Ne. Flet gjithmonë në numrin shumës: Të guxojmë, të besojmë, të shfrytëzojmë rastet. Xhani De Biazi nuk e sheh dot veten të ndarë nga Shqipëria. Një pjesë të zemrës dhe të mendjes e ka këtu. Me të drejtë, ajo që bëri nën drejtimin e Kombëtares ishte diçka e paharrueshme si për atë në aspektin profesional, ashtu edhe për shqiptarët.
Trajneri italian, i cili siguroi për herë të parë kualifikimin në Europian. Ai e di mirë se si nga një skuadër, edhe pse me limite të shumta, të marrë maksimumin. Teksa tifozët kuqezinj janë në kërkim të argumenteve dhe pikave që i bëjnë të besojnë për një rezultat pozitiv në “Uembli”, 68-vjeçari na ndihmon për këtë. Ai e di mirë se çfarë do të thotë të ndalësh apo të mundësh ekipet e mëdha. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” thotë se kuqezinjtë nuk duhet të parkojnë autobusin ndaj Anglisë, teksa zbulon disa prej historive dhe ndodhive në atë skuadër.
Trajneri italian thotë gjithashtu se ka ardhur koha që Armando Broja të gjejë stabilitetin dhe të ndihmojë Kombëtaren për arritjen e rezultateve pozitive. Duket se e ka zili Silvinjon që stërvit një ekip me shumë teknikë dhe me djem që aktivizohen në kampionate të rëndësishëm të Europës, megjithatë ai nuk ka ndërmend që të zëvendësojë asnjë me djemtë e tij që arritën të bënin realitet të parët ëndrrën e madhe të Europianit. Xhani flet për Spanjën, Francën, dhe mbi të gjitha për sfidën heroike në Portugali.
Mister përshëndetje. Çfarë po bëni këto kohë?
Jam duke pushuar gjatë kësaj kohe. Kisha nevojë për këtë pas 3 vitesh e gjysmë në Azerbajxhan. Por sigurisht që një sy e mbaj nga futbolli italian dhe nga ai ndërkombëtar. Ndjek gjithçka që ndodh, nuk mund të bëj pa futboll.
Kur do të riktheheni në futbollin që vlen, jo thjesht si spektator?
Kam pasur disa oferta në fakt, por kanë qenë situata që nuk më kanë interesuar dhe për më tepër në vende që kanë pasur rrezik të madh. Në një moment të tillë kam menduar është më mirë që të qëndroj në shtëpi dhe të bëhem gati për telefonatën e radhës.
Le të kthehemi pas në kohë. Ju jeni nga trajnerët që me Kombëtaren shqiptare i keni fituar 3 debutimet në kualifikuese, Qipron, Portugalinë dhe Maqedoninë e Veriut…
Eh, një proverbë thotë: Fillimi i mbarë është gjysma e punës. T’i nisësh eliminatoret me një rezultat pozitiv dhe me një fitore sigurisht që të jep besim dhe shtysë për të ardhmen. Por varet gjithmonë edhe nga rivali që ke përballë. Sepse në rast se do të përballesh me një skuadër si ajo të cilën do të kemi ne përballë (Anglia) të premten, nuk është e lehtë.
Në rast se do të marrim një rezultat pozitiv aty, do të jetë diçka madhështore për vazhdimësinë dhe mund të provojmë deri në fund.
Ne jemi duke gjetur disa argumente si mund të bëjmë mirë në Angli. Përveçse të lutemi në Zot, a ka të tjera?
Sigurisht që ka. Në futboll çdo ndeshje nis zero me zero.
Na ndihmoni…
Duhet të bëjmë një ndeshje me inteligjencë, duke kërkuar që të mos zhbalancohemi shumë. Ata kanë kapacitet atletik të jashtëzakonshëm. Ne duhet të kërkojmë të shfrytëzojmë sa më mirë mundësitë që do të na krijohen në këtë ndeshje. Sepse për këtë jam i bindur. Gjatë ndeshjes do të krijojmë edhe ne ndonjë rast. Duhet të kërkojmë të mbajmë sa më shumë topin në zotërim, sepse në këtë Kombëtare ka futbollistë që dinë ta bëjnë.
Po fakti që Tuhel e ka ndeshjen e tij të parë, na ndihmon? Mos ndoshta nuk e njeh mirë grupin…
Sigurisht që debutimet nuk janë të lehta për asnjë. Tuhel ka eksperiencë të rëndësishme, por edhe ai duhet që të njohë më mirë në aspektin e karakterit disa prej futbollistëve të tij. Në përgjithësi, Anglia është skuadra më e fortë e grupit dhe Shqipëria duhet të kërkojë të shfrytëzojë atë që do të sjellë zhvillimi i ndeshjes.
A e dini që ju jeni i vetmi trajner nga Kombëtarja, që keni fituar një ndeshje me një nga 10 vendet e para të FIFA-s?
Po, e di. Sigurisht që nuk është e lehtë të fitosh ndaj tyre. Ne e bëmë me Portugalinë.
Jo, në fakt, Portugalia nuk ishte në “Top 10” në atë kohë. Po ju ndihmoj, ishte miqësorja me Francën…
(Qesh). Mendova se e kishit për ndeshjen me Portugalinë, ku fituam 0-1 në Aveiro. Po e kujtoj edhe këtë ndeshje. Ergys Kaçe ka shënuar një supergol nga goditja e dënimit. Realizoi një perlë në ndeshjen e luajtur në “Elbasan Arena”. Kemi bërë një ndeshje të madhe dhe të shkëlqyer. Jam i lumtur për atë që kemi bërë në atë kohë dhe për djemtë. Nuk ishte pak të mundje atë Francë.
Tani flasim për Portugalinë. Si ia dolët ta bënit atë mrekulli?
Nuk ishte aspak e lehtë ndaj një skuadre me lojtarë që luanin në kampionate kryesorë. Ne kërkuam që të gabonim sa më pak. Nuk duhet t’i linim të niseshin në kundërsulm. Ne u fokusuam shumë te Koentrao, që në atë kohë luante me Realin e Madridit. Aty vendosa Roshin sepse e dija që mund ta vinte në vështirësi në disa aspekte dhe disa momente, që do t’i krijoheshin gjatë ndeshjes. E shfrytëzuam mirë në fillimin e pjesës së dytë dhe Balaj shënoi një gol të jashtëzakonshëm.
Por lista ndaj të mëdhave shtohet me Spanjën dhe Italinë. Cila është ndeshja që ju ka pëlqyer më shumë?
Do të qëndroj në fitoren ndaj Portugalisë. Sa i përket ndeshjes me Spanjën, ishte një sfidë që e menaxhuam keq në fragmente të caktuara. Ne gabuam një pasim në nisjen e aksionit dhe ta na ndëshkuan.
Por e humbëm 2-0 në rast se nuk gaboj, luanim në Shkodër. Por ajo Spanjë ishte e një tjetër niveli, ashtu si Shqipëria ime e asaj kohe. Kishte diferenca të frikshme mes skuadrave. Por edhe humbja 2-0 nuk ishte keq, për mënyrën se si luajtëm.
Po sfida që ju ka ngelur peng?
Kjo me Spanjën. Goli i parë që pësuam erdhi nga një gabimi ynë dhe kur je 1-0 kërkon që të zhbalancohesh pak për të tentuar barazimin. Aty pësuam edhe të dytin. Ishte e vështirë që të luanim ndaj tyre
Rikthehemi pak tek Anglia. Si duhet ta luajë Shqipëria këtë sfidë? Të jemi agresivë në presing apo të parkojmë autobusin përpara zonës?
Unë mendoj se të gjitha ndeshjet duhet të luhen, edhe kjo ndaj Anglisë. Autobusin t’ia lëmë ndonjë tjetri… Në ditët e sotme është e rëndësishme që të kesh dominimin e lojës në rast se mund të bëhet. Shqipëria ka shumë lojtarë të fortë teknikisht në mesfushë dhe nuk duhet që të luajmë me topa të gjatë, apo të hedhim topin kot. Duhet t’i detyrojmë ata që të vrapojnë pa top. Duhet të luajmë përpara mendoj dhe të krijojmë vështirësi në ¾-t e fushës së tyre.
Mundet ta bëjmë këtë ne?
Duhet të qëndrojmë sa më të shkurtër në fushë dhe të mbështesim njëri-tjetrin si në fazën me top, ashtu edhe në fazën pa top. Ne kemi lojtarë të fortë dhe duhet t’i shfrytëzojmë. Më mirë të bëjmë këtë, sesa të parkojmë autobusin përpara porte, siç ju thatë, me të drejtë, për një ndeshje të tillë.
Po ju pyes në formë batute sepse ju ishit mjeshtri i mbrojtjes në ndeshje të tilla. Është turp të parkojmëautobusin në “Uembli”?
(Qesh). Unë mendoj se turp në futboll është të vjedhësh rezultatin dhe ndeshjen. Ne në Portugali dhe disa sfida të tjera i kemi fituar vetë rezultatet, duke luajtur me inteligjencë. Duhet të bëja futbollin që mundesha me ata lojtarë që kisha në dispozicion. Nuk mund të bënim si fenomenë, por të shfrytëzonim kualitetet që kishim, duke u lutur ndonjëherë që rivalët të mos bënin ndeshjet më të mira ndaj nesh. Dhe në Portugali ndodhi kjo.
Nga lojtarët që janë tani në listë, vetëm 2 kanë marrë pjesë në Europian, Aliji dhe Ajeti.
Shqipëria e asaj kohe kishte lojtarë të rëndësishëm që kishin shumë dëshirë të bënim realitet një ëndërr dhe ia dolëm falë dëshirës për të qenë bashkë dhe njëri për tjetrin. Ndoshta në nivelin teknik nuk kishim kaq shumë kualitet, por kishim vendosmëri dhe kjo na ndihmoi për të arritur aty ku arritëm. Dhe Aliji me Ajetin ishin pjesë e rëndësishme.
Meqë folëm për Ajetin. Sikur të mos ishte dëmtuar ndaj Francës në Europian…
Eh, në futboll nuk ka nëse dhe sikur. Ajeti kishte probleme muskulore dhe u largua nga fusha e lojës 5 minuta nga fundi dhe ne pësuam thuajse në shtesë. Mëkat i madh, sepse edhe në atë situatë arritëm që të bënim mirë edhe kundër Francës.
Duket se ia kishim marrë dorën asaj skuadre…
Po. Në fakt, kishim barazuar 1-1 në Renë me golin e Mavrajt dhe kishim fituar në “Elbasan Arena” me golin e Ergysit (Kaçes). Mendoj se Franca ia kishte frikën më shumë sesa ne asaj ndeshjeje…
Ju keni pasur edhe lojtarë të tjerë nga ky grup. Manaj është një prej tyre. Shënoi në debutim pas 15 sekondash lojë.
E kujtoj shumë mirë golin e tij në debutim me Kombëtaren. Luanim në Prishtinë kundër Kosovës. U fut në fushë kur po ekzekutonim një goditje nga këndi. Unë i thash: Luaj thjesht dhe mos mendo të bësh shpikje në fushë. Ai më tha me fytyrën e tij të ftohtë: Do shënoj gol. U fut dhe shënoi gol. Kjo, sa për të treguar karakterin që kishte.
Pas 10 vitesh ka shënuar vetëm 8 gola. Pse nuk u bë dot kampioni që ne po prisnim?
Rei është një lojtar që ka forcë, kualitet dhe vendosmëri. Është një lojtar që me shumë mundësi mund të bënte më mirë, por ka pasur edhe dëmtime që nuk e lanë lënë të qetë dhe e kanë kushtëzuar në rrugëtimin e tij. Unë do të kisha dëshirë ta kisha më shumë në Kombëtare, por ishte shumë i ri dhe jo në kushtet më të mira për të dhënë maksimumin.
Ashtu siç pritëm Manajn, jemi duke pritur edhe Brojën…
Brojën e njoh më pak, për të thënë të vërtetën. Por është një lojtar që në ato pak ndeshje që e kam parë dhe ka qenë në formë, tregonte kishte shumë potencial. Nuk e di nëse është një lojtar i kompletuar apo jo, por hera-herës tregon se ka një kualitet të jashtëzakonshëm. Në futboll janë të rëndësishëm numrat, sidomos nëse je një sulmues. Sa shënon dhe sa pikë i sjell skuadrës. Kjo është ajo që vlen. Shpresoj që të gjejë një ekuilibër që ta lejojë të japë kontribut më të madh për Kombëtaren tonë.
Mister, çfarë donit të “vidhnit” nga kjo Kombëtare dhe çfarë donit t’i falnit nga ajo që ju kishit në dispozicion?
Janë dy skuadra të ndryshme. Kjo Kombëtare ka shumë lojtarë të mirë dhe që luajnë në kampionate të rëndësishëm të Europës si në Itali, Spanjë apo Angli dhe Gjermani. Mendoj që kanë eksperiencë më shumë sesa ajo e jona. Sinqerisht, unë nuk do të bëj asnjë shkëmbim. Unë do të qëndroj me ata që kam stërvitur vetë. Sigurisht që në jetë në rast se kthehesh mbrapa mund të bësh të tjera zgjedhje, por kjo quhet eksperiencë e jetuar. Eksperiencat të ndihmojnë për të ardhmen për të bërë zgjedhje të ndryshme nëse ke mundësi.
Si është të menaxhosh një skuadër që vjen nga një Europian dhe nis një eliminatore me po të njëjtin trajner. Çfarë duhet dhe çfarë s’duhet të bëjë Silvinjo?
Silvinjo është një trajner që ka eksperiencë, edhe pse është i ri. Është i motivuar dhe ka dëshirë që të bëjë mirë. Ka arritur një objektiv të rëndësishëm si kualifikimi i Shqipërisë në Europian. Tani ka përpara një objektiv po kaq të rëndësishëm, për të çuar për herë të parë Shqipërinë në Botëror. Unë mendoj se ka mundësi që të bëjë mirë, edhe pse grupi është impenjativ, por jo i pamundur. Në rast se skuadra do të ketë të gjithë lojtarët në dispozicion, mendoj se ka shanse të mira për të luajtur kualifikimin, ose atë që ne të gjithë shpresojmë që mund të vijë në këto eliminatore… I uroj fat atij dhe Kombëtares. Forca Shqipëria e madhe! Panorama Sport