Nga: AURORA KOROMANI*


TIRANE- Kur kanë kaluar pesë ditë nga përleshja mes të burgosurve shqiptarë dhe atyre pakistanezë në burgun e Koridalosit në Greqi, “Gazeta Shqiptare” sjell dëshminë e njërit prej të burgosurve, i cili ka qenë i pranishëm në momentin që ka nisur sherri mes dy grupeve.


I burgosuri, i cili preferon të qëndrojë pa emër për shkak të frikës, shpjegon se sherri gjatë mbrëmjes së të dielës ka nisur mes një grupi pakistanezësh dhe algjerianësh, të cilët janë konfliktuar me njëri-tjetrin pasi kanë qenë edhe të dehur. I burgosuri rrëfen se shqiptarët janë përfshirë në këtë konflikt pasi u kanë dalë në mbrojtje algjerianëve.


RRËFIMI
“Shqiptarët nuk kishin lidhje me këtë ngjarje, të burgosurit shqiptarë u hodhën për të mbrojtur grupin algjerian, të cilët nisën sherrin me një grup të burgosurish pakistanezë. Këto grupe kanë pasur gjithmonë probleme me njëri-tjetrin, sepse kanë rivalitet për kontrollin e qelive dhe të të burgosurve në burg. Para se të konfliktoheshin, edhe pakistanezët, edhe algjerianët ishin duke pirë dhe aty nuk e di se si e nisën si sherr dhe shqiptarët u hodhën që të mbronim algjerianët. Por, shqiptarët nuk kanë lidhje me nisjen e këtij konflikti, e nisën pakistanezët”, sqaron përmes një telefonate nga burgu grek i burgosuri shqiptar, i cili ka shpëtuar nga izolimi. Veç kësaj, ai pohon për “GSH” se mjetet që janë përdorur gjatë sherrit kanë qenë mjete rrethanore dhe të krijuara aty për aty. “Të burgosurit përdorën mjete rrethanore, dikush përdori ndonjë thikë që u gjet aty për aty, u përdorën pirunët, thika që u improvizuan në çast, apo edhe mjete të forta, stola e karrige. Kur nisi sherri, në fillim u përfshinë vetëm pak të burgosur, por më pas sherri u bë masiv, u përfshinë më shumë se 20 persona. U plagosën shumë. Na thanë që 8 u dërguan në spital se ishin rëndë, ndërsa 10 të tjerë kishin marrë plagë të lehta. Shqiptarët morën më pak plagë. Më shumë u dëmtuan pakistanezët, nga të cilët, vdiqën dy persona dhe tre të tjerë janë rëndë në spital”, – pohon i burgosuri nga burgu i Koridalos. Sipas tij, sherri zgjati më shumë se gjysmë ore dhe se pas konfliktit, të burgosurit që u përfshinë drejtpërdrejt u futën në dhomat e izolimit. “Të burgosurit që e nisën sherrin janë futur në dhoma izolimi, edhe shqiptarët aty i kanë mbyllur, edhe pse nuk e nisën ata sherrin. Aty kushtet janë skandaloze, si në të gjithë burgun, ku mungojnë shumë gjëra. Jemi shumë vetë, këtu nuk merret vesh nga të vjen vdekja”, – shprehet i burgosuri për “GSH”. Mbrëmjen e së dielës, në burgun e Koridalos nisi një sherr masiv mes të burgosurve pakistanezë dhe grupit me algjerianë e shqiptarë. Nga ky konflikt u shënuan 2 viktima dhe plot të tjerë të burgosur u plagosën, disa prej tyre në gjendje të rëndë për jetën. Pas kësaj, autoritetet greke kanë marrë masat duke përforcuar sigurinë në burgun e Koridalos, ku situata vazhdon të paraqitet e nderë.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Etiketa: