Ragip Jashari është njëri nga bashkëluftëtarët e momenteve të fundit të Adem Jasharit. Ai fatmirësisht arriti të kalojë rrethimin e forcave serbe në Prekaz dhe sot jeton mes nesh. Ragip Jashari në RTV Dukagjini tregon momentet si filluan luftimet e deri te largimi i tij nga rrethimi i forcave serbe.

“Në natën kritike të katër marsit të vitit 1998 bashke me një grup shokësh ishim roje të lagjes. Fati im ishte që unë isha roje bashkë me Hamëz Jasharin dhe gjatë asaj nate diku nga ora katër na erdh një lajm nga një bashkëluftëtar që në fshatin Tërnovc po grumbullohen forca serbe. Ne nuk e morëm shumë tragjike dhe në orën gjashtë në tavolinën e famshme po pinim kafe dhe po bisedonim”.

Mysafiri i Shaban Jasharit thotë se gjatë asaj kohe kishin pranuar edhe telefonata tjera për shtim të forcave serbe, por nuk kishin qarë shumë kokën pasi një gjë të tillë tashmë e prisnin çdo ditë.

“Rreth orës 6:05 minuta nga ana lindore pamë që erdhën forcat serbe. I thashë baca Hamëz mos fol më me askënd se erdhën serbët. Jemi zgjua. Baca Shaban ishte zgjuar kishte mbathur një palë çorape të leshta, sikur të shkonte në dasmë e jo në luftë. Jemi mbathë e jemi përgatit si kemi mundur dhe kemi dalë nga oda. Aty kemi takuar Komandantin legjendarme buzëqeshjen e tij të famshme”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ragip Jashari kujton edhe fjalët që kishte thënë Adem Jashari në momentin kur tanku serb kishte arritur në lagjen e jasharajve. “Burra erdhi dita t’i tregojmë Serbisë si luftojnë burrat, ose si vdesin për liri”, citon Ragipi fjalët e Adem Jasharit në momentin kur po fillonin luftimet.

Ragipi tregon edhe mënyrën se si arriti të shpëtojë i gjallë nga ajo betejë e përgjakshme me forcat të mëdha serbe.

“Fatmirësisht gjatë luftimeve ka ardhur Hamza. Meqenëse edhe municioni ishte i pakët, ai na tha “djema kujdes, ruani veten sepse luftimet janë të forta dhe poshtra. Fatbardhësisht, unë, Bashkimi, Qemajli, Shefiki, Bilalli shpëtuam falë lumit, edhe pse është i cekët por u bë shkaktar që ne të shpëtojmë. Halili na mbeti në dorë derisa po tërhiqeshim”, tregon Ragip Jashari

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb