Deputetja Monika Kryemadhi, njëherësh bashkëshortja e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, ka rrëfyer momente të veçanta nga jeta e saj. Në një intervistë për “Thumb”, Monika tregon mënyrën sesi bashkë me Ilirin, janë kujdesur për edukimin e tyre, duke mos i llastuar aspak.

Zonja Kryemadhi ka treguar se fëmijët e saj, Bora, Era, Besar, janë të privuar nga shumë gjëra dhe vetë ajo u ka vënë caqe.

Madje deputetja tregon se fëmijët e saj janë rritur në një ambient komod që jo të gjithë e kanë, por pavarësisht kësaj ata janë edhe të privuar nga shumë gjëra.

“Një ndër caqet kryesore për të është edhe mënyra se si i shpenzojnë lekët. Kuota e tyre është 2 mijë lekë në ditë, të marrin një ujë, të hanë një gjë kur janë në shkollë”, ka rrëfyer Monika Kryemadhi.

Gjithashtu, përveç kësaj, ajo ka treguar se fmijët ia tregojnë asaj sekretet e tyre përpara babait të tyre, Ilir Metës, pavarësisht kësaj Monika është e rreptë kur bëhet fjalë për shkollën e tyre. Madje ajo tregon se bën debat me z.Meta, sepse ai u thotë të mos mësojnë shumë, mos të lodhen.

Mes të tjerash, Monika Kryemadhi ka folur dhe për mënyrën se si ka rënë në peshë.

“Bëra një dietë spitalore dhe eliminova brumërat. Gjatë kohës që Iliri u dobësua unë u dyfishova. Shkuam në një rast ngushëllimi dhe unë isha veshur me të zeza për t’u dukur më e dobët. Gjithmonë më merrnin në telefon dhe më thoshin ke dalë shumë mirë sot. Nderkohë që atë ditë më thanë e tmerrshme je bërë më e gjerë se Ilir Meta. Më dhimbte shpirti u bera shumë keq dhe fillova menjëherë dietën”, ka thënë ajo.

INTERVISTA

Na jep pak recetën e kësaj rinisë dhe freskisë tuaj?
Unë kam një shoqen time që është mjeke, një nga mjeket më të mira në Itali, e cila më orienton gjithmonë që të ushqehem mirë; dhe më rekomandon që gjithmonë të bëj kontroll dhe check-up, me analizat për të gjithë trupin. Kjo është shumë e rëndësishme, sidomos për gratë si puna jonë që i kalojnë mbi 40 vjeç. Me zhvillimet e shkencës dhe teknologjisë, sigurisht që kemi dhe pak ndërhyrje nga jashtë. Aktualisht jam në një proces piling.

Shumë është përfolur edhe rënia juaj në peshë, eleganca juaj.
Në përfundim të intervistës do ju tregoj pjesën e dietës, është një dietë spitalore, që po prapë ma ka dhënë kjo mjeke. Por ka të bëjë edhe eliminimi i brumërave. Kjo është jë dietë shumë e mirë, se nuk të lejon të marrësh kilet edhe kur e ndërpret.

Dobësimi juaj ka ardhur në të njëjtën kohë me dobësimin e Ilirit. Ishte gjë një sfidë?
Jo. Në nga arsyet pse u dobësova, ishte se pse Iliri u dobësua dhe unë u dyfishova. Ilir në mëngjes ka vezën e zier, domaten, specin, zarzavate, pra nuk abuzon me ushqimin. Bukën nuk e fut fare në gojë. Ka gati 4 vite që e bën këtë gjë. Iliri ushqehet me peshk kryesisht dhe me supëra, sallata. Është shumë i kujdesshëm në të ushqyer. Para një viti e gjysmë ne ishim në një ngushëllim familjar, dhe kisha veshur një fustan të zi, e mendoja se do dukesha pak më e dobët. Edhe Iliri kishte veshur një kostum të zi. Gjithmonë jam mësuar që kur dal në televizor njerëzit më marrin dhe më thonë “ua sa e mirë”, “ua sa bukur”. Kjo ishte hera e parë që njerëzit më thanë “E tmerrshme, je bërë 2 herë më e gjerë se Ilir Meta”. Gjë më të tmerrshme se ajo nuk kisha dëgjuar ndonjëherë në jetën time.

Të lëndoi kjo gjë?
Më dhëmbi në shpirt, jo më lëndoi. Dhe sot e kësaj dite më bëhet kështu sikur më merret fryma kur e kujtoj. U bëra shumë keq, dhe thashë unë do filloj dietën.

Si është Monika si mami?
Ka momente që mundohem t’i suportoj fëmijët. Janë shumë të mirë. Janë shumë të sjellshëm, shumë korrekt. Nuk janë fëmijë të llastuar. Nuk kërkojnë gjëra të cilat janë të pamundura. E kuptojnë deri ku e kanë cakun e tyre. Ata janë fëmijë që janë rritur në një ambient sa edhe komod që shumë të tjerë ndoshta nuk e kanë, por e kanë edhe shumë të privuar nga shumë gjëra të tjera që të tjerët i kanë.

Cilat janë këto caqe që i keni vendosur?
Mënyra e të shpenzuarit. Kuota e tyre është 2000 lek të vjetra në ditë.

Je ti personi të cilit ato i rrëfehen dhe i thonë sekretet e tyre?
Po faktikisht.

I “tradhton” duke ia tregon Ilirit?
Me Ilirin unë kam debat kur vjen puna psh që kërkoj llogari tek mësimet. Kurse ai i thotë mos mu lodhni shumë. Dhe kur vijnë listat e notave që janë blozë, ai më thotë mua “pse kështu? Le ta lënë shkollën, të futen në punë”. Dhe unë i përgjigjem “kur unë i them mëso, ti u thua mos mëso, tani mos më bëj mua presion”.

Çfarë bën kur je në një moment “black out”?
Heq prizën. Fik telefonin. Nuk bëj dush. Nuk laj dhëmbt. Nuk ha bukë. Nuk bëj asgjë. rri në krevat, shoh televizor. Qaj, shkarkoj, sepse nuk kam mënyrë tjetër ku unë mund të lëviz, të iki. Edhe të duash të ikësh gjëkundi, jashtë shtetit, nuk ke ku ikën, se ose do ikësh çift, por ne e kemi të vështirë të ikim çift bashkë me njëri-tjetrin. Shumë rrallë ndodh. Pushimin e do me pjesën më të mirë të jetës tende.

Sa vite u bëtë bashkë?
23 vite bëjmë tani në janar.

Si e mban këtë romancë dhe pasionin gjallë?
Puna. Në përgjithësi burrat ose gratë nuk duan që të punojnë me njëri-tjetrin bashkë. Por faktikisht ne të dy ngaqë kemi punuar bashkë, jemi lidhur në punë, dhe ndoshta në njëfarë mënyrë edhe gjithë sfidat që kemi pasur i kemi kaluar bashkë. Se ndoshta po ta kishim pasur limonatë si ca të tjerë mund të mos ishim lidhur kaq shumë. Po ne çdo vit kemi nga një luftë, nga një betejë, nga një sfidë. Ajo të lidh më shumë dhe aty e shikon sesa shumë e do tjetrin apo bën për të.

Ju jeni të dy dominantë, të dy lidera, të dy dash, si ja bëni? Nuk përplaseni kokë më kokë?
Jemi përplasur me përpara. Po tani jemi mësuar, bëjmë devijim. Gjithmonë tërhiqet gruaja.

Është kjo arsyeja se edhe pse i jeni futur të dy politikës, Iliri ka arritur më shumë?
Iliri e ka të lindur atë, por edhe të fituar. Iliri është një nga politikanët që është sulmuar më shumë nga të gjithë në Shqipëri.

A ka patur ndonjë moment kur ke thënë: ah kur të lashë unë tyre të çajë më shumë, kur nuk u bëra unë kryeministre…
E mendoj edhe në një aspekt tjetër: edhe mund të mos isha asgjë. Mund të kisha ndonjë burrë që të më rrihte 10 herë në ditë për shembull. Ose do më kishte nxjerrë nga shtëpia.

Mendon se është qasja e Ilirit në politikë që të ka bërë dhe ty më aktive?
Besoj se po. Ka vlerësuar edhe kapacitetet e mia. Unë kam dashur shumë herë të tërhiqem vetë nga politika, kam dashur të merrem me mësimdhënie, me biznes, me gjera të tjera. Por Iliri nuk më ka lejuar. Më ka thënë “si mund të bësh një investim kaq të madh, e pastaj ta hedhësh”. Unë jam marrë shumë me të rinjtë, dhe Iliri më ka thënë “Ti nuk mund t’i lësh këta, deri sa të rriten dhe të bëhen të zotët e vetes”.

Nëse nesër nuk je asgjë, cila është frika më e madhe?
Nuk kam frikë. Unë në jetë jam munduar të bëj gjëra që u bëjnë mirë njerëzve, mos t’u bëjnë keq. Mos të shkel parimet e Zotit, dhe mos të shkel ligjin e shtetit. Unë besoj shumë në Zot.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: