i neokomunizmit, po përjetoja një lëkundje: të qëndroj këtu apo të iki në emigrim? Ishte një mëdyshje shpirtërore shumë tronditëse. Arratisjen nga Shqipëria, që e kam përshkruar edhe në librin “Në Shqipërinë burg”, e kisha menduar e dëshiruar gjashtë vjet ditë e natë e, kur nuk e bëra dot e hoqa nga mendja përgjithmonë.

Ditën që dola nga burgu, më 10 janar 1991, teksa debatoja me një oficer sigurimi në portën e Degës së Punëve të Brendshme, marrja e pasaportave nga një grup grash të internuara, m’u duk veprimi më i urryer, gjë që ua shpreha atyre. Ato më panë gjithë urrejtje edhe pse asnjëra
nuk më njohu. Dhe ja tani, unë që para më pak se tre muajve e kisha urryer këtë gjë, po e përjetoja me mëdyshje dëshirën për ta bërë vetë.

Ishte ora 12 e natës, kur me dy djemtë Ilirianin, Bilalin, nipin Kastriotin, Hakik Menën dhe dy djem fierakë, kaluam klonin në anën veriore të Kakavijës. Çfarë ngazëllimi! A mund ta besojë njeri, se në atë moment, unë që lija vendin tim, atdheun prej të cilit mbaja emrin shqiptar, ndihesha njeriu më i lumtur në botë?! (…)

Pikat në mes kllapave sinjifikojnë kohën 12 orë: 12 e natës deri 12 e ditës, metamorfozën nga njeriu më i lumtur në njeriun më të pikëlluar në botë. Nuk besoj t’i ketë ndodhur ndokujt në një kohë kaq të shkurtër ky lloj ndryshimi shpirtëror në dy ekstremet më të skajshëm…

Në Sheshin “Omonia” të Athinës, në orën 12 të datës 24 mars 1991, midis 20-25 mijë emigrantëve të ardhur nga vendet komuniste të Ballkanit ndihesha më i pikëlluari në botë. Ashtu siç erdhën rrufeshëm lumturia dhe pikëllimi, po rrufeshëm u larguan, sepse të dy qenë artificialë. Pata marrë në Gjykatën e Lartë dëshminë e penalitetit me të katër dënimet politike kundër diktaturës (të ashtuquajtur pushtet popullor), e cila më shërbeu si pasaportë kalimi në kontrollet e policisë greke dhe në Athinë.

Në bazë të saj, komisioni më pajisi me dokument si refugjat i OKB-së. Leka Zogu, trashëgimtari i Fronit Mbretëror, kishte ardhur në Europë nga rezidenca në Afrikën e Jugut, për t’u njohur me problemet e emigracionit shqiptar në Itali, Gjermani, Francë e gjetkë. Kishte mësuar emigrimin tim në Greqi dhe ishte interesuar që të komunikonim. Miku i ngushtë, Bujar Bakali, më dha numrin e telefonit. Ishte java e dytë e qëndrimit tim në Athinë, kur i telefonova. Bisedova
gjatë me mbretin Zog, i cili dinte shumë mbi familjen dhe jetën time. Në fund të bisedës, i kërkova të më tërhiqte në Francë.
– Po! – tha. U tregua i gatshëm dhe pastaj shtoi: – Do të vonohet shumë si procedurë!
– Sa kohë, afërsisht? – e pyeta.
– Besoj një muaj, – përcaktoi në anën tjetër të linjës.
– Unë një muaj rri i varur për shpatullash!
– Do t’ua lë si porosi Ministrit të Oborrit, z. Mulosmani dhe kryetarit të degës në Francë, z. Ylli Spahiu.
U qetësova, jo se aty në Athinë kisha ndonjë problem, por Franca ishte në një standard të pakrahasueshëm me Greqinë. Kisha numrat e telefonit të dy personaliteteve të Monarkisë, por një muaj nuk i shqetësova, për të respektuar afatin që më kishte dhënë mbreti Leka. Kaluan
dhe dy javë nga muaj tjetër. Asnjë lajm. Heshtjen e mora si pakujdesi dhe fillova të flas në telefon herë me njërin, herë me tjetrin. Përgjigjeshin pozitivisht, por nuk më caktonin datë.

Ndërkohë më erdhi garancia nga vëllezërit e shokut tim të ngushtë, Qemal Dema. Kështu, përgatita dokumentacionin për emigrim në SHBA. Pas gjashtë muajsh, pa asnjë lajmërim erdhën në Athinë z. Mulosmani dhe z. Ylli Spahiu. Asnjë fjalë nuk folën për emigrimin në Francë.

– Zotërinj, sipas bisedës me Mbretin Leka, ju është lënë porosia që të më merrni në Francë brenda një afati kohor prej një muaji. Ju vini pas gjashtë muajve dhe jo me atë qëllim. Po qe se dhe Mbreti gënjen, vajmedet për të tjerët.

– Jo, z. Kola, mos fol ashtu, se Mbreti është serioz, por e kemi gjykuar se ju jeni shumë më i nevojshëm në Shqipëri ku i shërbeni kauzës së monarkisë në perspektivën e së ardhmes.

– Unë dua të stabilizoj djemtë dhe gruan në Perëndim, dua të shkollohen atje, se vetë asnjë ditë nuk qëndroj, veçse në atdheun tim, për të ndihmuar të zhduken rrënjët e sistemit totalitar, – u thashë.

Pas ca ditësh i shkruaj një letër të gjatë Leka Zogut, ku derdha tërë mllefin e grumbulluar për mosmbajtjen e premtimit.

REFUZIMI I VIZËS AMERIKANE RIKTHIMI NË ATDHE TAKIMI ME KRYEMINISTRIN MEKSI

Ndërsa isha duke pritur 24 korrikun, datë e caktuar nga Ambasada Amerikane për t’u nisur familjarisht për në SHBA, më 30 qershor ’92 marr një ftesë nga qeveria e PD-së, për t’u kthyer në Tiranë. Më 1 korrik në orën 12.00 në Kakavijë më priste z. Tanush Frashëri, ish-bashkëvuajtës, tani zv/ministër në Qeverinë Meksi. Në Tiranë erdhëm shumë vonë e të
rraskapitur nga rruga gjithë gropa, ndonëse udhëtonim me një benz luksoz, kështu që shkova drejt e në hotel për të fjetur.

Të nesërmen, rreth orës 10.00, i shoqëruar nga deputeti i PD-së Uran Butka dhe drejtori i Drejtorisë të Përndjekurve Politikë z. Moisi Miraka, shkova në zyrën e kryeministrit A. Meksi. Përshtypjet e para; burrë me prezencë, shumë i thjeshtë, aq i thjeshtë sa krahasuar me pozitën të impononte shumëfish respekt. Kisha ndenjur në burg me kryeministra me peshë politike, si Koço Kote e Ibrahim Biçaku, të cilët burgu i kishte zhveshur nga hierarkia, por në aspektin njerëzor, qëndronin shumë lartë nga personaliteti e dinjiteti.

Në këtë pikëpamje, po konstatoja gjëra të përbashkëta me kryeministrin në detyrë, Aleksandër Meksi. Edhe pse ishte takimi i parë, për nga mënyra e pritjes, bisedës, çiltërsisë, më dukej sikur njiheshim shumë kohë më parë. Nuk kisha asnjë informacion rreth tij. Ama një gjë kuptova: ishte njeriu i duhur, në vendin e duhur. Sigurisht, në një takim të parë, të shkurtër, nuk mundesh të përcaktosh prerazi punën e askujt, aq më pak të një kryeministri.

– Zoti Kola, të kemi thirrur të kthehesh në atdhe, të kontribuosh në mbarëvajtjen e rendit demokratik që duam të ndërtojmë, sepse më shumë se ju që keni kaluar jetën internimeve e burgjeve nuk e çmon e nuk e do kush demokracinë, – ndryshoi temën e bisedës kryeministri, të
cilit i shpreha falenderimet për konsideratën.

– Kemi menduar një pozicion goxha të rëndësishëm, drejtor kuadri këtu në Kryeministri, që kërkon një vëmendje e kujdes serioz në seleksionimin e administratës, – sqaroi Meksi.

Të pranishmit, pesë apo gjashtë sa ishin, miratuan me kokë pozicionin tim duke më parë pak me habi apo xhelozi. Nuk mund ta dalloja cila ishte arsyeja. Duke i shprehur mirënjohje kryeministrit për konsideratën dhe besimin ndaj meje, thashë atë që mendoja dhe kisha ndërmend të bëja.

– Z. kryeministër, të vish nga burgu i Burrelit në Kryeministri shef i një administrate, që 50 vjet ka ushtruar dhunë e padrejtësi në qeverisjen e shqiptarëve vetëm për emër dhe rrogë, nuk ia vlen. Unë, jo për shkak të vuajtjeve personale apo familjare nga diktatura, por për vetë bindjet e mia kundra totalitarizmit e në shërbim të lirisë e demokracisë, jam radikal dhe për reformë të thellë
politike. Në një afat kohor tre apo gjashtë muaj maksimumi, në Kryeministri nuk do të ketë asnjë nëpunës komunist. Shërimi i plagëve të kolerës që shkaktoi diktatura komuniste mbi popullin shqiptar kërkon pastrim në themel-çati.

Heshtje e gjatë…Thua se plasi ndonjë bombë pas fjalës sime. Kryeministri, me krye ulur, kishte rënë në mendime. Të tjerët më vështronin mua, por kësaj here dukeshin më antipatikë. E kuptova: kisha goditur deri në majë të piramidës shtetërore.

– Z. Kola, pas tre ditëve do vini të merrnin detyrën, – prishi heshtjen vrastare kryeministri Meksi.
I përshëndeta dhe dola fillikat, pa u shoqëruar as nga bashkëvuajtësi im i fëmijërisë Moisi Miraka. Brenda një grimë kohe, as një orë, pritja me përcjelljen ishin një shekull larg njëra-tjetrës. Tashmë e dija se ai vend ishte refuzuar dhe qe e kotë të shkoja pas tri ditëve, por duhet të shkoja patjetër, qoftë për edukatë dhe për të mos u lënë justifikim se nuk e pranova unë.
Ditën e tretë, rreth orës zyrtare të punës 8 pa një çerek, isha para zyrës së kryeministrit. Oficeri i shërbimit afrohet dhe më thotë:

Kryeministri nuk ka ardhur akoma, por ka lënë porosi, eja t’ju çoj unë.

E ndoqa dhe kur hapi derën vura re se ishte drejtori i Drejtorisë së Ujërave, i cili kishte qenë në takim me kryeministrin. Pas ca lëvdatash dhe elozhesh të cilat ia ndërpreva me neveri, më tha:

– Pasi u larguat, u diskutua pozicioni juaj dhe vendi në kryeministri u konstatua jo i plotë për aktivitetet politike të bindjeve tuaja dhe u gjykua të pozicionoheni në SHIK (Sigurimi Informativ Kombëtar), duke pasur parasysh se në këtë shërbim, në vendet që drejtojnë politikën botërore
si Anglia, punojnë njerëz të zgjedhur të familjeve të mëdha.

– Boll, zotëri! – e ndalova, se nuk po e duroja më shumë mënyrën e servilizmit me gjeste sesa me fjalë.

– Tërë jetën veshët e mi (që nga njëri vesh kanë hyrë e nga tjetri kanë dale, pa u ngjitur tek unë), kanë qenë nën zhurmën e propogandës komuniste, një natyrë e këtij stili hipokrizie që po më ofroni. Më thuaj fjalën e fundit.

– Ju pret kryetari i SHIK-ut Bashkim Gazidede me urdhër të kryeministrit, – mezi mundi të shqiptojë, ngaqë u ndie i fyer nga reagimi im.

Sapo e lajmëroi roja sekretaren për ardhjen time, punë sekondash, Gazidede zbriti poshtë në holl dhe me një ‘mirësjellje’ prej xhentëlmeni, më shoqëroi në zyrën e tij. Të tjera elozhe, madje të shoqëruara nga një ‘pamje pikëlluese’ e tij, si rezultat i një ligji (mbi përcaktimin e moshës), që nuk më lejonte mua të punoja aty.

Bisedonte me mua sikur më njihte prej kohësh, e unë po ia merrja si interesimin e një njeriu dashamirës. E kisha nuhatur situatën që në fjalët e para duke kuptuar qartë rolin e tij, të një sofisti meskin, që përpiqet të fshihet nën maskën e fetarit. Ky tip njeriu, që nën veladonin e klerikut fsheh tinëzitë e shejtanit, është shumë i rrezikshëm kur vishet me pushtet, siç do rezultonte edhe Gazidede.

Më përcolli me kortezi, i bindur se unë nuk kuptova asgjë në mekanizmin intrigues e mashtrues të sistemit. Edhe unë luaja rolin e naivit, sepse ishte shumë herët dhe ndonëse pata zbuluar shumë gjëra ende pa ardhur në pushtet, më duhej kohë e prova të reja për të dalë hapur
e për t’u përplasur me ta. Këtu u mbyll oferta që unë të bëhesha pjesë e administratës shtetërore të qeverisë. Por, gjithsesi, nuk donin të më largonin, e aq më pak të më bënin kundërshtar të hapur.

Kishte nisur fushata e zgjedhjeve lokale të cilat PD-ja donte t’i fitonte me rezultat të thellë, si ato parlamentare, dhe kishin menduar të më përdornin për të fituar kredo. Më vjen një ftesë nga bashkëvuajtësi Tomorr Dosti, nuk di saktësisht çfarë qe në atë kohë, nënkryetar apo sekretar i përgjithshëm i partisë. Kur isha larguar për emigrim e pata lënë në kampin e internimit në Gradisht, pastaj ishte aktivizuar me Partinë Demokratike. Tomorri kishte marrë pamjen e zyrtarit puro burokrat. Dreq o punë! Si ndryshon kështu njeriu?! Metamorfozë e plotë!

Kemi menduar të shkosh në Burrel me kryetarin e partisë z. Selami, besoj se nuk e refuzon këtë propozim, – foli i mbështetur rehatshëm në kolltuk.

U largova pa e përshëndetur dhe me një shije të keqe nga ajo zyrë, ku nuk shkela kurrë më. Shkuam me z. E. Selami në Burrel për të përcaktuar kandidatët për kryetar bashkie të Matit. Gallatë e madhe! Për të qarë e për të qeshur! Mbledhja bëhej në sallën e ish – Komitetit të Partisë së Punës, që tashmë ishte kthyer në bashki. Ishin më shumë se 100 kuadro me arsim të lartë, prej të cilëve do të dilnin dy kandidatë për t’u votuar e besuar përballë atij të opozitës.

Ishin të gjithë anëtarë të Partisë Demokratike.Z. Selami, unë dhe një tjetër ishim në podium. Pas një fjale të shkurtër të Z. Selami, iu dha leja atyre që të propozojnë kandidatët. Dikush propozoi shokun që kishte pranë duke i bërë një biografi të shkurtër shoqërore dhe pune. Kryetari i partisë, i cili drejtonte mbledhjen, kërkoi të merrte opinionin e të tjerëve për kandidaturën e parë. Katër vetë ngritën duart në aprovim të tij. Ai që u propozua i dyti, foli pak më gjatë duke i dhënë vlera aktivitetit të themelimit të PD-së. Pasi u ul, u kërkua opinioni dhe aprovimi, gjashtë vetë më shumë se i pari.
Kandidatura e tretë, zgjati më shumë se tridhjetë minuta lëvdata për punën e “madhe” në shërbim të partisë. Aprovimi nga salla, vetëm tre vetë. Kandidatura e katërt, model i të tjerëve. Tashmë, kuptohej se qenë ndarë në grupime të vogla apo klane dhe secili synonte të merrte drejtimin e bashkisë për interesat e tij. Ndërkohë, mbledhja u kthye në biseda përleshjeje
ndërmjet klaneve, tamam klishe e partisë së punës, fryma e së cilës ishte e gjallë dhe e rrënjosur në bindjet e tyre.

– Z. Kola, e kupton se këta janë organizuar në grupime dhe gjithsecili do që të marrë institucionin për hesap të tij?

Ky është hall i madh, që nuk e zgjidh dot – më tha në vesh Selami.

– E zgjidh unë në pesë minuta kohë, – i thashë.

Kryetari vuri qetësinë në sallë dhe më dha fjalën mua. Një heshtje e shoqëruar me shikim e vëmendje të jashtëzakonshme. Të gjithë e njihnin historinë familjare e personale kundër komunizmit, unë nuk njihja asnjërin prej tyre. Shumica prej tyre më urrente, pikërisht për shkak
të ideologjisë komuniste e unë këtë e shikoja në sytë e tyre. Pakica habitej si kisha shpëtuar e isha sot përpara tyre.

Vetëm njëri nga ju do të jetë kandidat në zgjedhjet pluraliste për kryetar bashkie, -u thashë, pa i përshëndetur.

Çfarë ndryshimi i menjëhershëm në fytyrat e tyre! Një ngazëllim me një nënqeshje të shtirur deri në neveri. Hapje sysh skaj më skaj, si të ishin aparate fotografike në garë, kush e kush e merrte më bukur. Dukej sikur ishe në një sallë me shumë llampa eletrike me volazh të ndryshëm ndriçimi. Dhe e gjithë kjo mizanskenë servilizmi qëndronte te mendimi, se unë do caktoja kandidatët.

Përjashtohen nga kandidimi të gjithë ata që kanë qenë anëtarë të PPSH-së. Përjashtohen ata që janë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Do të propozoni dy kandidatë për t’i kaluar në votim, i cili do konkurrojë për kryetar bashkie, jo ish-komunist, jo ish- spiun, por i ndershëm e i trajtuar si armik nga lufta e klasës.

Në çast, vështrimet e tyre u larguan nga unë dhe u përballën me njëri-tjetrin, me çehre të ngrysur fytyre e të rrëzuar shpirtërisht.

Më shpëtove. Të falënderoj! – më tha Selami në vesh.

Gjithçka nisi nga e para. Unë u largova se kisha takim me të persekutuarit e rrethit Mat. Takimi bëhej në sallën e Pallatit të Kulturës. I gjeta të mbledhur. Sapo hyra në sallë, shpërtheu një duartrokitje që s’kishte të pushuar. Nuk kisha kurrfarë pozite. Isha njësoj si ata, i dënuar politik. Entuziazmi, mbase nga vuajtja e gjatë, persekutimi i madh familjar, ngaqë kisha shpëtuar gjallë,
nuk i dhashë dot tamam dum shkakut. Me një pjesë isha njohur në burg, por shumicën nuk i njihja.

I falenderova për dashamirësinë dhe zura vendin që më kishin caktuar, pranë kryetarit të degës së Partisë Demokratike. Hysen Kuka, një ish-arsimtar, qe zgjedhur kryetar i parë i degës së partisë në rrethin e Matit. Ishte burrë i urtë, i sjellshëm, me parime demokratike, jo karrierist dhe
egoist, natyra e profesionit, mësues, i thjeshtë e i dashur me njerëzit.

Kur mora fjalën, sërish shpërthyen duartrokitje. Unë simbolizoja figurën e ish-të persekutuarve që kishin mbijetuar, ishin stërmunduar e trajtuar mizorisht nga diktatura. Ishin të kequshqyer, të keqveshur e në varfëri të skajshme. I vetmi ndryshim që dalloja nga qenia në burgje, ishte: ndiheshim të lirë, pa policë mbi kokë e pa pranga, pa punën skllavëruese e ndëshkimet e përditshme.

Këtë pasqyronte fytyra e tyre me buzëqeshje të sinqertë dhe kjo nuk qe pak, për ata që jetonin pa shpresë. Ata kishin nevojë për fjalë të ngrohta, e unë ua thashë. Kishin nevojë për inkurajim e shpresë, për besim në të ardhmen, për të jetuar ndryshe atë pjesë jete që u kishte mbetur. I kisha ndier të gjitha në veten time dhe i ndjeva edhe tek ata. U fola me zemër dhe ata më duartrokitën.

Në mesin e burrave të mirë dallova një spiun të degjeneruar që tentonte të mbulohej nën fisnikërinë e zotërinjve. E demaskova spiunin B.V. që iku si lepuri nga qentë, por kjo nuk e prishi atmosferën e takimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: